Ballina Aktualitet Presidenti Thaçi fton Kurtin ta dorëzojë detyrën (VIDEO)

Presidenti Thaçi fton Kurtin ta dorëzojë detyrën (VIDEO)

Pas votimit të qeverisë së re, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga kryetari I Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që të bëjë dorëzimin e detyrës së kryeministrit te Avdullah Hoti.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kurti duhet larguar nga, siç ka thënë ai, uzurpimi i zyrave të qeverisë.

“Gjithashtu kërkohet që Kurti të heqë dorë nga barrikadimi në zyrën e uzurpuar. Barrikadimi i tij që nuk i bën nder as atij e as partisë së tij, as shtetit të Kosovës as demokracisë në Kosovë. Pas shkarkimit ai tanimë po bëhet edhe më qesharak”, ka deklaruar Thaçi, në një konferencë për media.

Me votimin e qeverisë së re, presidenti Thaçi ka thënë se përfaqësuesit legjitimë të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, i kanë dhënë përgjigjen e merituar, siç e quajti ai, ndërmarrjes kriminale të Vetëvendosjes.

Duke folur për qeverinë e re, presidenti Thaçi tha se mirëpret zotimin e kryeministrit Avdullah Hoti për ndërtimin e marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara.

Konferenca e presidentit Thaçi është penguar nga brohoritjet e një grupi qytetarësh që ishin tubuar në sheshin para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Qeveria e Hotit është votuar të mërkurën me 61 vota pro në Kuvendin e Kosovës./rel

VIDEO bonus:
Loading...