Ballina Kultura GJERGJ FISHTA

GJERGJ FISHTA

 Xhelal Zejneli

 Ati françeskan Gjergj Fishta (1871-1940)  është poet, dramaturg, prozator, estet, publicist, pedagog, klerik i lartë, politikan. Drejtoi për një kohë të gjatë shtypin e urdhrit françeskan dhe veprimtarinë kulturore dhe arsimore të këtij urdhri. Është një ndër figurat më të mëdha të letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX. Deri në Luftën e Dytë Botërore u ngrit si poet kombëtar i Shqipërisë, ndërsa pas vitit 1944 ra në harresë që zgjati 46 vjet me radhë.

Lindi më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo de Martino (1830-1923). Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër. Që fëmijë u ndikua nga De Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili i ushqeu dashurinë për letërsinë. Më 1886, kur ishte 15 vjeç, u dërgua nga françeskanët në Bosnjë – në Sutjeskë, Livno dhe Kreshevë ku studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinishten, italishten dhe kroatishten. Me një fjalë, ai përgatitej për karrierë ekleziastike dhe letrare. Atje ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq (1822-1905) dhe me poetin kroat Silvije Strahimir Kranjçeviq (1865-1908), të cilët i zgjuan talentin letrar. Fishta u frymëzua edhe nga shkrimet e e shkrimtarit të hershëm françeskan Andrija Kaçiq-Mioshiq (1704-1760), poet dhe publicist dalmat i periudhës së iluminizmit, po ashtu edhe nga veprat e poetit kroat Ivan Mazhuraniq (1814-1890), autor i poemës epike Vdekja e Smail Aga Çengiqit (Smrt Smail-age Čengića). Fishta njihte edhe krijimet letrare të poetit dhe princit malazez Petar Petroviq Njegosh (1813-1851), autor i poemës epike Kurora e maleve (Gorski vijenac, 1847) në të cilën flitet për qëndresën e Malit të Zi kundër turqve dhe që konsiderohet si epos kombëtar i malazezëve.   

Më 1894 u shugurua prift dhe u pranua në urdhrin françeskan. Po atë vit u kthye në Shqipëri dhe filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 bashkëpunoi me abatin e Mirditës Preng Doçin (1846-1917), me prozatorin dhe priftin Dom Ndoc Nikajn (1864-1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhin (1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare Bashkimi të Shkodrës, e cila i hyri punës për zgjidhjen e çështjes së alfabetit të shqipes.

Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore e publike në Shqipëri, e sidomos në Shkodër. Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës. Zëvendësoi italishten me shqipen, për herë të parë si gjuhë në shkollë. Kjo masë ndikoi për t’i dhënë fund mbisundimit kulturor italian ndër katolikët e Shqipërisë së veriut dhe të rinjve shqiptarë që studionin në këto shkolla, u ushqeu një ndjenjë identiteti kombëtar.

Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Fishta u zgjodh nga Kongresi për të kryesuar komisionin prej 11 delegatësh, që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara.

Në tetor 1913, themeloi të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë. Kjo revistë doli deri në vitin 1944, me ndërprerje në vitet 1915-1920 si dhe në vitet 1925-1929, kur Ahmet Zogu kishte vendosur censurë. Revista ndihmoi për zhvillimin e kulturës së veriut, ashtu si revista Albania e Faik Konicës (1875-1942) në Bruksel dhe në Londër, që kishte ndihmuar për afirmimin e kulturës mbarëshqiptare, përfshi edhe atë të jugut.

Në vitet 1916-1918 Fishta botoi në Shkodër gazetën Posta e Shqypniës, një gazetë politike dhe kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadër të Kultusprotektorat-it.

Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), me Ndre Mjedën (1866-1937) dhe me Mati Logorecin (1867-1941) Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të vendosur lidhur me përdorimin zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Pas disa diskutimeve, Komisia vendosi të përdorej dialekti qendror i Elbasanit, si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare. Fishta shpresonte që koineja shqiptare e veriut të shërbente si normë letrare për mbarë vendin, ashtu si gjuha e Dantes (1265-1321) që kishte shërbyer si udhërrëfyese për italishten letrare. Gjatë këtyre viteve, Fishta dha mësim dhe drejtoi shkollën françeskane në Shkodër, e cila nga viti 1921 u quajt Collegium Illyricum (Kolegji Ilirian) dhe e cila ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut. Tani Fishta ishte edhe një figurë me autoritet në letërsinë shqiptare.

Në gusht të vitit 1919 Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Kryetari i delegacionit, Luigj Bumçi (1872-1945) kërkoi prej tij që në këtë cilësi, të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në ShBA për t’u kujdesur për interesat e Shqipërisë. Atje vizitoi Bostonin, Nju-Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921

Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin e Shqipërisë dhe po atë vit u zgjodh zëvendëskryetar i tij. Më pas mori pjesë në konferencat ballkanike: më 1930 në Athinë, më 1931 në Sofje dhe më 1932 në Bukuresht. Pas kësaj, u tërhoq nga jeta publike, për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta.

Në vitet 1935-1938 mbajti funksionin e provincialit të të gjithë françeskanëve shqiptarë. Këto vite i kaloi i veçuar në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër ku u mor me poezinë e vet. Si poet i shquar i brezit të tij, u nderua me diploma, me çmime e tituj – brenda e jashtë vendit.

