Ballina Bota Analiza ANALIZA: Një dështim lidershipi për të ardhur keq

ANALIZA: Një dështim lidershipi për të ardhur keq

Në kohë krizash, liderët më efikas janë ata që mund të ndërtojnë solidaritet duke edukuar publikun rreth interesave të veta. Për fat të keq, në rastin e COVID-19, liderët e dy ekonomive më të mëdha në botë kanë shkuar në drejtim të kundërt, duke garantuar kështu që kriza do të thellohet edhe më tej.

Nga Joseph S. Nye, Jr.

Lidershipi – aftësia për t’i ndihmuar njerëzit të arrijnë qëllimet e tyre – është absolutisht thelbësor gjatë një krize. Kryeministri britanik Winston Churchill e demonstroi këtë në vitin 1940, ashtu si bëri Nelson Mandela gjatë tranzicionit të Afrikës së Jugut nga aparteidi.

Sipas këtyre standardeve historike, liderët e dy ekonomive më të mëdha në botë kanë dështuar në mënyrë të tmerrshme. Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, të dy fillimisht reaguan ndaj shpërthimit të koronavirusit jo duke informuar dhe edukuar publikun e tyre, por duke e mohuar problemin, gjë e cila mori jetë. Të dy i ridrejtuan energjitë e tyre drejt fajësimit të tjetrit dhe jo drejt gjetjes së zgjidhjeve. Për shkak të dështimeve të tyre, bota mund të ketë humbur dritaren për t’iu përgjigjur krizës me një “moment Sputnik” ose me një “Plan Marshalli për COVID-19”.

Teoricienët e lidershipit bëjnë dallimin midis liderëve “transformues” dhe atyre “transaksional”. Këto të fundit përpiqen t’i menaxhojnë situatat si gjithmonë, kurse të parët përpiqen t’i formësojnë situatat në të cilat ata gjejnë veten.

Sigurisht, liderët transformues jo gjithmonë ia dalin mbanë. Ish-presidenti amerikan George W. Bush u përpoq të rimerrte Lindjen e Mesme duke pushtuar Irakun, me pasoja katastrofike. Ndryshe nga kjo, babai i tij, ish-presidenti George H. W. Bush, kishte një stil më transaksional, por ai kishte gjithashtu aftësitë për të menaxhuar situatën në të cilën bota e gjeti veten pas rënies së komunizmit në Europë. Lufta e Ftohtë përfundoi, Gjermania u ribashkua dhe u kap fort pas Perëndimit dhe nuk pati asnjë të shtënë.

Cilido qoftë stili i tyre, liderët mund të ushtrojnë ndikim të fortë në identitetin e grupit – forca që më shndërron “mua” dhe “ty” në “ne”. Liderët dembelë kanë tendencë të forcojnë status quo-në, shfrytëzuar përçarjet ekzistuese për të mobilizuar mbështetjen për veten e tyre, siç ka bërë Trump. Por liderët efikas transformues mund të kenë një ndikim të gjerë në karakterin moral të një shoqërie. Mandela, për shembull, mund ta kishte identifikuar lehtësisht bazën e tij si afrikano jugorë me ngjyrë, dhe pastaj të kërkonte hakmarrje për dekada të tëra padrejtësi. Përkundrazi, ai punoi pa u lodhur për të zgjeruar identitetin e ndjekësve të tij.

Në mënyrë të ngjashme, pas Luftës së Dytë Botërore – në të cilën Gjermania kishte pushtuar Francën për herë të tretë në 70 vjet – diplomati francez Jean Monnet arriti në përfundimin se hakmarrja thjesht do të riprodhonte tragjedinë. Për ta transformuar situatën, ai hartoi një plan për prodhimin e përbashkët europian të qymyrit dhe çelikut, një marrëveshje që përfundimisht do të evoluonte në Bashkimin Europian.

