Ballina Shëndeti Koronavirusi ANALIZA: Si e ndryshoi koronavirusi jetën e përditshme në 6 muaj

ANALIZA: Si e ndryshoi koronavirusi jetën e përditshme në 6 muaj

Nga shtrëngimi i duarve te vënia e maskës në market…

Jeta, sigurisht ka ndryshuar mjaft në gjashtë muajt e fundit, dhe shumë gjëra që më parë ishin normale, sot as që nuk mendohen…

“Shtrëngimi i duarve ka ekzistuar në një formë apo në një tjetër për mijëra vite” sipas History.com, por mbijetesa e tij në kohë si formë përshëndetje është ndërprerë, të paktën gjatë pandemisë.

Shtrëngimi i duarve me një të panjohur mund të jetë e sikletshme për shumë njerëz, mbi të gjitha nëse nuk kanë mundësi të lajnë duart menjëherë.

Hidhuni një sy gjithë gjërave normale që njerëzit bënin vetëm 6 muaj më parë e që sot i mendojmë dy herë…

Shtrëngimi i duarve ishte një praktikë e zakonshme, por sot duket si mënyrë për shkëmbimin e baktereve apo viruseve

Në prill, doktor Anthony Fauci deklaroi se shtrëngimi i duarve “ndikon në përhapjen e një sëmundje respiratore”, duke shtuar se kjo duhet të bëhet një kujtim i së shkuarës. “Duhet ta harrojmë shtrëngimin e duarve, si shoqëri. Nuk kemi nevojë që të shtrëngojmë duart me dikë. Duhet ta prishim këtë zakon” – tha ai. A mos duhet të përvetësojmë përshëndetjen me bërryla?

Sot është e vështirë të imagjinojmë të mos lajmë duart në momentin kur kthehemi në shtëpi, por shumë prej nesh rrallë e çonin ndër mend 6 muaj më parë.

Centers for Disease Control thotë se të gjithë duhet t’i lajnë shpesh duart për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. “Lajini shpesh duart me ujë dhe sapun për të paktën 20 minuta, mbi të gjitha pasi keni qenë në një vend publik, pasi keni shfryrë hundën, teshtirë apo jeni kollitur” – këshillon CDC.

Të haje apo të pije diçka në mjetet e transportit publik ishte diçka e zakontë, por heqja e maskës në një hapësirë publike të mbyllur mund të të vërë në rrezik ty ose të tjerët.

Dr. Avisheh Forouzesh, specialist i sëmundjeve infektive, deklaroi se njerëzit nuk duhet të hanë gjatë një udhëtimi në mjetet e transportit publik, pasi kjo do të thotë se kanë më shumë gjasa të prekin fytyrën e për rrjedhojë të ekspozohen ndaj virusit.

Sipas NPR, virologu dhe epidemiologu Dr. Joseph Fair beson se është sëmurë me koronavirus në maj, duke pohuar se e kishte marrë atë duke prekur sytë. Dr. Fair tha për NBC Today se “mund ta merrni këtë virus edhe nëpërmjet syve, dhe nga pikëpamja epidemiologjike është hipoteza më e mirë që kam për mënyrën se si u infektova”.

Të ftoje një mik në shtëpi për një kafe, dikur ishte diçka normale, por sot, ideja e një njeriu më shumë në hapësirën tuaj është shqetësuese

Dr. William Schaffner, profesor i mjekësisë parandaluese në Universitetin Vanderbilt, tha për Business Insider: “Këtij virusi i pëlqen vërtet që njerëzit të qëndrojnë pranë, në një hapësirë të mbyllur, për periudha të gjata”.

Kartëmonedhat apo monedhat në duar ju nxisin të lani duart menjëherë.

Dr. Michael Knight, asistent profesor i mjekësisë në George Washington School of Medicine and Health Sciences, tha për CNBC: “Nëse puna juaj kërkon që të menaxhoni para (ose thuajse çdo sipërfaqe tjetër të kontaminuar) është e rëndësishme të lani duart shpesh dhe të mos prekni fytyrën”.

Të pije ujë nga shishja e dikujt tjetër ishte krejt normale gjashtë muaj më parë, ndërsa tani, ideja duket e pështirë

Në mars, Reuters shkruante se një grup prej 13 personash ishte infektuar në Tajlandë me koronavirus pasi kishin ndarë mes tyre pije dhe cigare. Edhe pse CDC thotë se koronavirusi nuk përhapet nëpërmjet pijeve dhe ushqimit, ai gjendet te pështyma, gjë që na shtyn të mendojmë dy herë të pimë diçka nga gota e dikujt.