Më 1911 mori nga Austro-Hungaria çmimin Ritter Kreuz, më 1925 nga papa Piu XI u dekorua me çmimin Al Merito. Qeveria greke ia dha medaljen prestigjioze Feniks. Urdhri françeskan e nderoi me titullin Lector jubilates honoris causae. Më 1939 u bë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe të Arteve.

Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940. U varros në oborrin e kishës së Gjuhadolit.

Nekrologun e varrimit e mbajti veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe personaliteti i arsimit Aleksander Xhuvani (1880-1961) dhe me atë rast Gjergj Fishtën e krahasoi me poetin antik Tirteun.

Zotnij të ndershëm,

Si vetëtimë u-perhap an’e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zâmadh t’auktorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin’e besën e fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë. E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtû edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit’e Mrrizit të Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare. Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi ndëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj. Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe nji edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij poetik, bukurin’e harmonin’e vargut, rrjedhshmnin’e dlirsin’e stilit e të gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletës attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën. Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën. Na të gjithë lavdimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në kët dhe, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë.

Shkodër 31 dhjetor 1940

 

Pushtetarët e pasluftës, nën akuzën proitalian, i nxorën eshtrat e poetit nga varri dhe urdhëruan hedhjen e tyre në lumin Drin. Lidhur me “fatin” e eshtrave të poetit, është botuar një shkrim në Gazetën Shqiptare, datë 10 prill 2008 që jepet në vazhdim:

Në Kishën e Fretënve Françeskanë zotëron heshtja këtë mesditë. S‘ka kurrfarë lëvizje. Asnjë pipëtime. Zëri ynë kumbon. Hapësira e sallës së madhe plotësohet veç prej stolave të drunjtë, të cilat në kohë meshe me siguri janë të mbushur plot me besimtarë. Është mbresëlënëse arkitektura e kësaj ndërtese. At Vitori, na shoqëron për tek ai vend që shumë kush sot e quan varri simbolik i At Gjergj Fishtës. Ecim drejt tij dhe ndeshim një kryq në mur, një flamur i kuq përbri tij dhe dy pllaka të errëta mermeri në dysheme. “Ky është vorri i Fishtës, – thotë At Vitori, ndërsa na rrëfen historinë e ndërtimit të tij. Historia është e njohur për shumëkënd. Në vitin 1995, aty në atë cep të kishës janë kryer gërmime. Të gjithë e dinin se aty ishte varrosur Fishta, varri i të cilit në vitin 1967 u hap, dhe prej andej u nxorën eshtrat e poetit të madh. Kjo ngjarje përkonte me kthimin e kishës në kinema për qytetin e Shkodrës, dhe në përgjithësi me sulmet e ashpra ndaj çdo subjekti të klerit katolik. Ai që i kishte zhvarrosur eshtrat e poetit në 1967 nuk kishte menduar ta pastronte deri në detajet më të imta varrin. Pjesë të vogla eshtrash dhe dëshmi të tjera kishin mbetur në vend. Në vitin 1995 aty u kryen gërmime, ku u gjendën disa eshtra të poetit. Dëshmi që i kishin rezistuar kohës, janë ende aty poshtë njërës prej pllakave të errëta prej mermeri. Pjesa tjetër e eshtrave? Ajo pjesë e historisë është e zotëruar prej hipotezave. Dje në Gazetë botuam një letër të hapur të studiuesit shkodran, Fritz Radovani, i cili dëshmon mbi një amanet që i kishte lënë në vitin 1980 ish-roja i varrezës së Rëmajt, i quajtur Gjon Gjergji. Në dëshminë e tij, Radovani tregon se si ish-drejtori i Ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema “Punëtori” (ish-Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, i kishte shkruar në shtëpi Gjon Gjergjit një pasdite rreth orës 15:00 dhe pasi e kishte marrë në makinën e tij, ishin drejtuar kah varreza e Rëmajt. Atje, në afërsi të varrit të Motrave Stigmatine, fare branë murit të varrezës pranë një selvie, kishin hapur një gropë të thellë rreth 50-60 cm dhe kishin futur brenda një thes çimentoje me eshtrat e Fishtës. Shyqyri Rrjolli sipas gjasave e kishte kryer këtë veprim në kundërshtim me urdhrin që i kishin dhënë. Ish-roja i varrezës ia ka treguar këtë sekret Fritz Radovanit në vitin 1980, duke iu lutur ta mbante të fshehtë deri kur të vinte momenti i duhur për ta publikuar. Dje, kjo dëshmia e publicistit Radovani u publikua në faqet e “Gazetës Shqiptare”. Ishte pikërisht kjo histori që na solli në Shkodër. Jemi fillimisht këtu, në Kishën e Fretënve Françeskanë, sepse këtu nis historia. Nga biblioteka e Françeskanëve kemi marrë procesverbalin e gërmimeve të vitit 1995, ku jepet me hollësi se ç‘pjesë të eshtrave kishin mbetur në varrin e Fishtës. Pjesa tjetër, e marrë që aty, nëse nuk janë hedhur në lumin Drin, sikurse është besuar deri më sot, duhet të jetë diku në Shkodër.

Sot, një shenjë varri e Fishtës ndodhet në kishën e Fretënve.

