Ballina Bota ​DETAJET: Prokuroria bullgare ngre aktakuzë kundër tre spiunëve rusë për helmimin e...

​DETAJET: Prokuroria bullgare ngre aktakuzë kundër tre spiunëve rusë për helmimin e biznesmenit bullgar

Zyra e prokurorit të Sofjes ka ngritur aktakuzë kundër tre shtetasve rusë, për helmimin e biznesmenit bullgar, Emilian Gebrev, djalit të tij Hristo Gebrev dhe punonjësit të firmës, Valentin Tahchiev.

Kështu bëjnë të ditur mediat bullgare

Tre pjesëtarët e shërbimit inteligjent ushtarak rus-GRU, Georgy Gorshkov, Sergei Pavlov dhe Sergei Fedotov, me 15 shkurt 2015, kishin hyrë ndaras në Bullgari, përmes aeroporteve të Beogradit, Moskës dhe Athinës, si dhe ishin vendosur në hotele të ndryshme.

Gjatë hetimeve u zbulua se tre spiunet rusë kishin hyrë në Bullgari me identitete të rrejshme, Gerogy Gorshov (identiteti i vërtetë, Egor Gordienko) , Sergei Pavlov (identiteti i vërtetë, Sergei Lyutenko) dhe Sergei Fedotov (identiteti i vërtetë, Denis Sergeev). Organet e hetuesisë bullgare kanë arritur të sigurojnë prova materiale nga dhomat e hotelit ku kanë banuar të akuzuarit si dhe nga një parking, ku edhe u gjeten provat e krimit.

Tre spiunët rusë, pasi që e kishin përgatitur terenin kishin fluturuar për Rusi, për tu kthyer në fund të muajit prillit 2015. Në mbrëmje të 28 prillit, Sergei Fedotov, në një parking në Sofie, kishte spërkatur me helmin ushtarak të njohur si Novichok dyert e veturës së biznesmenit bullgar. Pas kësaj po atë mbrëmje ishin helmuar Emilian Gebrev, Hristo Gebrev dhe Valentin Tahchiev.

Të tri viktimat bullgare kishin mbijetuar, kështu që Sergei Fedotov, kishte fluturuar edhe një herë në Sofje, me 24 maj 2015, ndërsa Gordienko katër ditë më pas, me 28 maj. Po atë ditë Gebrev shfaqë shenja të helmimit dhe përsëri shtrihet në spital. Fedotov dhe Gordienko, e marrin një veturë me qira dhe largohen për në Serbi, për të fluturuar për Moskë, nga Aeroporti i Beogradit me 30 maj.

Edhe pse prokuroria bullgare ka ngritur aktakuzë kundër tre shtetasve rusë, ligjet në fuqi në Rusi e ndalojnë ekstradimin e shtetasve rusë nga territori i Federatës ruse në vendet tjera.

Dyshimet që të lartpërmendurit kanë të bëjnë me pjesëtarë të shërbimeve inteligjente ruse kishin lindur pasi që ishte zbuluar se një nga rusët e akuzuar, Gergy Gorshov, kishte punuar më herët nën mbulesën e diplomatit dhe atë si pjesë e misionit diplomatik rusë në Organizatën Botërore të Tregtisë në Bruksel. Pas kësaj është vërtetuar se të tre rusët e dyshuar janë pjesëtarë të shërbimit inteligjent ushtarak rus, të njohur si GRU.

Vlen të ceket se Sergei Fedotov (identiteti i vërtetë, Denis Sergeev), është i dyshuar edhe për helmimin në Londër të ish-agjentit rus, Sergey Skripal dhe vajzës së tij, Yuli Skripal, po me helmin ushtarak Novichok, helm i cili është përdorur edhe tani së fundmi kundër liderit opozitar rus, Alexei Navalny.

Së fundmi pas rastit të helmimit të krye opozitarit rus Navalny dhe sigurimit të dëshmive se helmimi është bërë me helmin ushtarak Novichok, si dhe dokumentimit të rasteve të helmimit në Sofje dhe Londër, është rritur presioni si nga BE ashtu edhe nga shtetet tjera demokratike që të fillohen hetimet për përdorimin e helmit ushtarak Novichok.

Pasi që dihet që Rusia disponon me helmin ushtarak Novichok, gjatë ditës së djeshme drejtori i Shërbimit të jashtëm inteligjent rus-SVR, Sergei Naryshkin, kishte dhënë një deklaratë ku ishte munduar të heqë fajësinë, duke u arsyetuar se Rusia më herët i kishte shkatërruar të gjitha rezervat e helmit ushtarak Novichok.

Kjo deklaratë e Naryshkin nuk është marr seriozisht, por është llogaritur si deklaratë për qëllime propagandistike, për të fituar në kohë me qëllim që të mos fillojnë hetimet në lidhje me helmimin e Navalnyt, hetime të cilat Rusia është duke i refuzuar që nga dita e parë e helmimit të krye opozitarit rus.

@tn.lajmelokale
@tetovanews