Ballina Kultura Mitrush Kuteli kujtohet me “Vargjet e përziera” në 113 vjetorin e lindjes

Mitrush Kuteli kujtohet me “Vargjet e përziera” në 113 vjetorin e lindjes

Në 113 vjetorin e lindjes, botohen nga të bijat “Vargjet e Përziera” të Mitrush Kutelit.

Poezitë e ndaluara, të shkruara në copëza letrash e gazetash përmblidhen nën titullin e pagëzuar në të gjallë të shkrimtarit “Vargjet e përziera”.

Me “Vargjet e përziera” kujtohet shkrimtari Mitrush Kutelit, në 113 vjetorin e lindjes.

E bija Atalanta Pasko, fillimisht kujton kohën e vështirë dhe falënderon guximtarët e pranishëm në këtë datëlindje të babait të saj.

“Kush vjen në këto kushte është edhe trim, e vlerëson dhe e do shumë fjalën e Kutelit”, shprehet ajo.

Botimi i veprës, është një ndërthurje mes vargjeve të njohura dhe të panjohura të pagëzuar me titullin e vetë autori. Ky libër nuk u botua në të gjallë të tij, pasi ai nuk pranoi gërshërët e censurës.

“Titulli, “Vargjet e përziera” është i përzgjedhur nga vetë Kuteli. Për përmbledhjen që kishte bërë gati për ta botuar. Në atë kohë përmbledhja nuk u botua sepse ndërhyrjet që i kërkonin autorët, ishin të tilla, që shkonin deri në bashkëpunim”, shprehet ajo.

Pedagogia e letërsisë Persida Asllani, kujton shenjën e fortë të një prej themeltarëve të prozës moderne.

Por pa harruar penën e fortë të mendimit kritik.

Poetja Mimoza Ahmeti sjell ndërmend emocionet e “Tregimeve të moçme shqiptare”.

“Tregimet e moçme shqiptare më kanë bërë një impresion të jashtëzakonshëm. Në një shkrim që lexova nga Plasari, thuhej se ky autor krijon një kohë përtej të gjithë kohërave”, thotë ajo.

Kjo ditëlindje e mjeshtrit të prozës shqipe dhe pasuruesit të shqipes, u organizua nga Qendra Kombëtare e Librit.

/abcnews.al/