6 muaj më parë ishte normale të mbaheshim diku nëpër autobusë apo në metro. Sot, me siguri do ta mendonit dy herë

Edhe pse janë bërë përpjekje të mëdha për pastrimin e mjeteve të transportit publik, si për shembull programi i pastrimit nga ora 1:00 deri në 5:00 të mëngjesit i MTA në Nju Jork, vënia e duarve në një sipërfaqe publike me kontakt të lartë, nuk është një ide e mirë.

Përdorimi i një çezme publike sot duket i neveritshëm. Por jo 6 muaj më parë…

“Nuk kemi të dhëna mbi kohëzgjatjen e ngarkesës virale të virusit në çezmat e ujit, por duke pasur parasysh afërsinë e tyre me gojën dhe hundën e njerëzve të tjerë, ju këshilloj të mos i përdorni” – thotë Angela Rasmussen për New York Times.

Të ulesh pranë një të panjohuri në stolat e një parku sot duket e rrezikshme, edhe pse më parë ishte diçka e zakontë

CDC këshillon të qëndroni gjithnjë të paktën 2 metra në distancë me personat e tjerë. “Shqetësimi aktual i qeverisë britanike është që parqet e mbushur plot dhe njerëzit e ulur pranë në stola do të thotë se distanca mes tyre nuk është e mjaftueshme dhe për rrjedhojë rritet rreziku i infektimit” – shkuan BBC.

Vënia e maskës në një dyqan ushqimor (ose në çfarëdo dyqani) ishte diçka që nuk mendohej muaj më parë. Sot, është e detyrueshme në shumë shtete

Në një artikull, The Conversation shkruan se cilat janë mënyrat më të mira për të qëndruar të sigurt, ndërkohë që bëni pazar. “Vini një maskë, por shmangini dorezat. E nëse jeni më shumë se 65 vjeç, është më mirë të porosisni ushqimet online e t’jua sjellin në shtëpi”.

Ideja e të shkuarit në pishinë verën e kaluar dukej argëtuese, por sot ju duhet ta mendoni dy herë

Edhe pse CDC këshillon vënien e maskës dhe ruajtjen e distancës 2 metra nga të tjerët, New York Times shkruan se “pishinat dhe parqet akuatike paraqesin vështirësi unike në ndjekjen e udhëzimeve. Vënia e maskës është thuajse e pamundur, ndërkohë që noton dhe ruajtja e distancimit social mund të jetë e pamundur në vende me shumë njerëz”.

Të hipësh në avion kërkon më shumë mendim dhe planifikim se në të shkuarën

Sipas Insider, gjatë udhëtimit, “larja shpesh e duarve, pastrimi i sipërfaqes së tavolinës, vënia e maskës dhe drejtimi i ventilatorit që fryn mbi kokën tuaj” do të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut për t’u infektuar me koronavirus.

Fryrja e qirinjve të ditëlindjes ishte një moment i pashmangshëm gjatë festimeve, ndërsa sot shihet si një mënyrë për shpërndarjen e mikrobeve në ushqimin e njerëzve të tjerëve.

Paul Dawson, profesor i sigurisë ushqimore në Clemson University në Karolinën e Jugut tha për ABC News se “nëse mund të infektoheni [me koronavirus] nga një dorezë dere apo nëpërmjet ajrit, është e qartë se, nëse dikush fryn mbi ushqim, para se ta hajë, me shumë gjasa, virusi do të hyjë në trupin tuaj. Për këtë arsye, kjo nuk është një gjë me vend për t’u bërë.

Dëgjimi i grupit të preferuar në një koncert

Të shkoje në një koncert me mijëra njerëz apo të dëgjoje këngëtarin / grupin e preferuar në një lokal me shumë njerëz, dikur ishte një ide argëtuese, por sot, mendimi i të qenët i rrethuar nga kaq shumë të panjohur mund t’ju fusë ankthin.

Gjashtë muaj më parë, t’i kërkoje një të panjohuri t’ju bënte foto me telefonin tuaj ishte diçka e zakontë, por sot, do të donit të mos rrezikonit.

In fluencer e specializuar në pastërti, Melissa Maker, tha për CNBC se “shpesh thuhet se telefoni juaj është si një dorë e tretë, pasi ju e prekni vazhdimisht”./Monitor

@tn.lajmelokale
@tetovanews