Ballina Shëndeti Si ndikon dieta në parandalimin e sëmundjeve të zemrës

Si ndikon dieta në parandalimin e sëmundjeve të zemrës

Parandalimi i sëmundjeve të zemrës është një ndër sfidat më të mëdha të shëndetit publik në vendin tonë. Kjo për shkak të rritjes së frikshme të ndërlikimeve të shkaktuara edhe në popullatën shqiptare nga çrregullimet e funksionimit të zemrës. Specialistët e shëndetit publik thonë se prej sëmundjeve të zemrës rrezikojnë të gjitha grupmoshat.

Në masë këto ndërlikime janë më të shprehura në moshat e e rritura. Por, fatkeqësisht ky raport ka filluar të marrë përmasa të tjera gjatë viteve të fundit, ku në radhët e të rrezikuarve nga sëmundjet e zemrës po shtohen edhe moshat e reja.

Sëmundjet kardiovaskulare shkaktohen në përgjithësi nga kombinimi i një sërë shkaqeve të përbashkëta, duke filluar me karakteristikat social-biologjike, si: presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, mbipesha dhe obeziteti, diabeti, apo faktorët e mënyrës së jetesës, që kanë të bëjnë me dieta jo e shëndetshme, duhanpirjen, mungesën e aktivitetit fizik, konsumin e shtuar të alkoolit, shkaqe të cilat rrisin probabilitetin për të zhvilluar sëmundje të zemrës.

Sa i takon rasteve kur pacienti duhet të dyshojë për rrezik nga këto ndërlikime, mjekët bëjnë me dije se duhet të bëni kujdes në disa situata të caktuara, si për shembull kur vëreni se keni dhimbje të kraharorit në rastin kur jeni duke ngjitur shkallët.

Që një pacient të kuptojë se vuan nga zemra duhet të ketë shenja të tilla dalluese si: “Vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje gjoksi, të cilat shtohen me kalimin e kohës. Të tjera simptoma të pranishme janë edhe lodhja, edemat e këmbëve dhe cianoza.

Ndërsa sa i takon parandalimit, ushqyerja e shëndetshme është thelbësore në minimizimin e faktorëve madhorë të rrezikut për sëmundje të zemrës, dislipidemisë, hipertensionit, diabetit, sindromit metabolik dhe obezitetit.

Ndaj, për të reduktuar rrezikun nga këto sëmundje, këshillohet ndryshimi i stilit të përditshëm të jetesës, që duhet të përfshijë: “Lënie të duhanit, kontroll të peshës trupore në mënyrë që të shmanget mbipesha, shtim të ushtrimeve fizike në varësi edhe të rekomandimeve të dhëna nga mjeku, konsumim i sasive të ulëta të kripës, teksa duhet të bëni kujdes me përdorimin e alkoolit, si dhe të shtoni në dietën tuaj (regjimin e përditshëm ushqimor), më shumë fibra, perime dhe fruta, dhe të hiqet dorë nga sheqernat industriale, si dhe ushqimet e pasura në yndyra.

Si ta kuptoni që jeni në rrezik për sëmundje të zemrës

Janë një sërë treguesish që na ndihmojnë të kuptojmë se sa të rrezikuar jemi nga sëmundjet e zemrës. Ekspertët e shëndetit publik vënë në dukje se duhet të bëni shumë kujdes me sasinë e lartë të kolesterolit në gjak. Kjo pasi nivelet e larta të kolesterolit shtojnë në masë rrezikun për sëmundje kardiake.

Ndaj këshillohet që të mos lini pas dore testimet përkatëse tek mjeku specialist, në mënyrë që të njihni sasinë e kolesterolit në gjak (kolesterolit të mirë HDL dhe atij të dëmshëm LDL), si dhe nivelin e triglicerideve.

Në varësi të rezultateve të testimit, do të kuptoni nëse jeni përballë ndonjë risku për të zhvilluar sëmundje të zemrës, si dhe masave që duhet të merrni për të shmangur një problematikë të tillë.