*  *  *

KRIJIMTARIA LETRARE

Fishta është autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur me një nga krijimet më mahnitëse të letërsisë shqiptare – Lahutën e malcís, Shkodër 1937. Është një poemë epiko-historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për pavarësi, e në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut të viteve 1858-1913. Kjo kryevepër letrare ishte shkruar midis viteve 1902-1909. Pastaj u ripunua nga autori gjatë një periudhe 30-vjeçare. Konsiderohet si e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore.

Si lindi Lahuta e malcís – Më 1902 Fishta ishte dërguar në një fshat të vogël për të zëvendësuar përkohësisht famullitarin vendor. Atje u njoh me fshatarin e moshuar Marash Uci (vdiq më 1914) nga Hoti, të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje. Marash Uci i rrëfente Fishtës për betejat heroike midis malësorëve shqiptarë dhe malazezë, në veçanti për betejën e famshme në Urën e Rrzhanicës, ku Marash Uci kishte marrë pjesë vetë. Pjesët e para të poemës me titullin Te ura e Rrzhanicës, u botuan në Zarë më 1905 e 1907. U ribotuan të zgjeruara më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Fishta i shkruante këngët e tjera të cilat filloi t’i botonte që nga viti 1921 në revistën që drejtohej prej tij – Hylli i Dritës. Botimi përfundimtar i poemës me 30 këngë dhe 15.563 vargje u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Poema permban 1274 fjalë të rralla.

Verbi (fjala) fishtiane i përcjell notat muzikore të instrumentit të lahutës me përsëritjet e tingujve të fjalëve dhe të strukturave sintaksore; me epitetet, krahasimet, similitutat dhe hiperbolat; me metaforat, simbolet dhe mitemat; me pyetjet dhe përgjigjet, mepyetjet retorikepasthirrmat etj. Poema ka një strukturim të hapur gjuhësor dhe ritmik (aliteracioni, rima, ritmi i këmbyeshëm brenda njësisë metrike dhe ndërmjet vargjeve).

Poema u ribotua në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990 dhe përsëri në Romë më 1991. Lahuta e Malcís është përkthyer në gjermanisht, në italisht dhe në anglisht.

LAHUTA E MALCÍS – Në përmasat e veta historike, poema nis me përleshjet kufitare midis fiseve të Hotit dhe të Grudës dhe fqinjëve po aq të rreptë malazezë – më 1858. Thelbi i veprës (këngët 6-25) u kushtohet ngjarjeve të viteve 1878-1880, që lidhen me Kongresin e Berlinit, i cili i dha toka kufitare shqiptare Malit të Zi. Këtu poeti i këndon edhe Lidhjes së Prizrenit, të krijuar për të mbrojtur interesat e kombit. Këngët e tjera mbulojnë periudhën e Revolucionit të Xhon Turqve, i cili në fillim u ngjalli shpresa nacionalistëve shqiptarë për një farë autonomie. Ka këngë që mbulojnë luftërat ballkanike të viteve 1912 e 1913, që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Lahuta e malcís, me synimin që të bëhej epope kombëtare, e kapërcen stilin baladesk të De Radës dhe tregimin historik të Naimit, duke u derdhur me një vrull epik dhe dramatik. Duke qenë se poema u shkrua për një kohë të gjatë, ajo nuk e ka të njëjtën fuqi në çdo këngë veç e veç, ashtu siç nuk ka dhe një strukturë të lidhur në vazhdimësi. Në variantin përfundimtar, autori krijoi një renditje kronologjike për ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit XIX deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës, më 1913. Në poemë pasqyrohen luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha. Heronjtë e Lahutës janë të shumtë dhe nga ana funksionale janë të ngjashëm në vepër, për arsye se i kanë karakteristikat e heroizmit shqiptar.

Vepra nis me heroizmin e shqiptarëve për të mbrojtur tokat e tyre nga sulmet e malazeziasve, të përqendruara në Shqipërinë e veriut. Ajo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për t’i kapur ndodhitë dhe cilësitë shqiptare. Nga fokusimi i një krahine vepra zgjerohet në tërësinë etnike shqiptare. Nis me trajtimin e burrërisë së një mjedisi për të arritur te koncepti i burrërisë si virtyt kombëtar.

Në këtë mënyrë Lahuta e malcís bëhet vepër për himnizimin e virtyteve të përhershme të shqiptarëve si dhe projekt i idealeve të poetit. Duke u mbështetur në jetën autentike shqiptare, me mjediset reale e fantastike të mendësisë shqiptare si dhe me kërkimin e modelit të shkrimit që mbështetet në letërsinë popullore shqiptare, poema epike e Fishtës synon të ngrihet në nivelin e eposit kombëtar.

