Ballina Aktualitet Kush është Avdullah Hoti?

Kush është Avdullah Hoti?

Avdullah Hoti është bërë kryeministri i tetë që nga mbarimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999.

I lindur në vitin 1976, në një fshat në afërsi të Rahovecit, Hoti ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

Studimet e Magjistraturës dhe të Doktoratës për ekonomi i ka kryer mes viteve 2001 dhe 2007, në Staffordshire University në Britani të Madhe.

Që nga viti 1998 ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, njëherë si asistent dhe nga viti 2012 si profesor në drejtimet bachelor, master dhe doktoraturë.

Në vitet 2010-2013 ka qenë nënkryetar i Komunës së Prishtinës, derisa kryetar ishte Isa Mustafa.

Në vitin 2014, Hoti është zgjedhur për herë të parë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ai e ka lënë postin e deputetit dhe është bërë ministër i Financave në Qeverinë e udhëhequr nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe miku i tij më i afërt brenda kësaj partie, Isa Mustafa.

Në vitin 2017, ai ka qenë i nominuar për kryeministër në listën zgjedhore, por LDK-ja nuk i ka fituar zgjedhjet dhe partia e tij ka shkuar në opozitë.

Në zgjedhjet e vitit 2019, partia e tij ka dalë e dyta dhe ai ishte personi i dymbëdhjetë më i votuar në zgjedhje.

Për më pak se dy muaj, Hoti ka shërbyer si zëvendëskryeministër në qeverinë e Albin Kurtit.

Ai është shkarkuar nga Kurti, kur partia e Hotit ka udhëhequr me sukses mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë, pas 51 ditësh në pushtet.

Hoti është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Më 3 qershor, 2020, Hoti është zgjedhur kryeministër me 61 vota në Kuvendin e Kosovës që ka 120 deputetë./rel

@tn.lajmelokale
@tetovanews