Studimet e shumta tregojnë se edhe inaktiviteti fizik është një tjetër kërcënues i shëndetit, veçanërisht për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës, kjo edhe nëse nuk keni faktorë të tjerë rriskues. Ndaj duhet të përfshini në rutinën tuaj të javës, detyrimisht të paktën 2 orë aktivitet aerobik.

Një tjetër element rriskues për sëmundje zemre është edhe duhani. Sipas ekspertëve të shëndetit, studimet tregojnë se duhanpirësit janë 6 herë më të rrezikuar nga infarkti i miokardit.

Ndaj këshillohet që të shmanget konsumi i duhanit sa më shumë që të jetë e mundur. Një tjetër masë që duhet të merrni është edhe parandalimi i mbipeshës. Kujdesuni që të keni një peshë trupore të shëndetshme. Sa më i madh që të jetë indeksi i masës tuaj trupore, aq më i lartë është edhe rreziku për sëmundje të zemrës.

Gjithashtu duhet që të dini se edhe presioni i lartë i gjakut shton ndërlikimet kardiake. Për të shmangur ndërlikimet duhet të mbani nën monitorim të vazhdueshëm këtë tregues. Mjaft të rrezikuar nga ndërlikimet kardiake janë edhe diabetikët. Diabeti është një nga faktorët kryesor të riskut për sëmundje të zemrës. Ju mund të ulni riskun duke mbajtur në kontroll sasinë e glukozës në gjak.

Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese, si dhe ndjekja e kujdesshme e trajtimeve mjekësore të përshkruara nga mjeku janë shpëtimi më i madh për të sëmurët kardiak.

Ushqyerja, kur konsiderohet e shëndetshme

Ushqyerja e shëndetshme është një strategji e modifikimit të jetesës që jep efektet e saj në shumë drejtime. Kështu, duke ndjekur një dietë të shëndetshme, mund të kontrollojmë diabetin, kolestorleminë, tensionin arterial, si dhe obezitetin ose mbipeshën.

Parimet e rëndësishme dhe këshillat që duhet të ndiqen për të mbajtur larg këto komplikacione të zemrës janë nga më të ndryshmet. Një parim shumë i rëndësishëm i dietës së shëndetshme është konsumi i një varieteti sa më të madh ushqimesh në sasi të përshtatshme, në të kundërt të konsumit të vetëm disa ushqimeve në mënyrë të përditshme, pasi kjo shkakton probleme.

Dieta duhet të sigurojë një sasi të mjaftueshme të kalorive dhe të ushqimeve bazë si proteina, karbohidrate, yndyra, vitamina dhe minerale për aktivitet normal të organizmit. Gjithashtu dieta duhet të sigurojë një marrje të kufizuar të kolesterolit ditor dhe yndyrave, sidomos atyre të ngopura, (kolesteroli nën 300 mg, yndyrat nën 10 për qind të kalorive ditore).

Regjimi ushqimor duhet të sigurojë një konsum minimal të sheqerit industrial që dëmton balancën e glukozës në gjak dhe mund të ndikojë në rritjen e triglicerideve, si dhe një sasi të mjaftueshme të antioksidantëve, apo vitaminave që kundërshtojnë efektet e plakjes dhe radikalet e lira.

Po ashtu edhe ushtrimet fizike mendohet se ndikojnë në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës, pasi në këtë formë mbajnë nën kontroll tensionin, obezitetin dhe mbajnë në balancat e duhura trigliceridet.

Megjithatë, lidhur me llojin e aktivitetit fizik që pacienti duhet të ndjekë, vendos mjeku, pasi jo të gjithë mund t’u drejtohen llojeve të njëjta të ushtrimeve fizike. Ushtrimet e bëra në mënyrë të pakontrolluar mund të bëhen edhe të dëmshme.