Pavarësisht nga fakti se poeti mbështetet në modelet krijuese të letërsisë popullore, Lahuta e malcís është një vepër e kulluar autoriale. Poema përmban tre tipa këngësh:

– këngë historike, si Vranina, Kongresi i Berlinit, Lidhja e Prizrenit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londonit të cilat janë të ngjashme me këngët popullore historike. Në to ngjarjet historike pasqyrohen në kohë;

– këngët kreshnike, ku shpërthimet krijuese imagjinatave shpiejnë te cikli i  kreshnikëve apo te baladat popullore. Në to fantazia krijuese e poetit ndërtohet mbi mitologjinë shqiptare (Orët, Zanat, Dragonjtë);

– këngët autoriale, si Patër Gjoni apo Tringa, ku imagjinata e poetit, edhe kur mbështetet në tekstet e baladave, i shndërron ato në stilin vetanak. Te këto këngë vepron fantazia e autorit, por edhe mendësia e tij që del në vepër në trajtën e porosisë përfundimtare.
Kjo formë e krijimit i prek edhe heronjtë e veprës: përballë Oso Kukës së patrembur, i cili për atdheun në çdo çasst është i gatshëm të flijojë veten, model ky popullor i therorisë shqiptare, shfaqet Abdyl Frashëri – hero i ideologjisë kombëtare, apo Naim beu (Frashëri) – hero i kulturës shqiptare (në këngën origjinale të Patër Gjonit). Shfaqet edhe heroina Tringa, e cila, bashkë me flijimin për atdheun, shpalos një bukuri, dashuri, virgjëri dhe pafajësi, duke u kthyer kështu në një krijesë poetike burimore të Fishtës.

Lahuta e malcís është një vepër epike me një ndërtim të brendshëm dramatik, ku spikatin veprimet, dialogu, përshkrimi i shkurtër dhe gjuha e folur, e cila, duke u kthyer në gjuhë të shkruar, i ruan shenjat e emocioneve të personazheve. Duke iu përmbajtur këtij modeli dhe këtij stili, poeti vë në tekstin e tij format e dendura apo të shkurtra  letërsisë gojore, jo si citat, por si mbindërtim, rëndom më fuqishëm – në trajtën e urimeve dhe të mallkimeve.

Një nga figurat zotëruese të poemës është hiperbola me të cilën poeti përshkruan ngjarjet dhe pamjen fizike të personazheve. Kjo figurë është ndërtuar rëndom duke marrë për bazë krahasimin.

Faqe tronditëse të poemës janë ato ku bashkohen dhe harmonizohen veprimet epike me shpërthimet lirike dhe me lirinë e imagjinatës së autorit, duke krijuar kështu një dramacitet të fuqishëm. Të tilla janë këngët që ndërlidhen me heroinën letrare – Tringën.

Këtu bashkohen idealet e poetit: trimëria dhe atdhetarizmi deri në flijim; bukuria dhenjomësia që rrezatojnë dashuri; pasqyrimi i moralit të femrës shqiptare dhe tragjizmi i saj. Të gjitha këto lidhen në një orkestrim të habitshëm e të magjishëm të natyrës.

Në veprat e tij epike, poeti manifestoi një forcë të madhe lirike, ngase atje kishte mundësi. Vetëm mjedisi shqiptar i krijonte mundësi poetit të shfaqte shpërthimet personale, si karakteristika të lirikës së tij.

Poeti u mbështet në modelin e Këngës së Gjergj Elez Alisë. Në këngën e Fishtës veprimi është invers: i sëmuri (vëllai) vdes dhe mbetet Tringa (motra), e cila mbron nderin, pragun, bukurinë e saj të paprekur, virgjërinë dhe botën poetike të Fishtës. Në këtë mënyrë, ajo i dorëzohet jo vdekjes, por pavdekësisë. Ajo që ndodh më tej me Tringën, është endje e imagjinatës së poetit në botën e mitologjisë shqiptare. Heroina shkon te simotrat e saj – zanat.

Cikli i këngëve për këtë heroinë zbulon mënyrën sesi poeti e ndërton  Lahutën e malcís: ngjarja apo ndodhia reale, me anë të frymëzimit lirik, kalon në shkallën e përgjithësimit dhe të idealizimit. Çdo gjë që është burimore shqiptare ngrihet në nivelin e përjetësisë, si kërkesë morale, jetësore dhe artistike e poetit. Një portretizim të tillë fizik dhe moral të bukurisë me anë të figuracionit popullor, poeti e bën pikërisht te personazhi i Tringës.

Sipas disa studiuesve, kryevepra e Fishtës – Lahuta e malcís, është e papërsëritshme në letërsinë shqiptare. Ajo pasqyron në mënyrë të sistemuar kulturën dhe historinë autentike të shqiptarëve me anë të shprehjeve të pasura gjuhësore, si dëshmi e jetës shqiptare edhe në lëmin e gjuhës.

Vargu i poemës, tetërrokëshi i ngjashëm me vargun më të njohur popullor, ndikoi që poema të fitojë një popullaritet të shpejtë.

Vepra ka një histori të gjatë shkrimi dhe leximi që kanë ndikuar te njëra-tjetra. Këngët e para të poemës autori i botoi si këngë popullore. Por, lexuesi i priti ato më me endje se krijimet e tjera të tij. Me fjalë të tjera, shija e lexuesit, u bë frymëzim shtesë që autori ta vazhdojë dhe ta përfundojë veprën. Mirëpo, Fishta nuk do të ishte i madh, sikur të mos e tejkalonte shijen e kohës. Në këngët popullore, poeti gjeti vetëm modelin e komunikimit, ndërkaq këndvështrimi për qenësinë shqiptare është i vetë poetit.

Në poemën epike, Lahuta e malcís, kemi personazhe historike si: Oso Kuka, Ali Pashë Gucia, Abdyl Frashëri, Marash Uci, Çun Mula, Haxhi Zeka, Pater Gjoni, Bec Patani, Tringa, Dedë Gjon Luli. Fishta na jep edhe figura historike të huaja si: Franc Jozefi i Austro-Hungarisë, Vilhelmi i Gjermanisë, Krajli i Inglizit, Regji i Italisë etj.

Përballë tyre, autori i poemës na jep figurat historike të palës kundërshtare, si: knjaz Nikolla, Mark Milani, Vulo Radoviqi, Mil Spasi, Mehmet Ali Pasha, Abdullah Pashë Dreni, Turgut Pasha; cari i Rusisë, kreu i Francës etj.

Poeti na i jep në poemë edhe figurat mitologjike: Ora e Shqipnisë, Ora e Bardhë e Trojanit, Zana e Durmitorit, Zana e Miliskaut, Zana e Veleçikut, Zana e Madhe, Zana e Frymëzimit, Ora e Durmitorit, dragonjtë, kuçedra etj.

Për poemën mund të nxirren disa konstatime por edhe ca dilema, si:

– Uniteti i poemës duhet gjetur te fryma e kombit e cila ka bashkuar njerëz, fakte dhe ngjarje të Rilindjes deri në pavarësi;

– Mjetet artistike për krijimin e poemës janë marrë, qoftë nga eposi i lashtë shqiptar, qoftë nga tradita homerike;

– Mbështetja e poemës në eposin e lashtë duhet kërkuar në motivet tradicionale që i përshtaten lëndës bashkëkohore, në mendësinë kanunore që i përshtatet më së miri mendësisë bashkëkohore, duke himnizuar besën dhe burrërinë me gjuhën burrërore të Këngëve të kreshnikëve;

– Lidhjen me traditën homerike të Lahutës fishtiane duhet kërkuar në situatat e veçanta të kënduara në poemë me figuracion dhe përmasë homerike;

– Bota mitologjike e poemës duhet studiuar në dukurinë funksionale të saj: zanat dhe qeniet e tjera të mitologjisë sonë (Lugati, Kulçedra, Dragoi etj.) a janë te Fishta me funksionin që kanë hyjnitë te Homeri, ku njerëz, fakte dhe ngjarje shpesh varen prej kapricave të hyjnive;

– Figuracioni, a i ka ato përmasa hiperbolike siç e kërkon epika tradicionale dhe siç e kanë Këngët e kreshnikëve, ku topuzi ngulet 12 pash nën dhé, dhe 12 pash përpjetë ngrihet pluhuri.

 

Parimet nga të cilat u udhëhoq poeti për krijimin e epopesë së shqiptarëve janë njësintezë e poetikës aristoteliane me shkollën romantike të Evropës perëndimore të shekullit XIX. Duke qenë se Fishta bazohet te klasikët greko-romakë, poema epike e tij Lahuta e malcis është vepër neoklasiciste.

Vargu epik i Fishtës këmbehet me pasazhe lirike pa më të voglin kufizim dhe si tablotë rrëqethëse tragjike që mbizotërojnë në vepër, filtrohet në të, një ironi e hollë. Përveç konfliktit shumëpalësh, që herë zgjerohet e herë qendërzohet dhe subjektit të pasur me episode dramatike, në poemë veprojnë edhe qindra personazhe të individualizuara që e shpalosin karakterin e tyre me veprime heroike, përballë kundërshtarëve dhe krahas bashkëluftëtarëve e qenieve mitologjike. Fati i tyre është i përcaktuar historikisht, manipulohet nga mbretër e diplomatë, mbrohet ose braktiset nga Orët e Zanat dhe në çastin e fundit, ndodhet në dorën e vetë atyre, pikërisht si fati i atdheut. Këndej buron ndoshta edhe mesazhi më optimist i eposit fishtian. Mesazhi i poetit është mesazh i krijuesit artistik të frymëzuar nga Zana mitologjike, mesazh i përjetimeve vetjake nga kontaktet me thellësitë e shpirtit njerëzor të një fisi që ka mbetur i pacenuar prej ideologjive të huaja. Ky mesazh optimist vjen si një ndjenjë që përftohet nga skajshmëritë e dhimbjes dhe të krenarisëtë zhgënjimit dhe të kokëfortësisëtë pasionit dhe të stoicizmittë arsyes dhe të instinktittë qytetërimit dhe të primitivizmit.

Trajta tregimtare, e gërshetuar me dialogje të gjata, i mundëson poetit të përcjellë një informacion të gjerë etnografik dhe një dendësi të thellë mendësish kontradiktore. Përshkrimet e dhjetëra betejave me hollësi tronditëse janë tabllo të gjalla, ku vijnë në kontrast ngjyrat natyrore të peizazhit në orë të ndryshme të ditës apo të natës, të ngjeshur me ngjyrën e kuqe të gjakut, që kullon nga kokat e prepra dhe nga baruti i djegur, përzier me kundërmim kufomash kundërshtare. Betejave të individualizuara u paraprijnë kuvendet e trimave, debatet e diplomatëve, prapaskenat e mbretërve, të shfaqurit e qenieve mitologjike, që për nga veprimet dhe gjykimet, me të madhe u ngjajnë njerëzve.

* * *

Lahuta e malcís është poema epike më emocionuese e më e fuqishme e shkruar në gjuhën shqipe. Ajo qëndron mbi të gjitha sprovat e tjera në këtë gjini: nga poema me ndikim persian e Dalip Frashërit Hadikaja (Kopshti) rreth vitit 1842; nga poema epike shiite e Shahin bej Frashrit Myhtar Nameja (Historia e Myhtarit, 1868); nga poema e Jeronim de Radës Scanderbeccu i pafaan, 1872-1884; nga poema me frymë kombëtare e Naim Frashërit Istori’ e Skenderbeut, 1898; nga poema epike shiite po e tij Qerbelaja, 1898; nga poema e mërgimit Te dheu i huaj (1900) e poetit, publicistit dhe folkloristit arbëresh Zef Skiroit (1865-1927) dhe deri te poema Mbi malin e Truntafileve, e poetit arbëresh Frano Krispi Glavjano (1852-1933).

Epoka e poemave bektashiane dhe shiite sipas traditës turko-persiane, kishte marrë fund. Ndërkaq, tema klasike e poemave epike shqiptare, bëmat e heroit kombëtar të qindvjeçarit XV, Skënderbeut, që ishte trajtuar në mënyrë artistike nga Jeronim De Rada dhe nga Naim Frashëri, tani ishte e largët dhe e mjegullt për t’u vënë në qendër të një poeme të qindvjeçarit XX.   

Gjergj Fishta zgjodhi për subjekt të poemës atë që njihte më së miri: kulturën heroike të vendlindjes, të malësisë shqiptare të veriut. Në këtë poemë e cila është një arritje e pashoqe në letrat shqiptare, autori paraqet jetën e fiseve të Shqipërisë së veriut, në përmasa heroike. Fishta në ato vite jetonte mu në burimin e së vetmes shoqëri heroike të pacenuar në Evropë. Ajo çka i mahniste vizituesit dhe etnografët e huaj në Shqipërinë e veriut të këtyre viteve ishte shoqëria e fortë patriarkale e malësisë, një sistem i mbështetur në zakone të trashëguara ndër shekuj nga ligji fisnor, e sidomos nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. Në Lahutën e malcís i kemi të gjitha tiparet dalluese të kësaj shoqërie: zakonet dhe doket e lindjes, të martesës dhe të varrimit, mikpritjen bujare të fiseve, gjakmarrjen dhe besën.

Poema është frymëzuar fuqishëm nga poezia gojore shqiptare, si nga ciklet e poezisë heroike të quajtura Këngë kreshnikësh me ndërtimin e vargut tetërrokësh, ashtu edhe nga ciklet po aq popullore të poezisë historike të shekullit XVIII. Fishta e njihte poezinë gojore të kënduar me lahutë nga fiset malësore të veriut. Rrëfimi në poemë është plot fjalor arkaik të pasur dhe figura ligjërimi të larmishme e të gjalla, që përdoren nga fiset luftëtare malësore të veriut, e që sot nuk janë aq të kuptueshme.

Lidhjet e ngushta me letërsinë gojore janë një tipar i zakonshëm i poemave epike. Megjithëkëtë, disa kritikë e kanë kritikuar Fishtën për folklorizëm dhe për imitim të folklorit, duke shtuar se nuk ia ka dalë të krijojë një poemë të vërtetë epike.

Metri kryesor i poemës është tetërrokëshi trokaik apo shtatërrokëshi, i cili harmonizohet më bukur me poezinë gojore shqiptare sesa heksametri klasik i poemave epike greke e latine. Megjithëkëtë, ndikimi i poemave të mëdha të antikës greke – Iliadës dhe Odisesë të poetit epik grek Homerit (rreth 850 para K.) apo Eneidës të poetit romak – Virgjilit (Publius Virgiliu Mar, 70-19 para K.), sikundër kanë theksuar disa studiues, e sidomos Maksimilian Lamberci (1882-1963) dhe Xhuzepe Gradilone është kudo i pranishëm në Lahutën e Malcís,

Duhet shtuar se Fishta e përktheu në shqip librin e pestë të Iliadës.

Ndër figurat stilistike kryesore që e karakterizojnë Lahutën e malcís janë metafora, aliteracioni dhe asonanca si dhe hiperbola dhe arkaizmat. Tipari kryesor heroik i subjektit është harmonizuar me përshkrimet lirike dhe idilike të bukurisë së natyrës të Alpeve të Shqipërisë së veriut, të cilat i japin poemës një hijeshi poetike.

Poema mbështetet në legjendat dhe në mitologjinë shqiptare dhe është e mbushur me figura mitologjike nga letërsia gojore, të cilat ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Greqisë së lashtë, sodisin ngjarjet dhe në rast nevoje ndërhynë në to. Ndër to janë: zanat, orët, lugetërit, shtrigat dhe dragonjtë.

Me Lahutën e malcís, Fishta arriti të vërtetonte se gjuha shqipe ishte ne gjendje të jepte një epos letrar te përkryer, me po ato përmasa heroike.

Por, Lahuta e malcís nuk u prit me brohori nga të gjithë. Disa studiues, shkrirjen e letërsisë gojore dhe asaj të shkruar, e kanë parë si të pafrytshme. Ka të tillë të cilët këtë poemë epike, mbi një temë vërtete bashkëkohëse, e kanë parë thjeshtë si një anakronizëm në shekullin XX. Ka shkrimtarë të cilët e kanë nënçmuar Lahutën e malcís si një “poemë të gjatë monotone, një kronikë sterile, e cila duke qenë veç të tjerash, moralizuese dhe didaktike, ngjante me epet e Veriut aq sa ç’mund të ngjante ujët e distiluar me ujëvarat e bjeshkëve.”

