Ballina Suplement Reportazhe REPORTAZH/ Thethi, vendi me të cilin u dashuruan të huajt (VIDEO+FOTO)

REPORTAZH/ Thethi, vendi me të cilin u dashuruan të huajt (VIDEO+FOTO)

Thethi në vetvete është një pasuri e veçantë e kulturës, por në mënyrë të veçantë e natyrës, një peizazh që të magjeps sapo takohesh me të, të vizitosh Thethin është pa më të voglin dyshim një nga gjërat e domosdoshme për çdo turist që prek tokën shqiptare.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Në bukuritë e rralla të vendit tonë, futet dhe Thethi. Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në Veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Jemi nisur drejt Thethit, rrugës së asfaltuar deri në Bogë, aty ku Malësia e Madhe ia lë vendin një tjetër krahine në zë. Qafë-Thorja është ballkoni natyror nga ku vështrohet malësia e Dukagjinit dhe lugina e Shalës. Makinat ndalojnë në rrafshinën sipër rrugës dhe të ardhurit fotografojnë Alpet në sfond, pyjet, shkrepat, pllajat, hijetinat, lugjet.

Fondacioni Shqiptar i Zhvillimit po punon prej muajsh për rikonstruksionin e rrugës që të çon drejt Thethit, me një gjerësi asfalti 4 – 4,75 metra dhe në 3 pikat më të rrezikshme të rrugës do të ndërtohen 3 tunele nga 20 -30 metra për të siguruar mbrojtje nga ortekët. Përveç lehtësimit të qarkullimit edhe gjatë stinës së dimrit kur fshati bllokohet nga dëbora, rruga do të ofrojë siguri më të lartë.

Historia e Thethit dhe e Shalës është e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike. Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Në shekullin e XVI–të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë. Që nga ajo kohë Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinit. Edhe sot, Shala, Shoshi dhe Pulti konsiderohen pjesë e Dukagjinit. Më pas, në fillim të shekullit të XIX-të, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti ta bashkojë këtë zonë me Bushatëllinjtë e Shkodrës. I pari që përmend Thethin në hartën e vitit 1668, është Cornelli, ndërsa në vitin 1916-1917 shkon në fshatin Theth at Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan për të dhe e bën të njohur. Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe më pas në 1936 hapet rruga automobilistike që shoqërohet një vit më vonë me hapjen e një agjencie turistike. Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim do të hapen disa qendra të tjera turistike dhe do të ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet rresht. Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë, mesatarisht 1 pushues për 1 banor. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar””.

“Asnjë vend i banuar nuk më ka lënë një përshtypje të tillë izolimi madhështor nga e gjithë bota” ( Edith Durham). Kështu ka thënë studiuesja dhe shkrimtarja angleze Edith Durham, kur ajo për herë të parë kaloi në Theth në vitin e largët 1905. Kishte udhëtuar thuajse kudo nëpër Ballkan, por aty ajo gjeti diçka që e bëri ta adhurojë përgjithnjë dhe të mrekullohej me mikpritjen e vendasve që me të drejtë e deshën dhe e respektuan duke e cilësuar madje dhe si “Mbretëresha e malësorëve”.

Dhe si për t’i besuar mbretereshës së malësorëve, ne i drejtohemi Thethit icili nis të të magjepsë sapo lë rrugën e ish kampit dhe t drejtohet qendrës së fshatit.

Në një të premte Korriku, ky fshat për shkak edhe të pandemisë e cila ka shkaktuar jo pak probleme për turizmin këtë vit, ka një magji…uji. Por takimi i parë në Theth për çdo vizitorë është qendra e turistëve, një investim i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe Bashkisë Shkodër, pikërisht për t’i ofruar mirëseardhjen çdo të huaji që kërkon të njohë këtë perlë të natyrës shqiptare.

Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse. Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë. Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Megjithatë ky vit, për turizmin, nuk ka qenë i mbarë edhe pse mikpritja thethjane nuk mungon asnjëhere.

Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mulliri i Blojes, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar. Thethi, turizëm në çdo stinë.

Pozicionuar në zemër të fshatit të Thethit, kjo kishë është padyshim simboli i kësaj zone, dhe një nga kartolinat më të bukura që ofron Shqipëria Gjatë takimit tonë në Theth, kjo kishë i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë të çatisë, proces i cili kryhet çdo tre vite.

Kisha e Thethit

Një luginë e rrethuar nga malet, shtëpiza të reja ndërtuar në harmoni larg njëra-tjetrës dhë një rrugë që gjarpëron si arterie mes tyre, është peizazhi epik i zonës ku ngrihet Kisha e Thethit. Gjurmët e kishës së vjetër datojnë në vitin 1892 dhe në po atë vend shtëpia e Zotit u ringrit në formën që ka sot, modeste por shumë e dashur. Famulltari i parë i kishës dikur jetonte pranë saj por kohët e reja që sollën edhe rindërtimin e bënë Kishën e Thethit shtëpinë e të gjithë malësorëve të luginës. Historia e kishës është e lidhur me emrat e patriotëve e klerikëve shqiptarë që ju dedikuan atdheut dhe kulturës kombëtare, si për shembull At’ Shtjefën Gjeçovi, i cili ka shërbyer edhe në këtë kishë.

Gjatë diktaturës kisha u mbyll. Objektit ju ndryshua destinacioni duke e përdorur për shërbime komunitare. Pas viteve ’90 për rindërtimin e saj financuan vetë banorët dhe të afërmit e tyre nga emigracioni. Kisha ka marrë formën e dikurshme, ngrihet e urtë mbi luginë dhe rrezaton fuqinë e dashurisë për Zotin dhe jetën. Ndërtimi i përshtatet karakterit të arkitekturës së malësive të thella. Ndërtesa është e tipit kullë që mbështetet në një kolonë masive ku kulmon kryqi katolik. Pjesa e pasme e kishës vjen në formë gjysmë rrethore, mbuluar po nga një çati rrethore që hyn butë në mënyrë harmonike tek mbulesa e madhe e ndërtesës kryesore.

Kulla ku janë pajtuar mbi 300 gjaqe, nga i gjithë bajraku i Shalës. Kjo kullë ka mbi katër shekuj që është ndërtuar dhe është përdorur për pajtimin e dy palëve. Kur një person kryente një vrasje, kishte të drejtë të merrte pleqtë për të pleqëruar ngjarjen. Plaku luante rolin e avokatit të palës që e zgjidhte. I akuzuari kishte të drejtë te qëndronte brenda kullës i ngujuar për 15 ditë, ku brenda këtyre ditëve ishte kohë e mjaftueshme për të gjetur mbrojtësin e tij dhe të sqaroheshin rrethanat e kryerjes së vrasjes. Kjo kullë nuk ishte si kullat e Mirditës, ku autorët e vrasjeve ngujoheshin për gjithë jetën, por ka qenë një kullë ku kryheshin kuvende për pajtimin e gjaqeve. Këtë vend e kanë mbajtur gjallë tri binjakëzime.

Kjo kullë u ndërtua nga të parët tanë, për mbrojtjen e fshatit te Thethit dhe është një relike për krahinën. Pra kulla e Zef Kol Koçekut ruhet dhe mbrohet me respekt nga nipi i tij Sokol Koçeku, sepse është një simbol i të parëve të tij. Kjo kullë ka rreth një shekull që nuk është përdorur për kuvende, pasi kjo traditë është lënë pas dhe ruhet si relike. Por Thethi në vetvete është një pasuri e veçantë e kulturës, por në mënyrë të veçantë e natyrës, një peizazh që të magjeps sapo takohesh me të, të vizitosh Thethin është pa më të voglin dyshim një nga gjërat e domosdoshme për çdo turist që prek tokën shqiptare./Shqiptarja.com