Ballina Bota Izolimi i Wuhan: Mbyllja e qytetit, çelësi i suksesit të Kinës në...

Izolimi i Wuhan: Mbyllja e qytetit, çelësi i suksesit të Kinës në kontrollin e virusit

Nga Viol Xhafaj

Vendimi i paprecedent i Kinës për të izoluar qytetin e Wuhan në 23 janar ishte mënyra e vetme për të vënë nën kontroll pandeminë COVID-19. Kur koronavirusi shpërtheu në Wuhan, kryeqendra e provincës së Hubei, qeveria kineze u gjet para një sfide të vështirë: si të parandalonte përhapjen e virusit vdekjeprurës në një kohë që gjithë vendi ishte në lëvizje për pushimet e Vitit të Ri Kinez.

Në një përpjekje të paprecedent, pushteti qendror mori vendimin të vërë nën izolim Wuhanin, një mega-qytet me më tepër se 10 milionë banorë. Në orën 10 të mëngjesit të datës 23 janar, u pezulluan të gjitha linjat e transportit publik, autobusë, trena, metro etj., përfshirë këtu edhe linja të transportit ajror, çdo gjë e mbyllur deri në një njoftim të dytë. Banorëve iu kërkua të qëndronin në shtëpi dhe të mos dilnin nga qyteti, përveçse në raste urgjencash.

Izolimi i gjithë qytetit ishte gjithçka veçse një lëvizje e lehtë. Du Bin, ekspert në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë, tha: “Ishte një vendim shumë i vështirë sepse Wuhani është një qytet shumë i madh dhe krejt papritur duhej izoluar i gjithi. Edhe ta shqiptosh fjalën izolim nuk është e lehtë. Ishte shumë e vështirë në të gjitha drejtimet. Dhe vendimi duhej të vinte nga qeveria dhe jo nga ekspertët”.

Vendimi për izolimin e qytetit dhe zonave përreth erdhi direkt nga Presidenti Xi Jinping, i cili dha instruksione të qarta mbi zonat që duheshin bllokuar në mënyrë që të kontrolloheshin hyrje-daljet nga qyteti. Një skuadër mjekësh, nga më të mirët në vend, me në krye ekspertin respirator Zhong Nanshan, u dislokua në Wuhan për 3 ditë me urdhër të qeverisë. Rezultati i investigimit: virusi transmetohet nga njeriu te njeriu. Yuan Guoyong, një tjetër anëtar i ekipit të ekspertëve, tha se u vunë në dijeni për rastin e një pacienti të prekur që kishte infektuar mjekë dhe infermierë të spitalit ku po merrte shërbim: “Na thanë që një pacient i repartit të neurokirurgjisë në një spital të Wuhanit, i infektuar, i kishte transmetuar virusin 14 personave, mjekë dhe infermierë të spitalit. Sapo dëgjuam për këtë rast, u vumë menjëherë në lëvizje. Kjo ndryshoi gjithë panoramën e situatës. Ditën tjetër u nisëm për Pekin për të raportuar pranë autoriteteve”.

Çka ndërlikoi përpjekjet për frenimin e përhapjes së virusit ishte se shpërthimi ndodhi gjatë festimeve të Festivalit të Pranverës, kur ndodh lëvizja më e madhe e njerëzve në planet. Sipas llogarive, gjatë kësaj kohe, 15 milionë njerëz hyjnë e dalin nga Wuhani, që është një nga nyjet kryesore të shpërndarjes së transportit në Kinë. Profesor Zhong, kreu i task forcës së mjekëve, tha se izolimi ishte i domosdoshëm për të parandaluar përhapjen e virusit: “Ne menduam që pushteti qendror duhej të izolonte Wuhanin”.

Kina i klasifikon sëmundjet infektive në 3 kategori, me murtajën dhe kolerën të listuara në kategorinë A të sëmundjeve infektive dhe SARSIN dhe HIV/AIDS dhe sëmundje të tjera, të vlerësuara të kategorisë B. Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë e listoi koronavirusin në kategorinë B.

