Ballina Aktualitet Tetova, Gostivari, Kumanova dhe Shkupi do të protestojnë kundër shtrenjtimit të rrymës

Tetova, Gostivari, Kumanova dhe Shkupi do të protestojnë kundër shtrenjtimit të rrymës

Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka nxitur revoltë dhe reagime të shumta tek qytetarët e vendit, Shkupi, Tetova, Kumanova dhe Gostivari kanë paralajmëruar protestë kundër EVN-së më 06.08 (ditën e enjte) në orën 19:00. Këshilli Iniciator për organizimin e protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike nëpërmjet një komunikate ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj proteste kundër këtij vendimi për rritje të çmimit të energjisë elektrike, ata thonë se të gjithë që do të jenë pjesëmrrës në këtë protestë të respektojnë rekomandimet dhe masat mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19.

KËSHILLI INICIATOR PËR ORGANIZIMIN E PROTESTËS

“Protesta organizohet e nxitur nga reagime të shumta të qytetarëve pas rritjes së fundit të çmimit të energjisë elektrike por edhe nga reagimi i qytetarëve për shërbimet jokorrekte të kompanive energjetike ndaj tyre, dhe të motivuar për t’i dhënë zgjidhje një problemi të vjetër e të paadresuar mjaftueshëm deri tani, dhe me qëllim për të parandaluar reagime dhe sjellje të dhunshme e radikale të grupeve të caktuara të qytetarëve të mllefosur. Protesta bëhet për të kundërshtuar vendimin e KRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe për të reaguar ndaj monopolit të shërbimeve të kompanisë EVN dhe sjelljes jokorrekte të tyre ndaj konsumatorit. Kërkohet zhbërja e KRRE-së, organ që i shërben interesit të grupeve të biznesit dhe korporatave duke dëmtuar ekonominë mjaft të rënduar të qytetarëve dhe për të kërkuar krijimin e një trupi të pavarur arbitrar në shërbim të qytetarëve për të verifikuar cilësinë e shërbimeve energjetike” .

Nga ana tjetër, mijëra qytetarë janë përfshirë në një peticion “online” në rrjetet sociale për të rrëzuar vendimin për rritjen e energjisë elektrike. Ata kërkojnë që Komisioni Rregullator i Energjetikës ta tërheq vendimin, të zvogëlojë TVSH-në për energji elektrike nga 18 % në 5%, shfuqizimin e tarifës së shtrejtë, formimin e një fondi të veçantë për t’i mbuluar shpenzimet e personave me gjendje të rënduar financiare nga fitimi i furnizuesit universal dhe heqjen e tarifës së taksës komunale për ndriçimin publik.

Për rritjen e çmimit të energjisë elektrike kanë reaguar edhe njëmbëdhjetë sindikata dhe shoqata për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe konsumatorëve, gjithashtu kanë reaguar edhe nga koalicioni ASH-AAA, duke kërkuar shfuqizim të këtij vendimi.

Përndryshe, më 31 korrik çmimi i energjisë elektrike që e paguajnë amvisëritë në tregun rregullator është rritur për 7,4%, ndërsa qytetarët edhe më tej do të mund ta përdorin tarifën e lirë në periudhën e njëjtë sikurse deri më tani. Sipas autoriteteve, me çmimin e ri, nëse keni faturë 1.500 denarë, duhet të paguhet 100 denarë më shumë. /Shenja/

@tn.lajmelokale
@tetovanews