Ballina Top Lajm ANALIZA: Si do t’i mbijetojë turizmi pandemisë

ANALIZA: Si do t’i mbijetojë turizmi pandemisë

Aventurat e huaja, eksplorimi dhe hedonizmi janë në pritje. Ato do të rikthehen

Turizmi është forma më popullore dhe më pak polemike e globalizmit. Për ata që udhëtojnë jashtë, ai premton shumëllojshmëri të pafundme kënaqësish, që nga admirimi i veprave të Ticianit në Venecia, deri tek shijimi i “Piña colada” në Goa. Vendet që i presin këta turistë, përfitojnë një sasi të madhe parash, shkruan The Economist.

Industria e turizmit përbën 7% të eksporteve botërore dhe ka hapur 330 milionë vende pune. Por tashmë biznesi ka ndalur. Shitjet e biletave në tempullin e Angkor Wat në Kamboxhia janë ulur me 99.5% në krahasim me vjet dhe në plazhet e Mesdheut, një numër i madh shezllonesh kanë mbetur bosh. Në të gjithë botën, ngrihet një pyetje jetike: çfarë do të ndodhë me pushimet verore? Përgjigjja është se turizmi do të rikthehet – por jo në të njëjtën formë, dhe vetëm nëse njerëzit qaramanë dhe qeveritë nuk e prishin argëtimin.

Gjatë gjysmëshekullit të kaluar, industria e udhëtimeve është rritur më shpejt sesa fatura e një bari në plazh në një pasdite me diell. Në vitin 1970, më pak se 200 milionë njerëz shkuan me pushime jashtë vendit; ndërsa vjet, kjo shifër shkoi në 1.5 miliardë. Rritja e të ardhurave në Kinë është një pjesë e arsyes. Gjithashtu tashmë fluturimet janë më të lira dhe falë lundrimit online, është më e thjeshtë të gjesh pishinën e përsosur në internet – faqja online Expedia rendit plot 1 milion hotele dhe prona.

Rregullat e vizave janë lehtësuar. Një person mesatar në një vend të pasur, mund të udhëtojë në mbi 100 vende pa vizë, krahasuar me 50 gjysmëshekulli më parë, dhe rregullat janë lehtësuar edhe për njerëzit në ekonomitë në zhvillim. Teksa industria ka lulëzuar, kompanitë e vogla dhe punëtorët kanë përfituar nga biznesi i pushimeve. Rreth 80 vende, përfshirë Tanzaninë, Tajlandën dhe Turqinë, mbështeten në turizëm për një të dhjetën, ose më shumë të eksporteve të tyre.

Në sajë të nevojës për valutë të huaj, këto vende janë të dëshpëruara për të siguruar që ky sezon veror të mos iu shpëtojë nga duart. Hotelet janë në pritje për të mbushur dhomat bosh dhe konsumatorët e rinj janë të gatshëm të ndërmarrin rreziqe, siç dëshmojnë plazhet e mbushura në Amerikë, në Ditën e Përkujtimit. Sidoqoftë, duhet treguar kujdes. Duke bashkuar në një vend njerëz nga e gjithë bota, turizmi mund të kthehet në një përhapës vdekjeprurës të virusit. Një bar i vetëm në një vendpushim skish në Austri, mund të ketë shkaktuar përhapjen e sëmundjes në të gjithë Europën, ndërsa kroçierat u kthyen në vende të rrezikshme infektimi. Kjo do të thotë se turizmi në vitet 2020 dhe 2021 do të ketë detyrimisht kufizime.

Njëra taktikë është filtrimi i vizitorëve sipas kombësisë. Qipro planifikon të rihapet më 9 qershor, duke pranuar shumicën e turistëve europianë, por jo ata nga Britania dhe Rusia, dy pika të nxehta të COVID-19. Amerika sapo ka ndaluar ardhjen e vizitorëve nga Brazili. Një tjetër mënyrë është densiteti më i ulët. Brian Chesky, shefi i Airbnb, raporton një rritje të prenotimeve për banesat jashtë qytetit. Shkurt pra, numri i turistëve këtë verë do të jetë shumë më i ulët se niveli normal.

E ardhmja

Në periudhën afatgjatë, duke supozuar se do të gjendet një vaksinë, e ardhmja duket më optimiste. Edhe nëse disa konsumatorë mbeten nervozë, industria do të përshtatet. Marriott ka emëruar një këshill pastërtie dhe po prezanton spërkatës dezinfektues elektrostatikë; Airbus po punon për krijimin e banjave pa prekje. Përmirësimi i testimeve do të rrisë besimin e udhëtarëve dhe qeverive se përhapjet e virusit mund të menaxhohen.

Rreziku i madh është se pengesat e përkohshme bëhen të vështira për t’u hequr, për shkak të grindjeve dhe lobimeve. Në fund të prillit, më shumë se 150 shtete mbyllën kufijtë për turistët e huaj. Kufizimet e tanishme përfshijnë karantinat dhe aplikacione gjurmimi të papërshtatshme. Historia na tregon se nuk është realiste po të hamendësojmë se këto rregulla thjesht do të hiqen me kalimin e kohës.

U desh një samit global në vitin 1920 për të vendosur rregulla mbi pasaportat dhe udhëtimet, pasi Lufta Botërore dhe Gripi Spanjoll shkaktuan mbylljen e kufijve – dhe disa europianë perëndimorë duhej të merrnin viza për të shkuar në Amerikë deri në vitin 1991. Që tani, politikat e udhëtimit në Azi kanë shkaktuar tensione. Ndërkohë, disa njerëz mund të kërkojnë që turistët të qëndrojnë larg qyteteve më të bukura, por më të vizituara në botë.

Kjo verë duhet të shfrytëzohet për ta bërë turizmin të funksionojë më mirë. Kjo nënkupton vënien e taksave dhe një planifikim më efektiv për t’u përballur me problemin e mbipopullimit. Dhe teksa ristrukturohen industritë globale të udhëtimit dhe linjave ajrore, ekziston një shans për të shpejtuar vënien në punë të avionëve me emetim të ulët karboni. Nuk duhet të kalojnë me dekada të tëra që bota të rikthehet në nivelet e qarkullimit të lirë që kishte për herë të fundit në janar. Turizmi e bën botën më të pasur dhe më të lumtur. Prandaj, ai duhet të bëjë vetëm një pushim të përkohshëm.

@tn.lajmelokale
@tetovanews