*  *  *

Edhe pse Fishta përmendet kryesisht si poet epik, arritjet e tij si poet lirik dhe satirik janë po aq të vlefshme sa ato në gjini të tjera. Shumë studiues, poezinë e tij lirike e  vlerësojnë më lartë. Vepra e parë e tij me poezi lirike Vierrsha i pershpirteshem t’kthyem shcyp, Shkodër 1906, përmban krijime me frymëzim katolik. Në të kemi përkthime poetësh të mëdhenj italianë si arkadiani Pjetro Metastazio (1698-1782) nga Roma; romancieri e poeti romantik Alesandro Manxoni (1785-1873) nga Milano; atdhetari Silvio Peliko (1769-1845) nga Torino; liriku dhe historiani i letërsisë Xhakomo Xanela (1820-1888) nga Viçenca.

Përmbledhja e parë e Fishtës me lirika origjinale doli me titullin Pika voëset, Zarë 1909, kushtuar bashkëkohësit të tij Luigj Gurakuqit (1879-1925).

Pason botimi i parë i librit Mrrizi i zanave, Shkodër 1913, që përfshin edhe disa poezi fetare nga Pika voëset. Fryma që e përshkon përmbledhjen Mrrizi i zanave është më fort kombëtare se fetare. Karakteri patriotik i saj bie në sy edhe më tepër në botimet e zgjeruara të viteve 1924, 1925 dhe në një botim të fundit post mortem më 1941. Poezi si Shqypnija, Gjuha shqype, Atëdheut, Shqypnia e lirë, Hymni flamurit kombtar, shprehin krenarinë e poetit për historinë e Shqipërisë dhe pavarësinë e re të saj.

Në këtë vëllim është përfshirë edhe melodrama alegorike Shqyptari i gjytetnuem dhe vazhdimi i saj Shqiptarja e gjytetnueme.

Krahas poezisë me tema atdhetare të përqendruara në vëllimin e mësipërm, poezinë e vet me tema fetare Fishta e përmblodhi në vëllimin me 235 faqe Vallja e Parrizit, Shkodër 1925. Poezitë e kësaj përmbledhjeje si Të kryqzuemit, Të zanun e pafaj të Virgjërës Mri, Nuntsiata dhe Shë Françesku i Asizit, përbëjnë një kulm në letërsinë katolike në Shqipëri.

*  *  *

Fishta ishte mjeshtër i poezisë satirike me të cilën qortoi cenet, sjelljet dhe plogështinë intelektuale të bashkëvendësve të vet. Ai nuk e kishte ironinë dashamirëse dhe këshilluese të Çajupit, por satirën therëse e djegëse, shpesh të pamëshirshme, një ekuivalent ky në poezi, i prozës satirike therëse të Faik Konicës. Fishta kishte botuar mjaft poezi të tilla në revistën Albania me pseduonimin Castigat Ridendo (qorton duke qeshur).

Më 1907 botoi pa vënë emrin e tij përmbledhjen satirike  me 67 faqe Anxat e Parnasit, Sarajevë 1907, e cila hodhi themelet e satirës si gjini poetike në letërsinë shqiptare, e që nga disa kritikë konsiderohet si vepra më e mirë poetike e tij. Përmbledhja satirike e lartpërmendur u ribotua si Anzat e Parnasit, më 1927, 1928, 1942 dhe 1990 dhe i solli autorit shumë miq e armiq.

Satirat e Fishtës janë përfshirë edhe në botimin e Shtëpisë botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2000. Këtu bëjnë pjesë Anzat e Parnasit, f. 9-226, Gomari i Babatasit, f. 229-401; dhe Nikolejda, f. 407-424.  

 Në të parën e satirave të tij, Nakdomonicipedija (Mësim për Nakdo Monicin), ai i drejtohet mikut të tij, shkrimtarit dhe botuesit jezuit Dom Ndoc Nikaj (1864-1951), për t’i shprehur mbështetjen e vet, ngaqë vepra e 416 faqesh e Nikajt – Historia e Shcypniis (Bruksel 1902) nuk ishte pritur me interesim të duhur nga bashkatdhetarët.

Fishta dhe të tjerë krijues të asaj kohe vepronin në një kohë kur shqiptarët qenë shumë indiferentë ndaj historisë së vet dhe ndaj gjendjes së vajtueshme në përgjithësi. Me një fjalë, këta krijues dhe shumë të tjerë të kohës, krijonin në një kohë kur masat popullore ishin të pashkolluara.

Gomari i Babatasit, Shkodër, 1923 është një tjetër përmbledhje me vargje satirike-   humoristike e botuar me pseudonimin Gegë Toska, në kohën kur autori ishte anëtar i  Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë vepër që fitoi popullaritet të madh në kohën e vet, ai godet patriotët e rremë dhe dembelët.

