Ballina Shëndeti Si të zbuloni nëse veshkat tuaja janë të dëmtuara

Si të zbuloni nëse veshkat tuaja janë të dëmtuara

Shumë lloje të sëmundjeve të veshkave mund të parandalohen, shtyhen, ose të mbahen nën kontroll kur zbatohen masat e duhura parandaluese që në stadet më të hershme. Masa të cilat kanë të bëjnë kryesisht me ndjekjen e një stili të shëndetshëm jetese, si dhe kryerjen e kontrolleve rutinë tek mjeku specialist.

Dukë parë shifrat në rritje të numrit të pacientëve që diagnostikohen çdo vit me probleme të rënduara të veshkave, dje në “Ditën Botërore të Veshkave”, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik apeluan për inkurajimin dhe adoptimin e stileve të shëndetshme të jetesës, duke pasur më shumë akses për ujë të pastër, kryerjen e aktivitetit fizik, ndjekjen e një diete të shëndetshme, si dhe kontrollin ndaj konsumit të duhanit.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, sfida më e madhe që hasin pacientët shqiptarë është zbulimi i hershëm i sëmundjeve të veshkave, pa kaluar në stadin kronik. Kjo për shkak të mungesës së shenjave paralajmëruese. Shenja të cilat fatkqeësisht bëhen të dukshme shumë vite pasi sëmundja ka nisur të dëmtojë veshkat. Bluzat e bardha thonë se një njeri mund të humbasë deri në 90 për qind të funksionit të veshkave pa e kuptuar dhe pa pasur shenja të dukshme që ta orientojnë drejt ndihmës së specializuar mjekësore.

Për të shmangur këtë, mënyra më e mirë për të parandaluar në kohë sëmundjet e veshkave është, duke bërë një kontroll, ku të paktën një herë në vit të kryeni matjen e tensionit të gjakut, të kryeni një analizë urine, si dhe të masni kreatininën në serum. Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin, shenja të cilat ai i konsideron si pjesë të normalitetit të tij të përditshëm. Megjithatë, ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave mund të përmendim: ndryshime të urinimit, si: urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), me dhimbje ose djegie, me ngjyrë të kuqe, apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit, etj. Gjithashtu dëmtimi i veshkave shoqërohet edhe me shfaqjen e edemave (ënjtjeve) në: këmbë, duar apo fytyrë. Shqetësime të tjera janë: lodhja, të përziera, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mesi.

Nëse dëmtimet e veshkave nuk zbulohen dhe trajtohen në kohë shkaktojnë edhe shumë ndërlikime të tjera shëndetësore.

“Për më tepër, sëmundjet kronike të veshkave dhe dëmtimet akute të tyre janë kontribues të rëndësishëm në rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet e tjera dhe faktorët e rrezikut, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, hipertensionin, obezitetin, si dhe infeksionet si HIV, malaria, tuberkulozi dhe hepatiti. Gjithashtu, këto sëmundje te fëmijët jo vetëm që çojnë në sëmundshmëri dhe vdekshmëri të konsiderueshme gjatë fëmijërisë, por rezultojnë edhe në probleme mjekësore përtej fëmijërisë në moshë më të rritur”, bëjnë me dije specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, këtë vit, “Dita Botërore e Veshkave” ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për barrën e lartë dhe në rritje të sëmundjeve të veshkave në mbarë botën dhe nevojën për strategji për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve të veshkave. “Veshka të shëndetshme për të gjithë, bën thirrje për mbulim shëndetësor universal për parandalimin dhe trajtimin e hershëm të sëmundjeve të veshkave. Qëllimi përfundimtar i një politike të mbulimit shëndetësor universal është promovimi i shëndetit të popullatës duke siguruar qasje universale, të qëndrueshme, dhe të barabartë në kujdesin shëndetësor për të gjitha grupet socio-ekonomike”, konfirmojnë më tej ekspertët e shëndetit publik. Veshkat rregullojnë ekuilibrin e ujit në trup dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak si: sodiumi, potasi, fosfori dhe kalciumi, eliminojnë një sërë toksinash nga trupi ynë, prodhojnë disa hormone, p.sh. reninën që ndikon në presionin arterial, nxisin prodhimin e qelizave të kuqe në palcën e kockave dhe marrin pjesë në prodhimin e formës aktive të vitaminës D.

