Ballina Top Lajm E stërvitur si terroriste e ISIS, shqiptarja përfundon në gjyq për akuzën...

E stërvitur si terroriste e ISIS, shqiptarja përfundon në gjyq për akuzën e rëndë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin Special aktakuzën kundër të pandehurës me inicialet D.D., për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Prokuroria Speciale njofton se “e pandehura D.D., më 29.10.2014, me paramendim dhe me dashje, dhe me përgatitje paraprake i është bashkuar organizatës terroriste ISIS në Siri”.

Në aktakuzë thuhet se e pandehura D.D. ,përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit ka lënë territorin e Republikës së Kosovës, duke kaluar në Republikën e Maqedonisë dhe nga Aeroporti i Shkupit, ka vazhduar rrugën në drejtim të Stambollit të Turqisë, më pastaj ka përfunduar në qytetin Sedel Faruk në Siri, ku është pritur nga bashkëshorti i saj B.S., nga Shkupi, luftëtar i ISIS-it.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale bëhet e ditur se e akuzuara ka vepruar në zonat e konfliktit në Siri edhe pas vdekjes së të shoqit, deri në arrestimin e saj nga forcat demokratike siriane, në dhjetor të vitit 2018. Ajo është riatdhesuar në Kosovë në prill të vitit të kaluar.

“E pandehura D.D, është trajnuar për përdorimin e pushkës automatike dhe është angazhuar në pikëpamje logjistike në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake. Po ashtu, e njëjta është financuar nga ISIS për shumën e të hollave nga 100-150 dollarë në muaj, si dhe me pako ushqimore.

Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, pas martesës me personin e quajtur D.S, pjesëtar i ISIS-it, ka qëndruar dhe vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri. Dhe në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë, është arrestuar nga forcat demokratike siriane ku edhe me datë 19.04.2019, e njëjta është riatdhesuar në Kosovë”, thuhet në njoftimin ne Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews