Ballina Aktualitet Kosovë Produktet e Serbisë rikthehen në tregun e Kosovës

Produktet e Serbisë rikthehen në tregun e Kosovës

Tregu i Kosovës është mbushur me mallra nga Serbia, pak muaj pas heqjes së taksës 100 për qind. Të dhënat e fundit për muajin qershor 2020 tregojnë se shteti serb e ka kthyer primatin në importet e Kosovës në mesin e shteteve që janë pjesë e CEFTA-s.

Pak kohë pasi u hoqën taksa e më pas edhe reciprociteti, tregu në Kosovë është vërshuar nga mallrat e Serbisë.

Sipas të dhënave për muajin qershor, Serbia ishte e para nga anëtarët e CEFTA-s kur është në pyetje importi në Kosovë.

Importet nga Serbia për muajin qershor kapin një vlerë prej 18 milionë eurove, duke e tejkaluar kështu edhe Shqipërinë, me 17.6 milionë euro.

Importet nga Maqedonia ishin në vlerë 18.2 milionë euro, kurse ato nga Bosnja 3.7 milionë euro.

Më 6 qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës, ka hequr të gjitha masat që kanë qenë të vendosura për mallrat serbe, në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut dhe presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t’i japin frymë procesin e dialogut.

Por, siç ka thënë ai, “ne ruajm të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë”, duke shtuar se shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t’i jepet shans dialogut.

Një të tillë është kërkuar që ta bëjë edhe Serbia, që prodhuesit kosovarë të mund të eksportojnë në tregun serb. Megjithatë, bizneset e Kosovës vazhdojnë të përballen me pengesa të ndryshme.

Zbatimi i taksës 100 për qind për një vit e gjysmë nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka pasur efekte të ndryshme në aspektin politik dhe ekonomik,.

Taksa 100 për qind është vendosur nga Qeveria e Kosovës që udhëhiqej në atë botë nga Ramush Haradinaj.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018, gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo më shumë se 360 milionë euro brenda një viti.

Kurse, gjatë zbatimit të taksës, Serbia ishte pothuajse eksportuesja më sasinë më të vogël të produkteve në Kosovë./Monitor

@tn.lajmelokale
@tetovanews