Ballina Sport Morata në pozicion jashtë loje, Barcelona mposht Juventusin, Man. United triumfon me...

Morata në pozicion jashtë loje, Barcelona mposht Juventusin, Man. United triumfon me goleadë

Barcelona nxjerr në pah dobësitë e Juventusit, pasi ia doli të triumfojë 0-2 në “Allianz Stadium”, në një ndeshje të cilën e dominuan totalisht dhe arritën të marrin tre pikët ndoshta më lehtë sesa pritej.

Pa Cristiano Ronaldon Juventusi dukej një skuadër normale në fushë, ndërsa nga ana tjetër Lionel Messi ishte mjaft i karikuar dhe gjithmonë në qendër të lojës së Barcelonës, që me fitoren e sotme ngjitet në krye të grupit me 6 pikë.

Sfida nisi më mirë për katalanët, që pas disa tentativave radhazi, gjetën golin e avantazhit në minutë ne 14’, me anë të Ousmanne Dembele, që gjuajti nga jashtë zone, ndërsa topi i devijuar nga këmbët e Federico Chiesës, përfundoi në trekëndëshin e portës së Szczesny-t.

Bardhezinjtë provuan të reagojnë dhe arritën të shënojnë tre herë me anë të sulmuesit spanjoll Alvaro Morata, dy herë në pjesën e parë dhe një herë në të dytën, por në të te rastet golat u anuluan nga VAR për pozicione jashtë loje.

Vlen të theksohet se sulmuesi spanjoll ka luajtur 5 ndeshje me fanellën e Juventusit këtë sezon dhe i janë anuluar po kaq gola për pozicione jashtë loje, ndërsa për Pirlon mbetet të kuptojë nëse spanjolli ka harruar si të pozicionohet apo shokët e tij të skuadrës janë më të ngadaltë se duhet.

Nga ana tjetër katalanët qarkullonin topin me një lehtësi të jashtëzakonshme dhe shkuan disa herë rrezikshëm në zonën e Szczesnyt, por për të gjetur golin e dytë duhej të vinte minuta e 90’, kur bernardeschi i sapofutur në fushë, shkaktoi një penallti, të cilën e ekzekutoi saktë Lionel Messi.

Vlen të theksohet se Juventusi luajti 5 minutat e fundit me një lojtar më pak, pas kartonit të kuq të marrë nga turku Demiral, ndërsa lojtarë si Chiesa, Dybala e Kulusevski treguan se nuk janë ende në gjendje të udhëheqin skuadrën në nivele të tilla.

Nga ana tjetër te katalanët shkëlqyen dyshja Messi-Pedri, që përveçse bënë një punë të jashtëzakonshme në qarkullimin topit, organizimin e aksioneve sulmuese dhe mbi të gjitha në driblimet që shtuan spektakltin në “Allianz Stadium”.

Në të njëjtin grup, Ferencvaros ia doli të marrë pikën e parë, pasi rikuperoi disavantazhin prej dy golash ndaj Dinamos së Kievit, duke bërë që ndeshja të mbyllej në barazim 2-2. Mungoi sërish sulmuesi i Kombëtares Shqiptare Myrto Uzuni, i cili vijon të jetë i prekur nga koronavirusi dhe debutimin në Champions pritet ta bëjë mesjavën e ardhshme përballë Juventusit.

Pas fitores 1-2 në Paris një javë më parë, Manchester United regjistroi një tjetër sukses sonte në “Old Trafford” pasi mposhti me rezultatin e pastër 5-0 gjermanët e Leipzig, që një vit më parë shkuan deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

“Djajtë e kuq” zhbllokuan sfidën me anë të sulmuesit të talentuar Greenwood në pjesën e parë, më pas goleada u kompletua me tripletën e Marcus Rashford që erdhi nga pankina dhe golin e Martial nga pika e penalltisë.

Në sfidat e tjera, Borussia e Dortmundit mposhti Zenitin me rezultatin 2-0 falë golave të Sancho dhe Haaland, Lazio nuk shkoi përtej barazimit 1-1 në transfertën belge ndaj Club Brugge, ndërsa Sevilla fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Renes.

@tn.lajmelokale
@tetovanews