Ballina Bota Ish-Zonja e Dytë Jill Biden shfaqet në fushatë përkrah bashkëshortit në SHBA:...

Ish-Zonja e Dytë Jill Biden shfaqet në fushatë përkrah bashkëshortit në SHBA: Ja kush është pedagogia që befasoi studentët me historinë e saj

Jill Biden, bashkëshortja e pretendentit demokrat si kandidat në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, është shkëputur përkohësisht nga karriera si pedagoge për të ndihmuar të shoqin në fushatën presidenciale.

Zonja Biden e njeh mirë jetën e bashkëshortes së një politikani pasi Joe Biden ka kaluar 36 vjet në Senat si përfaqësues i shtetit Delauer dhe tetë vjet si nënpresident në administratën e Presidentit Obama.

Aktivitete fushate përmes internetit janë këto ditë një fakt i jetës së përditshme të zonjës Biden, e cila po mbështet të shoqin në fushatë.

Këtë radhë ajo po bisedon me një grup grash latino-amerikane. Një ditë më parë ajo bisedoi me studentë.

Ajo shprehet e nderuar për këtë mundësi:

“Jam Jill Biden dhe e kam për nder që jam pedagoge në një kolegj komuniteti”.

Për herë të parë në historinë e vendit, Jill Biden u bë Zonja e Dytë e Shteteve të Bashkuara që vazhdonte karrierën si pedagoge kur i shoqi u bë nënpresident amerikan.

“Shumë prej studentëve të mi nuk e dinë që kam dy punë”.

Në fjalimin para diplomantëve të kolegjit ku punon, ajo tregoi historinë e një nxënësi që kishte rendur në klasë duke thënë…

“Dr. Biden, ju pashë mbrëmë në televizor me Michelle Obamën. Thirra nënë dhe i tregova: Kjo është pedagogia ime e anglishtes. Nëna më tha: ‘Nuk është pedagogia jote, është Zonja e Dytë e vendit’,” tregon ajo.

Nëse zoti Biden fiton zgjedhjet, Jill Biden do të bëhet e para bashkëshorte presidenciale me gradë doktorature. Betty Boyd Caroli është autore e librit “Zonjat e Para”:

“Parashikoj që ajo do të jetë shumë aktive në disa nisma për sistemin arsimor. Por shumë njerëz duan që Zonja e Parë të mos përziehet në politikë. Shumë njerëz e vlerësojnë Zonjën e Parë vetëm nga rrobat që vesh. Unë mendoj ndryshe: Zonja e Parë ka një platformë të fuqishme për ndryshim”.

Jeta me Joe Biden nuk ishte pa vështirësi. Ajo vetë po divorcohej. Zoti Biden kishte kaluar një tragjedi familjare dhe ishte i ve me dy djem të vegjël, pasi i kishte vdekur bashkëshortja dhe vajza në aksident. Ai i propozoi pesë herë radhazi, para se ajo të pranonte:

“Pas pesë herësh, i thashë ‘Krenaria ime irlandeze nuk më lejon të vazhdoj. Po të pyes për herë të fundit. Nuk ka nevojë të më thuash kur do të martohesh me mua, vetëm nëse pranon të martohemi bashkë’. Më tha ‘Po’,” tregon zoti Biden.

Katër vjet më pas, Jill Biden lindi vajzën e çiftit. Në 2015, një tjetër tragjedi familjare: djali i zotit Biden, Beau, vdiq nga kanceri në tru.

Si rezultat, në listën e kauzave që ka përqafuar Jill Biden është edhe beteja kundër kancerit.

Në qershor të këtij viti, Jill Biden botoi një libër për fëmijë mbi vitet e para të karrierës së bashkëshortit të saj, si dhe për vështirësitë dhe talljet që kishte duruar në fëmijëri ngaqë i merrej goja.

Zonja Biden demonstroi në dy raste të ndryshme gatishmërinë e saj për të mbrojtur të shoqin gjatë një aktiviteti për fushatë në mars, kur një protestues u përpoq t’i afrohej kandidatit.

Megjithëse shtëpia e familjes Biden është në shtetin e Delauerit, Jill Biden ka jetuar në Uashington gjatë 21 viteve të fundit të karrierës së zotit Biden si senator dhe tetë vjet më pas në rezidencën e nënpresidentit. Ajo shpreson që të kthehet përsëri së paku për një mandat katër vjeçar presidencial.

@tn.lajmelokale
@tetovanews