Ballina Kronika Terroristi rus me disa identitete, si u zbulua dhe kush e tradhtoi...

Terroristi rus me disa identitete, si u zbulua dhe kush e tradhtoi “Diegon” në Shqipëri

Shqipëria është vendi tranzit për kalimin e emigrantëve të paligjshëm, por njëkohësisht edhe vendi në të cilin terroristë të ndryshëm kanë pasur qëllimet e tyre, por fatmirësisht pa e çuar në fund misionin.

Ndeshja me Izraelin, ku u tha se do kishte akt terrorist në stadiumin e Shkodrës, ku do luhej sfida mes kombëtares tonë dhe asaj izraelite, arrestimi i terroristit nga Taxhikistani që mbërriti në Shqipëri për të kryer vrasjen e një biznesmeni në mars të këtij viti, dhe për të cilin pak ditë më parë Gjykata mori vendimin për ekstradimin e tij në Gjermani, si dhe arrestimi i një terroristi rus, janë vetëm tre rastet e bëra publike në Shqipëri.

Rruga ballkanike vijon të mbetet linjë e rëndësishme për emigracionin ilegal që shkon drejt Evropës. Fluksi i emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë nëpërmjet kufirit të gjelbër, në jug dhe juglindje të Shqipërisë, ka shënuar rritje.

Rrjete të trafikut njerëzor po përdorin këtë kontingjent për kalime të paligjshme kundrejt përfitimeve financiare, nga kufiri i gjelbër përgjatë lëvizjes në vende të ndryshme, duke iu mundësuar pajisjen me  dokumente false, lehtësi dhe udhëzime për itinerarin, gjë që u vërtetua edhe dy javë më parë nga dokumentari Top Story me dëshmi e prova filmike dhe dokumente shkresore.

Në një raport të Shërbimit Informativ Shtetëror dorëzuar tashmë në Kuvend është e shkruar e zeza në të bardhë se nuk përjashtohet mundësia e shfrytëzimit të kësaj rruge me dokumente false të siguruara nga krimi i organizuar, për infiltrim operativësh terroristë me synim kalim tranzit drejt vendeve perëndimore.

Në këtë raport që i përket aktivitetit të terroristëve për vititn 2019 përmendet rasti i një operativi terrorist të kërkuar nga INTERPOL.

Pavarësisht identiteteve të shumta të përdorura nga operativi, agjencitë ligjzbatuese shqiptare, në bashkëpunim me partnerë rajonalë dhe evropianë, arritën ta identifikonin dhe ndalonin.

Por për cilin bëhet fjalë dhe kush është terroristi?

Bëhet fjalë për shtetasin rus Rasul Visanieviç Mislaev, 34 vjeç, një person i kërkuar si terrorist, i lindur në Rusi dhe që u prezantua përpara stafit të Qendrës Pritëse të Azilantëve me identitetin “Diego”. Vetë stafi dhe punonjësit e policisë kufitare ia kishin vendosur emrin X në dosje, ndërsa njëkohësisht të huaj dhe agjentët e antiterrorit të bindur se bëhej fjalë për një terrorist vazhdonin të komunikonin me ndërkombëtaret dhe t’u kërkonin shenjat e gishtave.

Ajo që e tradhtoi Rasul Mislaev nuk ishte karakteri i tij i çuditshëm apo fakti që qëndronte i mënjanuar nga të tjerët, por e tradhtoi një telefonatë, një telefonate, e cila i çoi autoritet shqiptare në një komunikim të vazhdueshëm me Rusinë, që nga ana e saj konfirmoi se ky shtetas ishte me kartelën “red notice”.

Gjatë intervistës, deklaroi se e quanin Diego dhe donte të udhëtonte për në Itali, ku kishte edhe bashkëshorten. Komunikoi deri në momentin kur gjatë intervistës, është pyetur në gjuhën arabe. Pas kësaj ndërpreu çdo lloj komunikimi. Për shkak të plagëve të konstatuara gjatë kontrollit në trup, ai u veçua si person me risk mes emigrantëve të paligjshëm.

SHISH-i u koordinua me një sërë shërbimesh partnere strategjike dhe evropiane, për identifikimin të këtij personi, të dyshuar si Luftëtar të Huaj Terrosit (LHT). SHISH-i kërkoi vendosjen në “ëatch list” të personit me gjurmët e gishtave dhe gjeneralitetet në dispozicion.

Nisur nga dyshimet e krijuara, nga vetë informacionet që kishte mbledhur SHISH, nga materialet e përftuara nga intervistimet, Drejtoria e Antiterrorit e Policisë Shqiptare ia referoi rastin Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, me arsyetimin se ky shtetas i huaj dyshohej se kishte luftuar me grupet terroriste në zonat e përfshira në konflikte të armatosura Siri/Irak, vepër e dënueshme sipas kodit tonë penal.

Si u identifikua terroristi me disa identitete

Përdorim i dokumenteve false, identiteteve të shumëfishta, ndryshim i pamjes së jashtme, manipulim i lëvizjes dhe shprehje e pakënaqësisë nga trajtimi në kampet e refugjatëve e nxorën zbuluar “Diegon”. Ai u vetëidentifikua si Abd Alsalam Ahmed Al Mousa, lindur më 1979 në Homs, Siri.

Fillimisht ai fliste në disa gjuhë të huaja si anglisht, rusisht, italisht dhe arabisht. Punonjës të SHISH-it në intervistimet së bashku me Policinë janë përgjigjur në arabisht por, nga ky çast personi ndërpreu komunikimin.

Në kontrollin fizik iu konstatuan në trup shenja e plagë të marra nga predha, armë zjarri dhe mjete prerëse. Pasi u soll në ambientet e Qendrës së Mbyllur të Refugjatëve në Tiranë, deklaroi se quhej Diego Darvish, i biri i Adam dhe i Hava, i datëlindjes 15.05.1993, me shtetësi siriane.

Gjatë një intervistimi deklaroi se e quanin Abdurahman Darvish. Gjatë periudhës së qëndrimit në ambientet e mbyllura, u përpoq të krijonte shoqëri me shtetas të huaj kryesisht nga vende si Siria, Iraku, Irani, Pakistani, Maroku Algjeria, etj.

Lidhur me shenjat në trup, shprehej se i kishte bërë vetë gjatë qëndrimit në kampet në Turqi, në shenjë revolte ndaj mosplotësimit të kushteve. Thoshte se nuk kishte motra e vëllezër dhe prindërit i kishin vdekur.

Gjatë qëndrimit në qendrën e izolimit kryente rregullisht ritet fetare islamike, si dhe kujdesej për gjendjen fizike duke kryer vazhdimisht ushtrime gjimnastikore. Nga verifikimet intensive të kryera, rezultoi se i ashtuquajturi Diego në fakt ishte terroristi Rasul Visanievitch Mislaev, lindur në Norilsk (Federata Ruse).

Në Qershor të vitit 2013 Rasul Mislaev është larguar nga Rusia për në Siri, ku i është bashkuar një grupimi ilegal të armatosur, të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri.

Rasul Mislaev ishte shpallur në kërkim nga Interpol Moska, pasi Gjykata me vendim penal të datës 08 prill 2015 kishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për këtë shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë terroriste”, parashikuar nga Kodi Penal rus.

Në shkurt të vitit 2020, agjentë rusë mbërritën në Shqipëri dhe bënë të mundur ekstradimin e rusit Rasul Mislaev për në Rusi, bazuar në të gjitha konventat ndërkombëtare për rastet e personave terroristë.(Shqip)

@tn.lajmelokale
@tetovanews