Kujdes me tensionin e gjakut!

Pak njerëz e dinë se tensioni i lartë i gjakut është një shkaktar i zakonshëm i dëmtimit kronik të veshkave. Pacientët me tension të lartë të gjakut, duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes kronike të veshkave.

Ndikimi i diabetit!

Gjysma e njerëzve që vuajnë nga sëmundja e sheqerit zhvillojnë edhe dëmtime të veshkave. Pacientët diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë, të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glicemisë dhe të kenë kujdes me dietën.

Kujdes me ilaçet që përdorni!

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, shumë pacientë, sidomos të moshuarit, bëhen të sëmurë me sëmundje kronike të veshkave pasi përdorin pa kriter, apo me shumicë ilaçe anti-inflamatore për të qetësuar dhimbje të ndryshme. Ndaj dhe duhet të bëhet kujdes me përdorimin e tyre, vetëm sipas këshillimeve të dhëna nga mjeku specialist. Po ashtu, duhet të bëni ekzaminime, nëse jeni në rrezik për sëmundje të veshkave, apo keni një ose më shumë faktorë të lartë të rrezikut.

Kujdesi për ushqimin

Ngrënia e shëndetëshme parandalon diabetin, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjet kronike të veshkave. Këshillohet që çdo ditë përdorni 5 porcione fruta e zarzavate, 5 porcione drithra, pini jo më pak se 1,5 litra ujë dhe reduktoni marrjen e kripës. Rekomandohet konsumi i jo më shumë se 5-6 gram kripë në ditë, rreth një lugë çaji dhe të shmanget konsumi i ushqimeve të kriposura/përmbajnë shumë kripë.

Në “Ditën Botërore të Veshkave” apelohet për :

Inkurajimin dhe adoptimin e stileve të shëndetshme të jetesës (akses për ujë të pastër, aktivitet fizik, dietë të shëndetshme, kontrolli ndaj duhanit). Shumë lloje të sëmundjeve të veshkave mund të parandalohen, shtyhen ose mbahen nën kontroll kur ekzistojnë masat e duhura parandaluese.
Kryerja e depistimit për sëmundjet e veshkave në kujdesin shëndetësor parësor duke përfshirë (për shembull testet e urinës dhe gjakut). Depistimi i individëve me rrezik të lartë, diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi është me kosto efektive për të parandaluar ose vonuar sëmundjet në veshka që shkojnë në fazën e fundit të sëmundjes.

Sigurimin që pacientët me sëmundje të veshkave të marrin shërbimet bazë shëndetësore për të cilat ata kanë nevojë (për shembull presionin e gjakut, kontrollin e kolesterolit, medikamentet kryesore) për të vonuar progresin e sëmundjes pa vuajtur vështirësi financiare.
Thirrjen për politika qeverisëse transparente, akses të barabartë dhe të qëndrueshëm në shërbimet e kujdesit shëndetësor të avancuar (për shembull dializë dhe transplant të veshkave) dhe mbrojtje më të mirë financiare që sa më shumë burime të bëhen të disponueshme. Thyerja e pengesave social-ekonomike dhe zgjerimi i qasjes në shërbime gjithëpërfshirëse për të plotësuar nevojat e popullsisë, janë thelbësore për të garantuar barazi dhe cilësi në kujdesin shëndetësor ndaj personave me sëmundje të veshkave.
Sëmundjet kronike të veshkave prekin këdo, por më të rrezikuarit janë:

Personat mbi 50 vjeç
Pacientët që vuajnë nga diabeti
Pacientët që vuajnë me tension të lartë të gjakut

Njerëzit me një histori familjare të sëmundjeve të veshkave
Njerëzit me sëmundje kardiovaskulare

Njerëzit me mbipeshë apo të dhjamosur
Duhanpirësit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews