Ballina Aktualitet Presidenti Thaçi fton partitë që ta respektojnë vendimin e Kushtetueses

Presidenti Thaçi fton partitë që ta respektojnë vendimin e Kushtetueses

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ishte i bindur se dekreti i tij për mandatarin për formimin e qeverisë ishte kushtetues.

Presidenti Thaçi ka bërë thirrje që partitë politike të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Presidenti Thaçi ka thënë se duhet formim i shpejtë i qeverisë pasi sipas tij, Kosovën e presin shumë sfida.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj në qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

Ky vendim i Kushtetueses vjen pasi më 30 prill, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Atëbotë, Thaçi tha se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë e saj kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, partisë së dytë të dalë në zgjedhjet e tetorit.

Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar nga ky institucion vlerësim mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Thaçit për Hotin.

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht zbatimin e dekretit të Thaçit për qeverinë e re deri më 29 maj.

VIDEO bonus:
Loading...