Ballina Aktualitet (VIDEO) I quajti horra, sot nuk i shkoi askush në takim

(VIDEO) I quajti horra, sot nuk i shkoi askush në takim

Para zgjedhjeve i quajti horra… thoshte se me ta nuk mund të ulet në një tryezë…

Por pas zgjedhjeve, kreu i B D I-së Ali Ahmeti, i ftoi liderët e partive shqiptare në takim, të cilët nuk ju përgjigjën kësaj ftese gjë që për Ahmetin paraqet keqardhje…

Ali Ahmeti, Kryetar i B D I-së

“Me keqardhje dhe thellësisht i zhgënjyer me mosardhjen e partive politike parlamentare shqiptare në një ditë të rëndësishme historike, 13 gushtit, ditës së MO-së”.

Ftesës së Ahmetit për takim ju përgjigjën vetëm gazetarët….

Edhe pse ishte paraparë të realizohet takim mes liderëve të partive politike shqiptare, takimi u shndërrua në një brifing me gazetarët, ku në tryezë morën pjesë përfaqësuesit e B D I-së, Ali Ahmeti, Teuta Arifi dhe Artan Grubi.

Pas brifingut Ahmeti tha se në këtë takim donte t’i falëderonte partitë shqiptare për të arriturat e përbashkëta dhe të kërkojë prej tyre që të marrin përgjegjësi të përbashkëta në proceset vijuese.

Ali Ahmeti, Kryetar i B D I-së
“Me ç’rast doja si parti që fitoi legjitimitetin në këto zgjedhje t’i faleminderoj për të arriturat tona të përbashkëta deri më sot, duke filluar që nga përmbyllja e pjesës normative të marrëveshjes së Ohrit, ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe të arriturave të tjera jo aq të vogla….desha t’i faleminderoj partitë në këtë rast dhe të marrim përgjegjësi të përbashkëta për të gjitha zhvillimet që presin zgjidhje nga ne që kemi kërkuar mbështetjen dhe përkrahjen qytetare”.

Numri një i B D I-së, Ali Ahmeti, edhe pse dje u refuzua publikisht nga liderët e partive politike shqiptare, insistoi që takimi të zhvillohet sot, ndërsa theksoi se nuk do të thërrasë më takim tjetër.

Ali Ahmeti, Kryetar i B D I-së

“Tani radhën le ta caktojnë ata që s’kanë qenë sot këtu, Bashkimi Demokratik për Integrim e thirri tryezën, ata munguan”.

Gjatë ditës së djeshme, nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ftesës së Ahmetit nuk ju përgjigjën negativisht në mënyrë kategorike, por kërkuan nga Ahmeti që takimi të mbahet pas 17 gushtit, dhe atyre t’u dorëzohet një agjendë për t’u kuptuar arsyeja e takimit.

Ndërkohë, në brifingun në gazetarë Ahmeti informoi se bisedimet me LSDM-në për formimin e Qeverisë vazhdojnë, duke mos dhënë detaje nëse do heqin dorë ose jo nga çështja e kryeministrit shqiptar dhe duke përsëritur qëndrimin se sa janë afër aq edhe larg marrëveshjes për formimin e Qeverisë.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

@tn.lajmelokale
@tetovanews