Ballina Bota Analiza Fundi i ëndrrës kineze të Europës

Fundi i ëndrrës kineze të Europës

Kriza e COVID-19 ka shkaktuar një debat të ri brenda Europës në lidhje me nevojën për “diversifikim” më të madh të zinxhirit të furnizimit. Pas vitesh të tëra kërkesë për lidhje me të ngushta ekonomike, europianët papritur e kuptojnë se ata janë bërë të varur në mënyrë të rrezikshme nga tregtia dhe investimet kineze.

Nga Mark Leonard

Një ndryshim po ndodh në marrëdhëniet midis Bashkimit Europian dhe Kinës. Kriza e COVID-19 ka shkaktuar një debat të ri brenda Europës në lidhje me nevojën për “diversifikim” më të madh të zinxhirit të furnizimit, dhe për pasojë për një shkëputje nga Kina. Kjo nuk do të jetë e lehtë dhe nuk do të ndodhë shpejt. Por Europa ka braktisur ambicien e saj të mëparshme për një marrëdhënie ekonomike më të ngushtë dypalëshe me Kinën.

Në të kaluarën, kur europianët kërkuan reforma tregtare, ekonomike dhe të politikës së jashtme përballë Kinës, shpresa e tyre ishte gjithnjë të shtonte kontaktin me vendin duke e bërë marrëdhënien më të drejta dhe më reciproke. Qëllimi themelor ishte zgjerimi i tregtisë dypalëshe dhe hapja e tregut kinez për investime europiane. Edhe kur Bashkimi Europian e ashpërsoi qasjen ndaj Kinës, objektivi i tij ishte akoma të thellonte lidhjet ekonomike me vendin. Krijimi i instrumenteve të reja nga ana e BE-së për të kontrolluar investimet dhe zbatimin e masave antitrust u prezantuan si masa për të ardhur keq, por të nevojshme për krijimin e kushteve politike për bashkëpunim më të ngushtë.

Në një raport të publikuar në fillim të këtij muaji, Andrew Small i Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme argumenton se angazhimi i BE-së me Kinën tani e tutje do të ketë një qëllim të ri: të strukturojë marrëdhëniet kino-europiane në një mënyrë që zvogëlojë varësinë e Europës nga tregtia dhe investimet kineze . Konsensusi i ri është se europianët duhet të shkëputen më shumë nga tekat e qeverive të huaja jo të besueshme apo mbizotëruese, qoftë në Pekin apo Uashington.

Ky mendim i ri është i dukshëm në deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së. Për shembull, Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, kohët e fundit u bëri thirrje europianëve që të shkurtojnë dhe diversifikojnë zinxhirët e tyre të furnizimit dhe të marrin në konsideratë zhvendosjen e lidhjeve të tyre tregtare nga Azia në Europën Lindore, Ballkan dhe Afrikë. Me një shënim të ngjashëm, Margrethe Vestager dëshiron të ndryshojë rregullat e ndihmës shtetërore për të mbrojtur kompanitë europiane nga gllabërimi kinez.

Nga ana e tyre, shumica e qeverive europiane nuk donin një ndryshim strategjie. Deri më tani, ata kanë investuar shumë në zhvillimin e një marrëdhënie bashkëpunimi me Kinën; në një nivel praktik, ata janë të dëshpëruar për furnizimet mjekësore të prodhuara nga Kina që të mund të kapërcejnë pandeminë.

Megjithatë, tre faktorë kanë ndryshuar llogaritjen strategjike të Europës. I pari është një ndryshim afatgjatë brenda Kinës. Politika e mëparshme BE-së me Kinën bazohej në të ashtuquajturin bast konvergjence, i cili mendonte se Kina do të bëhej gradualisht një qytetare globale më e përgjegjshme nëse mirëpritej në tregjet dhe institucionet ndërkombëtare globale.

Por ka ndodhur e kundërta. Nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping, Kina është bërë më autoritare. Ndërkohë që shteti kinez ka rritur rolin e tij në ekonomi dhe tregjet kineze janë bërë më pak mikpritëse për kompanitë europiane, politikat e Xi-së – Prodhuar në Kinë, Standardet e Kinës 2035, dhe Nisma një Rrip dhe Rrugë – jo vetëm që kanë detyruar kompanitë europiane të dalin nga tregu kinez, por e kanë eksportuar gjithashtu modelin e Kinës jashtë vendit. Kina nuk është më konkurruese vetëm për një pjesë të prodhimit me vlerë të ulët të shtuar. Ajo po ngjitet shpejt në zinxhirin e vlerës globale dhe po depërton në sektorët që europianët i konsiderojnë si thelbësorë për të ardhmen e tyre ekonomike.

Së dyti, Shtetet e Bashkuara kanë miratuar gjithnjë e më shumë një pamje më të ngathët të Kinës, veçanërisht që kur presidenti amerikan Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë. Para pandemisë, dukej se po zhvillohej një “ndarje” më e gjerë e ekonomive amerikane dhe kineze. Ky ndryshim erdhi mjaft papritmas dhe ishte një tronditje për europianët, të cilët papritmas u deshën të shqetësoheshin në mes të kësaj përballje mes Kinës dhe Amerikës.

Merrni parasysh mënyrën se si shumë shtete europiane po përpiqen të qetësojnë si Kinën ashtu edhe Shtetet e Bashkuara mbi rolin e gjigantit teknologjik kinez Huawei në ndërtimin e rrjeteve europiane 5G. Në teori, skepticizmi i ri i Europës ndaj Kinës duhet të hapte rrugën për bashkëpunim më të ngushtë transatlantik për këtë çështje. Por duke sulmuar Europën me tarifa, sanksione sekondare dhe sulme të tjera të paprovokuara, administrata Trump ka ngatërruar atë që duhej të ishte një zgjedhje e qartë.

Por zhvillimi i tretë (dhe më befasues) ka qenë sjellja e Kinës gjatë pandemisë. Pas krizës globale financiare të vitit 2008, Kina dukej si një fuqi globale e përgjegjshme, duke marrë pjesë në përpjekje të koordinuara stimuluese dhe madje duke blerë euro dhe duke investuar. Jo këtë herë.

Merrni në konsideratë një episod që tregon shumë nga pandemia. Në fillim të këtij viti, kur koronavirusi po qarkullonte nëpër Wuhan, vendet anëtare të BE-së dërguan gati 60 ton pajisje mjekësore në Kinë. Pjesa më e madhe e kësaj vinte nga stoqet strategjike kombëtare, dhe ato u dërguan në mënyrë diskrete, me urdhër të Kinës. Ndryshe nga kjo, kur pandemia mbërriti në Europë, qeveria kineze bëri një shfaqje të madhe duke ofruar “ndihmë” për Europën – shumica e të cilave në të vërtetë erdhën me një çmim.

Më keq akoma, Kina ka përdorur fshehjen e krizës COVID-19 për të ndjekur marrëveshje politike polemike, siç është plani i hekurudhës Beograd-Budapest i financuar nga Kina dhe që u miratua në fshehtësi nga parlamenti i Hungarisë si pjesë e paketës së tij të emergjencës COVID-19. Në mënyrë të ngjashme, Huawei ka qenë i zëshëm duke argumentuar pse kriza justifikon rrjet edhe më të shpejtë 5G. Dhe në Mbretërinë e Bashkuar, një fond kinez kapitali i ndërmarrjeve shtetërore kohët e fundit u përpoq të merrte nën kontroll Imagination Technologies.

Megjithatë, më shqetësuese nga të gjitha ka qenë shfrytëzimi i nevojave shëndetësore nga Kina për të çuar para interesat e veta të vogla politike. Për shembull, zyrtarët kinezë kanë paralajmëruarHolandën se dërgesat e furnizimeve thelbësore mjekësore mund të mbahen në shenjë hakmarrjeje për vendimin e qeverisë holandeze për të ndryshuar emrin e zyrës së saj diplomatike në Tajvan.

Që nga shpërthimi i krizës, BE-ja ka treguar më shumë gatishmëri për të vepruar kundër fushatave dezinformuese kineze dhe ka miratuar masa për të mbrojtur kompanitë e dëshpëruara europiane që të mos blihen nga investitorët kinezë. Por lëvizjet më serioze nuk kanë ardhur akoma. Europianët së shpejti do të fillojnë ta kthejnë në vepra bisedën për “diversifikim”.

Në një mënyrë apo tjetër, ndryshimet strukturore që funksionojnë përmes rendit global mund të kenë prodhuar përfundimisht një debat të ri për Kinën. Por tani që COVID-19 i ka nxjerrë hapur varësitë e Europës dhe synimet e vërteta të Kinës, një zhvendosje strategjike është në zhvillim e sipër.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate.

@tn.lajmelokale
@tetovanews