Ballina Lajme Shqipëri Sportelet në kufi do qëndrojnë hapur edhe gjatë natës, Rama jep detaje...

Sportelet në kufi do qëndrojnë hapur edhe gjatë natës, Rama jep detaje për marrëveshjen me Greqinë

Kryeministri Edi Rama njofton se është arritur një marrëveshje me palën greke për të punuar edhe gjatë natës së sotme, pas radhëve kilometrike të shqiptarëve në Kakavijë.

Kreu i qeverisë u bën apel edhe qytetarëve për mirëkuptim, për ditët në vijim, ku do hyjnë në fuqi rregullat e reja.

“Gjatë gjihë ditës kemi bashkëpunuar me palën greke në çdo nivel. Kemi gjetur mirëkuptim e gatishmëri dhe faktin është se e njëjta situatë është edhe në kufijtë e tjerë të Greqisë. Faleminderit për vazhdimin e punës gjatë natës sot dhe lutemi mirëkuptimin e qytetarëve në vijim!“, shkruan Rama në twitter.

Kujtojmë se duke nisur prej orës 6:00 të 16 gushtit, në fuqi do të hyjnë rregulla të reja. Sipas vendimit të autoriteteve greke, nëpërmjet Kakavijës do të lejohet të hyjnë në Greqi vetëm 750 shtetas çdo ditë, ndërsa nga Kapshtica vetëm 300 shtetas çdo ditë.

Ata duhet të jenë të pajisur me testin e tamponit më pak se 72 orë, si dhe do të karantinohen për 7 ditë.

Nuk dihet nëse do arrijnë të kalojnë gjithë qytetarët para hyrjes në fuqi të rregullave të reja, duke qenë se ka një numër të lartë emigrantësh që pret në kufi.