Faktorët që shtojnë rrezikun për sëmundje të zemrës

Kequshqyerja
Mbipesha
Hipertensioni
Diabeti

Trashëgimia
Niveli i lartë i yndyrave në gjak
Niveli i lartë i stresit
Jeta sedentare

Mungesa e aktiviteti fizik
Duhanpirja
Konsumi i lartë i alkoolit
Pulsi i lartë në kushte qetësie

Masat që duhen marrë për të parandaluar sëmundjet e zemrës

Në radhë të parë kontrolloni tensionin e gjakut. Vuajtja për vite të tëra nga presioni i lartë i gjakut mund të çojë në sëmundje të ndryshme të zemrës. Njerëzit me tension të lartë, shpesh nuk kanë simptoma klinike, prandaj çdo vit duhen bërë kontrolle të rregullta të zemrës, për të zbuluar sa më herët rastet në të cilat mund të shfaqen probleme, të cilat mund të rrezikojnë edhe jetën.

Nëse pini duhan përpiquni ta lini atë. Studimet tregojnë se duhanpirësit janë 6 herë më të rrezikuar nga infarkti i miokardit. Lënia e duhanit është një ndër gjërat kryesore që ju mund të bëni për të përmirësuar shëndetin e zemrës tuaj. Mjekët thonë se brenda dy vjetëve pasi keni lënë duhanin, rreziku për sëmundje koronare të zemrës reduktohet ndjeshëm. Gjithashtu pas 15 vjetëve rreziku juaj për të pasur sëmundje kardiovaskulare është i njëjtë me atë të një personi joduhanpirës. Ekspozimi ndaj tymit të duhanit është një shkak për sëmundjet e zemrës te joduhanipirësit. Lënia e duhanit do t’ju përmirësojë jo vetëm shëndetin tuaj por edhe atë të njerëzve që ju rrethojnë. Nëse ju keni probleme në lënien e duhanit, kërkoni një këshillë profesionale sesi ta lini atë.

Duhet të testoni gjendjen e sheqerit në gjak (glicemia, diabeti). Edhe njerëzit me nivel të lartë të glicemisë në gjak, shpesh nuk kanë simptoma klinike të dukshme, prandaj duhen bërë kontrolle rutinë sipas protokolleve mjekësore. Nëse jeni diabetikë duhet të jeni nën kontrollin e rregullt të mjekut specialist. Kjo pasi diabeti dëmton rëndë enët e gjakut dhe rrjedhimisht edhe zemrën.
Duhet të mbani nën kontroll yndyrat në gjak. Nivelet e larta të tyre janë të lidhura me shumë sëmundje të zemrës. Niveli i tyre mbahet nën kontroll me mjekime specifike, ushqyerje të shëndetshme dhe aktivitet të rregullt fizik. Të jesh mbi peshë rrit rrezikun për sëmundje të zemrës. Këshillohet të përdorni edhe frutat e thata, si arrat, lajthitë ose bajamet nëse kolesteroli HDL është i ulët.

Është e rëndësishme që çdo ditë të kryhet për të paktën 30 minuta aktivitet i lehtë fizik (qoftë edhe thjesht ecje). Kjo do të ishte më e vlefshme nëse kombinohet një herë në javë me rreth një orë aktivitet të moderuar fizik. Por, kjo varet natyrisht edhe nga problematika shëndetësore, prandaj edhe aktiviteti fizik duhet të bëhet gjithmonë me këshillimin e mjekut.
Nëse pini alkool, kufizojeni atë, në jo më shumë se një pije në ditë (një birrë, ose një gotë verë).
Përpiquni të ulni në minimum nivelin e stresit. Aktiviteti fizik luan rol të rëndësishëm në këtë rast.

Mundohuni të hani në mënyrë të shëndetshme. Duhet të konsumoni sa më shumë drithëra, fruta e perime të freskëta dhe të kufizoni sa më shumë të jetë e mundur produktet shtazore. Preferoni më mirë mishin e bardhë (peshk, pulë) sesa mishin e kuq (viçi, derri). Duhet të përpiqeni të merrni gjatë ditës rreth 5 porcione zarzavatesh e frutash, si dhe të minimizoni marrjen e kripës së gjellës, (jo më shumë se 5-6 gram në ditë).

@tn.lajmelokale
@tetovanews