Ballina Aktualitet Lëvizja Besa e nis fushatën në Zajaz të Kërçovës

Lëvizja Besa e nis fushatën në Zajaz të Kërçovës

Me sloganin “Mundemi” sot bartësi i Njësisë zgjedhore gjashtë të koalicionit të udhëhequr nga LSDM, Bilall Kasami e ka filluar fushatën nga Zajazi në Kërçovë.

Në takimin me banorët e Zajazit, Kasami ka thënë se simbolikisht kanë filluar prej atje pasi duan të tregojnë se luftojnë për barazinë në shtet.

“Lëvizja Besa ka dalë në skenën politike si nevojë për ta thyer binomin BDI dhe PDSH të cilët në esencë asgjë nuk kanë ndryshuar nga gjendja e shqiptarëve në vend. Ne kemi hyrë në këtë koalicion pasi besojnë dhe jemi të bindur se do të arrijmë sukses me sloganin tonë ‘Mundemi’. Barazia politike dhe ekonomike në këtë shtet është e mundur”, tha Kasami duke shtuar se përpiqen që fjalët të shndërrohen në vepra.

Ju e dini, shton Kasami se me folklorizma nuk mund të shkohet përpara.

“Sa herë është premtuar autostrada Shkup- Bllacë nga BDI por askund nuk është dhe jo vetëm ajo por edhe shumë projekte tjera ekologjike nuk janë realizuar. Pastaj spitali në Tetovë duhet të jetë klinikë, pasi ajo mezi i plotëson kushtet për spital të thjeshtë. Ne jemi të bindur në fitoren tonë dhe se koalicioni jonë do të fitojë të paktën 61 deputetë dhe do të arrijmë që programin e premtuar ta realizojmë. Të gjithë ata që duan të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme do të duhet të kenë program të qartë, jo vetëm shpërndarje të ministrave dhe drejtorëve, apo tenderëve”, ka thënë Kasami.

Për kërkesën e BDI-së për kryeministër të parë shqiptar, Kasami ka thënë se pas 20 vitesh u është kujtuar për shqiptarët se duhet të jenë të barabartë.

Bashkë me Kasamin ka qenë edhe nënkryetari i degës së Kërçovës, njëherësh kandidat për deputetë në Njësinë zgjedhore gjashtë të këtij koalicioni, Isen Ajdari.

@tn.lajmelokale
@tetovanews