Ballina Bota Johnson: Ka shenja të “valës së dytë” të pandemisë në Evropë

Johnson: Ka shenja të “valës së dytë” të pandemisë në Evropë

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e mbrojti vendimin e qeverisë së tij për të futur në karantinë udhëtarët që vijnë nga Spanja, duke thënë se “ka shenja të valës së dytë të koronavirusit” në disa pjesë të Evropës.

“Ajo që duhet të bëjmë, është të ndërmarrim veprime të shpejta, kur mendojmë se rreziqet kanë filluar të rriten sërish”, tha Johsnon.

Ai shtoi se individët duhet të vendosin vetë nëse duan të rrezikojnë dhe të shkojnë jashtë vendit në rrethanat aktuale.

”Le të jemi plotësisht të qartë për atë që po ndodh në Evropë, në mesin e disa miqve tanë evropianë… Unë druaj se në disa vende kanë nisur të shihen shenjat e valës së dytë të pandemisë”, tha Johnson.

Komentet vijnë pasi kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të ndryshuar rregullat për Spanjën, është i padrejtë.

Qeveria në Londër vendosi këtë javë që udhëtarët që kthehen në Mbretërinë e Bashkuar nga Spanja, duhet të vetizolohen për 14 ditë në një adresë të regjistruar.

Vendimi i ri u tha se u mor pas rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus në Spanjë.

Por, Sanchez tha se turistët në shumicën e rajoneve në Spanjë do të ishin më të sigurt nga koronavirusi sesa në Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe Gjermania i këshilloi të martën shtetasit e saj që të shmangin udhëtimin në tri zona të Spanjës.

Në Evropë, aktualisht, Mbretëria e Bashkuar prin me numër të rasteve me koronavirus: mbi 301,000. Pas saj vjen Spanja me mbi 278,000.

Ekspertët shëndetësorë nuk kanë ndonjë përkufizim formal për valën e dytë të koronavirusit, por valë e re konsiderohet situata kur numri i të infektuarve bie për një kohë dhe pastaj rritet sërish.

VIDEO bonus:
Loading...