Ballina Bota Analiza Janusz Bugajski: Kosova ka një verë kritike përpara, çfarë mund të ndodhë...

Janusz Bugajski: Kosova ka një verë kritike përpara, çfarë mund të ndodhë me Hashim Thaçin

Janusz Bugajski

Kosova ka një verë kritike përpara. Me Presidentin Hashim Thaçi që përballet me një aktakuzë për krime lufte, një qeveri koalicioni të dobët dhe e vlerësuar si jolegjitime nga opozita, një pandemi në vazhdim dhe me nismat e ngecura të ndërkombëtarëve për të rifilluar bisedimet me Serbinë, përparimi i vendit gjatë muajve të ardhshëm do të jetë i bllokuar.

Thaçi ka deklaruar se, nëse aktakuza për krime lufte konfirmohet nga një gjyqtar i procedurës paraprake të Dhomave Speciale, ai do të japë menjëherë dorëheqjen. Beogradi do të përfitojë nga kjo akuzë nga (pikëpamja) e përpjekjeve të tija për të delegjitimuar Kosovën. Duke e përcaktuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si të udhëhequr nga kriminelë lufte, pretendimi i vendit për shtetësi dhe integrim ndërkombëtar mund të dëmtohet.

Krimet e pretenduara të një numri të vogël guerrilësh gjatë një lufte nuk mund të barazohen me ato të shtetit serb kundër mbarë popullatës shqiptare të Kosovës. Konteksti dhe shifrat janë me rëndësi. Përndryshe, vrasja e SS-ve gjermanëve, e zyrtarëve nazistë dhe e bashkëpunëtorëve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore do të shihej e barazvefshme me masakrimin e miliona civilëve të pafajshëm nga nazistët.

Prishtina duhet të jetë e palëkundur se Gjykata Speciale nuk po heton UÇK-në si një lëvizje çlirimtare, por individë që janë akuzuar për krime specifike lufte. Për më tepër, zyrtarët e qeverisë dhe analistët duhet të flasin hapur për krimet e luftës të kryera nga forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës dhe mungesën e drejtësisë për vrasjen dhe zhdukjen e mijëra civilëve shqiptarë kosovarë. Edhe pse një pjesë e vogël e zyrtarëve të lartë serbë janë dënuan për krime lufte nga Gjykata e Hagës, një Dhomë Speciale për Serbinë e cila do ndërmerrte hetime më të thella dhe më përfshirëse është më se e vonuar.

Kosovarët gjithashtu po i shkaktojnë dëme politike vetes nga paaftësia për të formuar një qeveri të gjerë koalicioni e cila do përballet me kërcënimet në rritje përpara shtetit të ri. Kjo nuk është koha për të debatuar mbi interpretimet e kushtetutës ose legjitimitetin e qeverisë, pasi kjo është në avantazh të forcave të jashtme që mundohen të provojnë se Kosova është një shtet i dështuar. Kosova ose ka nevojë për një qeveri më gjithëpërfshirëse me një mbështetje më të gjerë parlamentare ose zgjedhje të reja që do t’i jepnin legjitimitet të përtërirë institucioneve shtetërore.

Kryeministri Avduallah Hoti mund të përfshinte ose Partinë Demokratike të Kosovës ose Vetëvendosjen në koalicion, duke bërë thirrje për një front kombëtar në periudhë vështirësie. Nëse Thaçi dorëhiqet me të vërtetë, parlamentit gjithashtu do t’i duhet të zgjedhë një president të ri ose të përballet me zgjedhje të reja të përgjithshme. Zgjedhjet do të jenë copëtuese dhe konfliktuale, pikërisht në një kohë kur Kosovës i duhet stabilitet politik dhe shoqëror.

Momenti i akuzës ndaj Thaçit ngriti dyshimet se zyrtarët e BE ishin të përfshirë, në mënyrë që ta pengonin atë të kërkonte një marrëveshje në Uashington, nga frika se kjo mund të bllokonte hetimin e mëtejshëm të krimeve të luftës. Brukseli gjithashtu mund të ketë qenë i shqetësuar se një marrëveshje e mundshme e shkëmbimit territorial e mundësuar nga Shtëpia e Bardhë do të destabilizonte më gjerësisht rajonin. Ka spekulime të tjera se vetë administrata e SHBA-së u pajtua me përhapjen e procedurave të aktakuzës, duke llogaritur se samiti i Uashingtonit do të dështonte, çfarë do të krijonte një imazh të keq për Trump.

Hotit do t’i duhet të udhëheqë delegacionin kosovar në çfarëdo bisedimi të ardhshëm, por atij i duhet të këshillohet imtësisht me koalicionin e tij qeveritar dhe parlamentin përpara se ta bëjë këtë. Dobësia dhe vonesat e qeverisë për rifillimin e bisedimeve do të jenë në interes të Presidentit Vuçiç, i cili ia ka frikën çdo presioni amerikan që Serbia ta njohë Kosovën. Vuçiç u ndihmua nga fitorja e tij e thellë në zgjedhjet e bojkotuar nga opozita dhe nuk ka përballë rezistencë të qenësishme kundër sundimit njëpartiak.

Para vizitës së tij të planifikuar në Uashington, Vuçiç gjithashtu vizitoi Moskën. Putin po mundohet të forcojë pozicionin e Beogradit në bisedime dhe padyshim që ka dhënë udhëzime se si duhet të përballesh me zyrtarët e Trump. Moska parapëlqen të ketë një konflikt të ngrirë dhe ta shndërrojë Kosovën në një shtet të ngrirë. Kjo do të dëmtonte fushatën për njohje ndërkombëtare (të Kosovës) dhe do t’i mundësonte Serbisë të pretendojë se po tregon vullnet të mirë, porse Kosova nuk është partner i besueshëm.

Një (element) kyç i paditur është nëse i dërguari i posaçëm i Trump, Richard Grenell, do të kërkojë të rinisë bisedimet ose thjesht do t’ia transferojë iniciativën BE-së, e cila po planifikon një samit Kosovë-Serbi në Paris, në vijim të këtij muaji. Ai është përpjekur të përqendrohet në çështjet ekonomike dhe të bindë Beogradin dhe Prishtinën të krijojnë një zonë ekonomike speciale. Kjo ide nuk merr parasysh faktin themelor që lidhjet dypalëshe ekonomike nuk mund të shtohen pa siguruar një marrëdhënie simetrike midis Serbisë dhe Kosovës, sipas së cilës të dy palët njohin shtetësinë e njëra-tjetrës. Një zgjidhje e tillë nuk arrihet dot këtë verë.

/Dita

VIDEO bonus:
Loading...