“Pati edhe një propozim që izolimi të kryhej duke u bazuar në rregullat për infeksionet e kategorisë A. Në këtë mënyrë, sigurohej edhe baza ligjore për izolimin e Wuhanit. Propozimi u aplikua të nesërmen”, tha Zhong.

3 ditë para izolimit, ekipi i mjekëve u kthye në Pekin për të informuar autoritetet mbi situatën në Wuhan, ndërsa Presidenti Xi kërkoi që parandalimi i epidemisë të ishte prioritet, për të siguruar jetët e njerëzve: “Njerëzit janë mbi gjithçka. Do mbrojmë jetën dhe shëndetin e tyre me çdo kusht, pavarësisht sfidave dhe kostove që do na dalin para”.

Ndërsa kreu i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë shprehej: “Presidenti Xi Jinping tha diçka që më impresionoi shumë. Ai tha që ne duhet të kemi prioritet shëndetin dhe sigurinë e njerëzve. Sigurisht që ky veprim do të kishte impakt në ekonomi. Gjithësesi, lideri tha që shëndeti dhe siguria e njerëzve janë prioritet, kështu që mendoj që vendimi ishte i duhuri”.

Policia lokale e Wuhanit menjëherë mobilizoi forcat për të përforcuar izolimin. Xie Xianfeng, nga Departamenti i Policisë Rrugore, deklaronte: “Hidhi një sy kësaj harte. Këto janë disa nga unazat hyrëse-dalëse të Wuhanit. Sapo u dha urdhëri për izolimin, menjëherë në çdo pikë u shtuan forcat policore”.

Ndërsa Lei Xinbin, oficer policie, thonte: “Qytetarët e Wuhanit janë heronj. Sapo u dha urdhri për izolim, të gjithë u treguan shumë bashkëpunues me Policinë Rrugore. Rrugët hyrëse dhe dalëse u bllokuan dhe asnjë makinë nuk u pa në rrugë”.

Pasditen e 23 janarit, Wuhani nuk ishte më qyteti i zhurmshëm që ishte dikur. Në rrugë ra heshtja. Kryeinfermierja Zhao Hua thotë: “Kur u ktheva, të gjitha rrugët ishin bosh. Dukej si një qytet fantazmë. Më goditi shumë pasi nuk e kisha imagjinuar kurrë që një qytet aq i zhurmshëm mund të katandisej ashtu”.

Në dy muajt e gjysmë që pasuan, Kina mori masa agresive për të frenuar përhapjen e virusit. Brenda 10 ditësh u ndërtuan dy spitale të rinj. Nga e gjithë Kina, 42 000 mjekë dhe infermierë erdhën për të ndihmuar në Wuhan. Forcat ushtarake u vunë në vijë të parë. Njerëzit gjithashtu bënë sakrifica duke iu bindur urdhërit për të qëndruar në shtëpi. Falë masave dramatike që u morën, Wuhani dhe gjithë provinca e Hubeit arritën të kalojnë një nga periudhat më të vështira dhe të sheshojnë kurbën e virusit në fillim të marsit.

Pasi infektimet e reja u vunë nën kontroll, Kina filloi të lehtësojë masat shtrënguese dhe në 8 prill nxori Wuhanin nga izolimi. Ding Xiangyang, zv/sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Shtetit, tha: “Izolimi i Wuhanit luajti një rol kryesor në luftën kundër shpërthimit të virusit. Ne bllokuam rrugët e transmetimit nga Wuhani dhe Hubei në pjesën tjetër të vendit. Ky ishte një kontribut i madh për Kinën dhe gjithë botën”.

Gjatë muajve të fundit, Kina fitoi një betejë jetike për të mbrojtur Wuhanin dhe Hubein nga virusi pandemik dhe po ashtu regjistroi një sukses në strategjinë për kontrollin mbarëkombëtar të tij. Një zyrtar i lartë i OBSH tha se bota është në borxh me banorët e Wuhanit nisur nga sakrificat që këta të fundit bënë për të parandaluar përhapjen e COVID-19. (a2)

@tn.lajmelokale
@tetovanews