Ballina Aktualitet Evropa hap një pjesë të mirë të kufijve, por jo për amerikanët

Evropa hap një pjesë të mirë të kufijve, por jo për amerikanët

Evropa po hedh një hap të madh drejt një normaliteti të ri pasi shumë vende po hapin kufijtë për Evropianët pas tre muajsh masash bllokuese për shkak të koronavirusit – por edhe pse evropianët i duan pushimet e tyre verore, nuk është e qartë se sa evropianë janë gati të udhëtojnë përsëri.

Tani për tani, turistët nga Shtetet e Bashkuara, Azia, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme thjesht do të duhet të presin.

Komisionerja e çështjeve të brendshme të Bashkimit Evropian, Ylva Johansson, u tha vendeve anëtare javën e kaluar se “duhet të hapen sa më shpejt të jetë e mundur” dhe sugjeroi se e hëna ishte një datë e përshtatshme.

Shumë vende po veprojnë kështu, duke lejuar udhëtimin nga BE-ja, Britania dhe pjesa tjetër e Evropës që zakonisht lëviz pa pasaporta brenda zonës Shengen, ku përfshihen edhe vende që nuk janë anëtare të BE-së, si Zvicra.

Rihapja e Evropës nuk do të jetë një përsëritje e kaosit të mbylljeve të pakoordinuara të kufirit në muajin mars, të cilat shkaktuan bllokime të trafikut që shtriheshin me kilometra të tëra. Është megjithatë një punë e komplikuar me gërshetim rregullash të ndryshme. Dhe, megjithëse rajonet turistike po mbajnë shpresat tek hapja, shumë evropianë mund të vendosin të qëndrojnë pranë shtëpisë këtë verë.

Kjo është diçka që vendet e varura nga turizmi mesdhetar si Greqia përpiqen ta shmangin. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis pranoi të shtunën se “shumë do të varen nga fakti nëse njerëzit ndjehen të qetë për të udhëtuar dhe nëse ne mund ta projektojmë Greqinë si një destinacion të sigurt”.

Greqia ka theksuar menaxhimin e saj të pandemisë. Në vend pati vetëm 183 vdekje. Në përgjithësi, Evropa ka parë më shumë se 182’000 vdekje të lidhura me virusin këtë vit, sipas një raporti nga Universiteti Johns Hopkins që gjithashtu tregon se Evropa ka pasur 2.04 milionë nga 7.8 milionë infeksione në botë.

Spanja, e cila nuk po u jep fund kufizimeve në udhëtimet e brendshme edhe për një javë dhe e cila do të rifillojë plotësisht turizmin e huaj më 1 korrik. Vendi po lejon mijëra gjermanë të fluturojnë drejt ishujve Balearik për një provë dy-javore duke filluar nga e hëna – duke e pezulluar kështu masën e karantinës 14-ditore për këtë grup.

Kontrollet kufitare në disa vende tashmë janë zhdukur. Italia hapi kufijtë e saj në 3 qershor dhe qytetet në kufirin gjermano-polak festuan në orët e para të së shtunës ndërsa Polonia hapi portat. Në mesnatë, kryetarët e komunave Goerlitz, Gjermani dhe Zgorzelec, Poloni prenë zinxhirët e një gardhi që kishte ndarë dy qytetet.

Gjermania, si Franca dhe të tjerët, po heq të hënën kontrollet e mbetura të kufirit dhe po anullon kriterin që personat që mbërrijnë të dëshmojnë se kanë një arsye të mirë për të hyrë. Po ashtu, vendi po lehtëson një paralajmërim në mbarë botën kundër udhëtimeve jo-thelbësore në vendet e përjashtuara evropiane – përveç ndoshta Finlandës, Norvegjisë dhe Spanjës, ku mbeten kufizimet e udhëtimit, dhe Suedisë, ku niveli i rasteve të reja të të infektuarve me koronavirusin vlerësohet shumë i lartë.

Shumë rajone gjermane kanë paraqitur sërish një kërkesë karantinimi për të ardhurit nga Suedia, strategjia e virusit të së cilës shmangte izolimin, por prodhoi një normë relativisht të lartë të vdekjes.

Autoritetet çeke do t’u kërkojnë udhëtarëve nga Suedia të tregojnë një rezultat negativ të testimit për COVID-19 ose të vetë-karantinohen – së bashku me udhëtarët nga Portugalia dhe rajoni Silesia i Polonisë.

Austria po hapet të martën për vendet fqinje evropiane përveç Spanjës, Portugalisë, Suedisë dhe Britanisë – dhe po mban në fuqi një paralajmërim udhëtimi për rajonin më të goditur të Italisë, Lombardinë. Franca po u kërkon njerëzve nga Britania të vetë-karantinohen për dy javë.

Kohët e fundit Britania prezantoi një kërkesë karantine 14-ditore për shumicën e udhëtarëve që mbërrijnë në vend, duke tronditur kështu sektorët e saj të turizmit dhe aviacionit, të cilët thonë se masa do të dëmtojë shumë nivelin e vizitorëve drejt Britanisë këtë verë.

Danimarka po hapet vetëm për turistët nga Gjermania, Norvegjia dhe Islanda – dhe vetëm nëse ata mund të dëshmojnë se do të qëndrojnë të paktën gjashtë netë. Norvegjia gjithashtu po mban mbyllur kufirin e saj të gjatë tokësor me Suedinë.

“E kuptoj se ky është një zhgënjim i madh. Por kufizimet bazohen në kritere objektive që janë të njëjta për të gjithë”, tha Kryeministrja norvegjeze Erna Solberg. “Nëse hapemi shumë shpejt, infeksioni mund të dalë jashtë kontrollit.”

Me fluturimet ajrore që po shtohen vetëm gradualisht, nervozizmi për valë të reja infeksioni jashtë vendit, pasiguri në lidhje me distancimin social në vendet turistike dhe shumë njerëz që përballen me papunësi ose ulje pagash, kjo mund të jetë një verë e mirë për turizmin vendas.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kancelari austriak Sebastian Kurz po planifikojnë të pushojnë në vendet e tyre këtë vit.

“Rekomandimi është akoma, nëse doni të jeni vërtet të sigurtë, t’i bëni pushimet në Austri,” i tha Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg televizionit ORF, duke kujtuar përpjekjet në mars për të kthyer në atdhe mijëra turistë ndërsa kufijtë u mbyllën. “Në Austri, ju e dini se nuk duhet të kaloni një kufi nëse doni të ktheheni në shtëpi, dhe ju e njihni mirë infrastrukturën dhe sistemin shëndetësor”.

Qeveria gjermane, e cila ndihmoi me fluturimet ajrore për të kthyer në shtëpi 240, 000 njerëz ndërsa pandemia rritej vazhdimisht, gjithashtu nuk ka dëshirë të përsërisë atë përvojë.

“Apeli im për të gjithë ata që udhëtojnë: Shijoni pushimet tuaja verore – por shijojeni me kujdes dhe përgjegjësi,” tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas. “Gjatë pushimeve të verës, ne duam të bëjmë të pamundurën që virusi të mos përhapet përsëri në Evropë. “

@tn.lajmelokale
@tetovanews