Ballina Bota Përhapja e lartë e Covid-19, disa shtete amerikane rivendosin masën e karantinimit

Përhapja e lartë e Covid-19, disa shtete amerikane rivendosin masën e karantinimit

Disa shtete amerikane po rikthejnë masat e kufizimit për të frenuar një valë të re përhapje të virusit pandemik. Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Konetikat iu kërkuan qytetarëve që vijnë nga shtetet ku rastet e Covid-19 po rriten ndjeshëm, që të karantinohen për 14 ditë.

Guvernatorët e këtyre shteteve u bënë bashkë në një konferencë për të theksuar se disa muaj më parë kaluan një ferr të vërtetë dhe se dëshirojnë të shmangin një valë të re infeksioni.

“Këtë po e bëjmë pasi ne kemi punuar shumë për të ulur nivelin e transmetimit të virusit. Nuk dëshirojmë që ai të rritet sepse shumë persona vijnë në këtë rajon dhe ata mund të sjellin infeksionin me vete”, tha Andrew Cuomo.

Qytetarët që udhëtojnë nga Alabama, Arkansas, Arizona, Florida, Karolina e Veriut dhe e Jugut, Teksasi dhe Utah për në këto 3 shtete amerikane do të preken nga masa e karantinimit. Për ata që nuk do të respektojnë këtë vendim do të ketë penalitet financiar nga 1 mijë deri në 5 mijë dollarë, në varësi të shkeljeve që do të kryejnë.

Ndërkohë, disa shtete jugore dhe perëndimore amerikane kanë raportuar numër rekord të rasteve, gjë e cila ka shqetësuar tej mase autoritetet. Deri më tani SHBA numëron më shumë se 2.3 milionë raste me Covid-19 dhe mbi 120 mijë viktima.

Zyrtarët e shëndetësisë shprehen se javët në vijim do të jenë thelbësore sa i përket frenimit të shpërthimeve të reja. Megjithatë Universiteti i Uashingtonit ka bërë një parashikim tepër të zymtë: Deri në tetor, bilanci i viktimave në Shtetet e Bashkuara do të arrijë në 180 mijë ose 146 mijë, nëse 95% e amerikanëve do të mbajnë maska mbrojtëse.

@tn.lajmelokale
@tetovanews