Ballina Bota Vendi i vetëm në botë që ka mundur koronavirusin: 100 ditë pa...

Vendi i vetëm në botë që ka mundur koronavirusin: 100 ditë pa asnjë të infektuar

Jeta i është rikthyer normalitetit në pjesën jugore të Oqeanit Paqësor, ku banojnë rreth 5 milionë njerëz. Ata marrin pjesë në lojëra rugby me stadiume të mbushura plot dhe ulen në bar e restorante pa frikën e infektimit.

Zelanda e Re, sapo shënoi 100 ditë pa raportuar asnjë rast personi të infektuar me koronavirus. Vendi shpëtoi nga virusi duke imponuar një bllokim të rreptë në fund të muajit mars, kur vetëm rreth 100 njerëz ishin testuar pozitivë për sëmundjen. Mbyllja e hershme e vendit parandaloi përhapjen më të gjerë të virusit.

Për tre muaj e fundit, të vetmet raste të reja me Covid-19, kanë qenë një grup udhëtarësh që ktheheshin nga vende të tjera drejt Zelandës së Re, të cilët janë karantinuar në kufi.

Udhëheqja e kryeministres Jacinda Ardern, është vlerësuar gjerësisht. Ajo lajmëroi njerëzit gjatë karantanimit me njoftime të përditshme dhe mesazhe që në thelb shprehnin se kjo mbyllje e hershme do t’i tregonte rezultatet e saj në të ardhmen.

Sidoqoftë, edhe pas lajmit të mirë, ajo paralajmëroi qytetarët të qëndrojnë vigjilentë. Shumë njerëz, nga ana tjetër, shqetësohen se vendi mund të jetë i vetëkënaqur dhe nuk po përgatitet mjaftueshëm për ndonjë shpërthim të ardhshëm.

Numri i të infektuarve totalë në Zelandën e Re ishte 1500 dhe vendi ka patur vetëm 22 vdekje. Megjithatë, edhe Zelanda e Re, i ka ndjerë goditjet e saj, veçanërisht në turizëm, pasi vendi ka mbetur më i izoluar se kurrë nga bota e jashtme. Ndërkohë, pritet të rritet edhe norma e papunësisë, e cila aktualisht është vetëm 4%.

“Falë ekspertizës mjekësore dhe udhëheqjes së mirë politike, ne kemi qenë në gjendje t’i rezistojmë një sëmundjeje të mbrapshtë. Shikoni, kudo që në botë të keni një luftë të suksesshme kundër epidemisë, kjo është falë këtij kombinimi – ekspertizës mjekësore dhe udhëheqjes së mirë politike”, tha profesori Michael Becker.

Ai theksoi se shumë vende e menaxhuan krizën pandemike shumë keq, se ata tani e kuptojnë këtë dhe po kërkojnë zgjidhje të reja, duke iu referuar Zelandës së Re.