Ballina Aktualitet Nesër në mesditë Zaevi merr mandatin për formimin e qeverisë (VIDEO)

Nesër në mesditë Zaevi merr mandatin për formimin e qeverisë (VIDEO)

Presidenti Stevo Pendarovski nesër do t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev, partia e të cilit si pjesë e koalicionit “Mundemi” ka marrë më shumë mandate në zgjedhjet e 15 korrikut. Nga kabineti i presidentit thonë se Zaev e ka njoftuar presidentin Pendarovski që negocion me më shumë parti për formimin e Qeverisë.

Ndërkohë sot presidenti i shtetit në kumtesë për mediat ka njoftuar se shuhen të gjitha mëdyshjet edhe për konstituimin e Kuvendit. Deklaratave të bëra ditë më parë nga kryeparlamentari në largim Talat Xhaferri si dhe nga deputetja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska se Kuvendi ende nuk është konstituuar, kabineti i presidentit i kundërpërgjigjet se në konsultim me ekspert të fushës, kanë konstatuar se që Kuvendi të llogaritet i konstituuar nevojitet vetëm verifikim i mandateve të deputetëve, e jo zgjedhja e dikujt. Nga presidenti thonë se këtë e dëshmojnë edhe praktikat në vitet e kaluara, kur në pushtet kanë qenë parti të ndryshe, më konkretisht me dokumentet për njoftim të presidentit nga ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski në vitin 2016, si dhe nga Stojan Andov në vitin 2006.

Presidenca

“Esenca e pjesëmarrjes në zgjedhje është që dikush nga subjektet politike të arrijë në pozitë për të konstituar pushtet, kështu që presidenti pret që në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i Kuvendit ta ndajë mandatin për kandidatin e partisë ose partive që kanë shumicë në Kuvend”.

Nga ana tjetër, LSDM në kumtesën për mediat, shprehet e bindur se kryetari i partisë Zoran Zaev do të jetë mandatari i qeverisë së ardhshme katër vjeçare.

LSDM

“Në vijim janë negociata serioze për formimin e shumicës parlamentare stabile dhe koalicionit qeverisës me mandat stabil dhe të plotë katër vjeçar. Për shkak se politikat e suksesshme të LSDM-së dhe Qeverisë që e udhëhoqi u dëshmuan edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare”.

Megjithatë, partitë edhe sot heshtin ndaj informatave jozyrtare se negociatat mes LSDM-së dhe B D I-së kanë ngecur tek çështja e kryeministrit shqiptar. Nga LSDM thonë se bisedimet vazhdojnë dhe ka kohë deri të premten për tu arritur marrëveshje, ndërsa nga B D I nuk japin informata. Partitë heshtin rreth informatave jozyrtare se LSDM dhe B D I janë larg arritjes së marrëveshjes. ALSAT mësoi nga burimet e saj, se negociatat kanë ngecur tek çështja e kryeministrit dhe formulës për të, që vitin e parë të mandatit kryeministri të jetë i B D I-së dhe tre vitet tjera i LSDM-së. Po ashtu në tryezë është hedhur edhe propozimi që derisa kryeministri të jetë i B D I-së kryeparlamentari i LSDM-së dhe kur LSDM të ketë kryeministrin, B D I të ketë kryetarin e Kuvendit. Këto kërkesa të B D I-së janë të papranueshme për LSDM-në dhe kjo ka bërë që partitë të mos kenë avancim në negociata as për ndarjen e ministrive dhe resorëve të tjera në pushtet. Nuk është e qartë nëse B D I-ja do të shkonte edhe në opozitë në rast të mos përmbushjes së kërkesës së saj. Por edhe nëse LSDM-ja do të lëshonte pe për të mos humbur 15 deputetët e nevojshëm për formimin e shumicës së re.

@tn.lajmelokale
@tetovanews