 

KRIJIMET DRAMATIKE – Përpos melodramave të përmendura më sipër Shqyptari i gjytetnuem dhe Shqyptarja e gjytetnueme, Fishta është autor edhe i disa veprave të tjera për teatër. Ai ka përshtatur edhe disa klasikë të huaj, p.sh. I ligu për mend, Shkodër 1931 (komedi në tre akte e komediografit francez të epokës së klasicizmit – Zhan Batist Molierit, 1622-1673) dhe Ifigenija n’Aulli, Shkodër 1931 e poetit tragjik grek Euripidit (485-406 para Krishtit).

Ndër veprat e tjera dramatike që krijoi apo përshtati në një kohë kur dramaturgjia shqiptare ishte në shpërgënj, janë edhe disa pjesë të shkurtra me tema fetare: pjesa me tre akte Barit e Betlemit; Sh’ Françesku i Asisit, Shkodër 1912; tragjedia Juda Makabe, Shkodër 1923; Sh’ Luigji Gonzaga, Shkodër 1927; dhe Jerina ose mbretnesha e luleve, Shkodër 1941.

Duke qenë poet, publicist, pedagog, politikan, drejtues për një kohë të gjatë i shtypit të urdhrit françeskan dhe i veprimtarisë kulturore e arsimore të këtij urdhri, Fishta ishte në të vërtetë një figurë madhore. Prej tij u ndikuan poetët dhe studiuesit françeskanë si Pashko Bardhi (1870-1948), Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), Pal Dodaj (1880-1948), Vinçenc Prennushi (1885-1949), Marin Sirdani (1885-1962), Anton Harapi (1888-1946), Justin Rrota (1889-1964), Bernardin Palaj (1894-1947), Donat Kurti (1903-1969), Benedikt Dema (1904-1960) dhe Gjon Shllaku (1907-1946) si dhe shumë intelektualë të tjerë.

Më 1941, studiuesi i gjuhësisë Prof. Eqrem Çabej (1908-1980) ka dhënë një vlerësim të lartë për veprën e Fishtës: “I rrënjosur thellë në vendin e tij, të cilin e linte vetëm për pak, për t’u kthyer gjithmonë rishtas atje, Fishta fuqitë e tija njerëzore e poetike i thithi prej kësaj toke. Atje te godina e dytë e Kuvendit, që ndodhet jashtë qytetit të Shkodrës, ku pemë të lashta japin një qetësi të ëmbël, atje jetoi jetën e tija dhe përgjoi frymëzimet e qeta të zanave. Ai nuk qe asish shkrimtarësh jo aq të rrallë në Ballkan, të cilët më të shumtën e jetës së tyre e kalojnë nëpër qytete të mëdha të viseve të huaja. Ai qe një nga ato natyra, të cilat ngrihen e rriten dalëngadalë prej qarkut të tyre. Në këtë qe një bir i vërtetë i popullit të tij dhe mu nga kjo rrënjosje te trualli i vet, ai u bë, në një tjetër kuptim sesa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë.

Albanologu austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963), në një shkrim të botuar më 1948, e ka cilësuar Fishtën si “poetin më të talentuar që ka pasur Shqipëria”. Poeti italian Gabriele D’Anuncio (1863-1938) e ka quajtur Fishtën “poeti më i madh i popullit të lavdishëm të Shqipërisë”. Për disa studiues të tjerë Fishta ishte Homeri shqiptar.

*   *   *

Pas vitit 1944, pushtetarët e pasluftës e goditën Fishtën dhe e lanë në harresë. Arsyeja e vërtetë e goditjes së poetit nga pushtetarët komunistë nuk duhet kërkuar në gjoja proitalianizmin e tij. Për Fishtën thanë: “…duke sulmuar shovinizmin e fqinjëve të veriut, propagandonte anti-sllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër pushtuesit osman. Poema epike e tij i ngrinte himn patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit…” Pushtetarët e regjimit komunist urdhëruan zhvarrimin e poetit. Mbetjet mortore të tij ndërkaq, u hodhën në lumë.

Përkundër propagandës partiake kundër Homerit shqiptar, shqiptarët nuk e kishin harruar autorin e Lahutës. Vepra e tij qarkulloi fshehurazi dorë më dorë dhe u lexua ndër breza. Në kohën kur Tirteu shqiptar ishte i ndaluar, shumë intelektualë, vargjet e Lahutës i dinin përmendësh.

Elementi antisllav i veprës së Fishtës theksohet edhe në enciklopedinë sovjetike, ku ndërmjet tjerash thuhet: “Në poemën e tij shoviniste antisllave Lahuta e malcís, ky ngrinte lart ndjenjat armiqësore të shqiptarëve kundër popujve sllavë, duke bërë thirrje për luftë të hapur kundër popujve sllavë”. Enciklopedinë e Madhe Sovjetike, vëllimi 2, Moskë 1950, f. 49.

 Më 1961 revista Shejzat 5, 11-12 botoi numër përkujtimor për 90-vjetorin e lindjes së Gjergj Fishtës. Pas afro gjysmë shekulli, Fishta u përkujtua për herë të parë në Shkodër, më 5 janar 1991.

Me veprën e Fishtës janë marrë shumë studiues: Eqrem Çabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Georg Stadmyller, Ernest Koliqi, Zef Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Anton Berisha, Beqir Musliu, Injac Zamputi, Stefan Çapaliku, Aurel Plasari, Dhimitër Shuteriqi, Vehbi Bala, Tonin Çobani etj.

VIDEO bonus:
Loading...