Ballina Bota ANALIZA: Kush është Donald Trump, nga bizneset miliardere tek drejtimi i Shtëpisë...

ANALIZA: Kush është Donald Trump, nga bizneset miliardere tek drejtimi i Shtëpisë së Bardhë

Donald John Trump është presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. I lindur në Kuins të Nju Jorkut në vitin 1946, në moshë të re ai mori në dorëzim biznesin e të atit, i ngritur mbi pasuritë e patundshme, të cilit do t’i vinte emrin “Trump Organization”.

Në vitet në vazhdim ai do të zgjeronte operacionet e saj, me ngritjen e grataçelave fillimisht dhe më pas me hapjen e kazinove, duke akumuluar një pasuri marramendëse, që i dha njëkohësisht reputacionin e një biznesmeni të fortë e të fuqishëm.

Sidoqoftë, do të ishte në 2016-n kur ai do të realizonte ëndrrën e tij, hyrjen në politikë. Në zgjedhjet presidenciale të atij viti, ai do të merrte një fitore surprizë përballë Hillary Clinton, duke arritur ambicien e tij për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë.

Që në fillim, presidenca e tij përfshihej nga hije skandali. Së pari për shkak të lidhjeve të përfolura me Rusinë, për të cilat u zhvillua dhe hetimi i njohur si “Russiagate”, në përfundim të të cilit megjithatë nuk u provua asgjë.

Gjithashtu, një tjetër rast që do të rëndonte pozitën e tij ishte afera me Ukrainën, kur i kërkoi homologut Zelenskij një hetim për të përbaltur figurën e kundërshtarit politik Joe Biden në këmbim të ndihmës prej 400 milionë dollarësh për Kievin. Për këtë do të niste edhe procesi i inkriminimit, por që do të mbyllej pa shkarkimin e tij për shkak të kontrollit të Senatit.

Në vijim politikat e Trump janë konsideruar si populiste, proteksioniste dhe raciste. Si president ai urdhëroi ndalimin e udhëtimit për qytetarët nga vendet me shumicë myslimane për arsye sigurie, vendosi gardhin në kufirin me Meksikën dhe ndau fëmijët e emigrantëve nga prindërit, si dhe kreu një seri bëmash të tjera.

Por ndërkohë kanë qenë edhe lëvizjet në politikën e jashtme që e bënë atë kontradiktor. Së pari ishte ftohja  me Evropën, e ndjekur nga tarifat mbi produktet kineze që i dhanë jetë luftës tregtare me Kinën, zhvendosja e ambasadës amerikane në Jerusalem dhe takimet me liderin koreano-verior Kim Jong Un, nga të cilat megjithatë nuk u arrit asgjë konkrete.

Por sërish janë çështjet e brendshme ato që kanë cenuar pozitën e tij si president dhe shanset e rizgjedhjes më 3 nëntor.

Një nga këto ishte përgjigjja e vonuar ndaj pandemisë së COVID-19. Ai minimizoi kërcënimin, injoroi ose kundërshtoi rekomandimet e zyrtarëve të shëndetësisë dhe promovoi informacione të rreme për mënyrën e trajtimit nga virusi.

Së dyti, Trump është kritikuar për menaxhimin e situatës së krijuar pas vrasjes së 46-vjeçarit me ngjyrë George Floyd dhe protestave të shumta që pasuan duke u shtrirë në mbarë Amerikën. Episode këto që kanë rënduar pozitën e tij si president, aq sa disa herë ka deklaruar se mund të mos e njohë rezultatin e 3 nëntorit.(euronews)

@tn.lajmelokale
@tetovanews