Ballina Showbiz VIDEO shokuese/ Aktores së njohur po i bien flokët nga koronavirusi: Mbani...

VIDEO shokuese/ Aktores së njohur po i bien flokët nga koronavirusi: Mbani një dreq maske!

Alyssa Milano ka folur hapur rreth betejës së saj me koronavirusin. Aktorja përmes një videoje në Twitter rrëfeu se po përjeton rënie flokësh si pasojë e Covid-19.

Krahas videos, ku shfaqet duke krehur dhe duke mbledhur flokët e rëna, Alyssa shkruajti: “Mendova t’ju tregoja se çfarë i bën Covid-19 flokëve tuaj. Ju lutem, merreni seriozisht. #MbaniNjëDreqMaske”.

Por aktorja nuk është e vetmja që ka raportuar rënie flokësh si simptomë e Covid-19. Edhe pse kjo nuk është simptomë e listës zyrtare të CDC (Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve), një studim së fundmi ka zbuluar se rreth 26% e personave që kanë përjetuar simptoma afatgjata të koronavirusit, kanë treguar se kanë përjetuar rënie flokësh.

Studimi u krye nga Survivor Corps, një grup që ofron burime informacioni për të mbijetuarit nga koronavirusi. Grupi u kërkoi më shumë se 1,500 pacientëve të raportonin se çfarë simptomash kishin nga infektimi me Covid-19, duke përfshirë dhe ato që nuk janë në listën zyrtare të CDC, siç është shtimi i peshës, bllokimi i veshëve dhe rënia e flokëve.

Studiuesit zbuluan se personat që ishin përballur me simptoma afatgjata të koronavirusit kishin shumë më shumë simptoma se ato që janë publikuar në faqen e CDC. Mbi 400 të anketuar kanë rrëfyer se kanë rënie flokësh.

Shumë persona kanë folur hapur rreth kësaj simptome në grupin e Survivor Corps në Facebook, duke kërkuar këshilla. Një grua madje tregoi se që në momentin që u diagnostikua me Covid-19 në muajin Mars, flokët e saj po bien “me tufa”.

Sipas klinikës Celevelad, fajtor për këtë është një fenomen i quajtur “telogen effluvium”, një formë e rënies së flokëve pa dhimbje që vjen nga një ndryshim jo normal në ciklin folikular.

Në përgjithësi 2 ose 3 muaj pas një eventi stresues nis rënia e flokëve. “Kjo është arsyeja se pse pacientët po e përjetojnë tani, disa javë pasi e kanë kaluar Covid-19”, shpjegoi dr. Shilpi Khetarpal.

Aktorja Alyssa Milano më parë ka treguar në rrjete sociale se simptomat e Covid-19 i ka përjetuar që në muajin Mars, por rezultoi negative për koronavirus dhe antitrupa. Pas 4 muajsh me të gjitha simptomat, testi i doli pozitiv.

Milano bëri apel për ndërgjegjësimin e të gjithëve në lidhje me rrezikun nga koronavirusi: “Dua që thjesht ta dini se sistemi ynë i testimit nuk është i saktë dhe ne nuk i dimë numrat realë. Dua gjithashtu të dini se kjo sëmundje nuk është mashtrim.

Mendova se do të vdisja, ndihesha sikur po vdisja. Do të dhuroj plazmën time me shpresën se do të mund të shpëtoj një jetë. Ju lutem tregoni kujdes. Ju lutem lani duart, mbani maskën dhe ruani distancën sepse nuk dua që dikush tjetër të ndihet siç u ndjeva unë”.