Këto arritje nuk ishin të pashmangshme. Kur shohim përtej familjeve tona dhe bashkëpunëtorëve më të afërt, zbulojmë se shumica e identiteteve njerëzore janë ato që shkencëtari politik Benedict Anderson i quajti “komunitete të imagjinuara”. Askush nuk ndan drejtpërdrejt përvojën e miliona të tjerëve që i përkasin të njëjtës kombësi. Megjithatë, gjatë një ose dy shekujve të kaluar, kombi ka qenë komuniteti i imagjinuar për të cilin njerëzit kanë qenë të gatshëm të jepnin jetën.

Kërcënimet globale si COVID-19 dhe ndryshimet klimatike, megjithatë, nuk diskriminojnë sipas kombësisë. Në një botë të globalizuar, shumica e njerëzve i përkasin një numri komunitetesh të imagjinuara të mbivendosura – lokale, rajonale, kombëtare, etnike, fetare, profesionale – dhe liderët nuk duhet tí bëjnë thirrje identiteteve më të ngushta për të mobilizuar mbështetje ose solidaritet.

Fillimi i pandemisë COVID-19 përfaqësoi një mundësi për lidershipin transformues. Një lider transformues do ta kishte shpjeguar herët këtë, sepse kriza e natyrës globale, ajo nuk mund të zgjidhet nga një vend që vepron i vetëm. Trump dhe Xi e shkatërruan të dy atë mundësi. Të dy nuk arritën të kuptojnë se ushtrimi i pushtetit mund të ishte bërë një lojë me shuma pozitive. Në vend që të mendonin vetëm për sa i përket pushtetit ndaj të tjerëve, ata mund të kishin menduar për pushtetin bashkë me të tjerët.

Për shumë çështje transnacionale, fuqizimi i të tjerëve mund të ndihmojë një vend si Shtetet e Bashkuara të përmbushë qëllimet e veta. Nëse Kina mund të forcojë sistemin e saj shëndetësor publik ose mund të zvogëlojë gjurmën e saj të karbonit, amerikanët dhe të gjithë të tjerët do të përfitojnë nga kjo. Në një botë të globalizuar, rrjetet janë një burim kryesor i pushtetit. Dhe në një botë gjithnjë e më komplekse, shtetet më të lidhura – ato më të afta për të tërhequr partnerë për përpjekje bashkëpunuese – janë më të fuqishmet.

Ndërkohë që çelësi për sigurinë dhe prosperitetin e ardhshëm të Amerikës qëndron në të mësuarit e rëndësisë së “pushtetit me” si dhe “pushtetit mbi”, performanca e administratës Trump gjatë pandemisë ka qenë dekurajuese. Problemi nuk është slogani “Amerika e para” (çdo vend ve interesat e tij para gjithçkaje). Problemi është se si i Trump i përcakton interesat amerikane. Duke u fokusuar vetëm në përfitimet afatshkurtra, ai i ka kushtuar më pak vëmendje interesave afatgjatë të servirura nga institucionet, aleancat dhe reciprociteti.

Siç është tani, SHBA-ja ka braktisur traditën e saj për të ndjekur interesin vetjak afatgjatë. Por administrata Trump mund t’ia vërë ende veshin mësimeve që përforcuan sukseset e presidentëve amerikanë të pas vitit 1945, të cilët unë i përshkruaj në librin tim të fundit “Do Morals Matter? Presidents and Foreign Policy from FDR to Trump”. Në fakt, SHBA-ja mund të nisë ende një program masiv ndihme për COVID-19 të modeluar sipas Planit Marshall.

Siç argumentoi kohët e fundit Henry Kissinger, liderët e sotëm duhet të zgjedhin një rrugë bashkëpunimi që do të çojë drejt një aftësie ripërtëritëse ndërkombëtare të përmirësuar. Në vend që të përdorë propagandën konkurruese, Trump mund të kërkojë një samit urgjent të G20 ose një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të krijuar kuadro bilaterale dhe shumëpalëshe për bashkëpunim të zgjeruar.

Trump gjithashtu mund të theksojë së valë të reja të COVID-19 do të godasin sidomos vendet e varfra dhe se shpërthimet e reja në jug të globit do t’i dëmtojnë të gjithë kur ato të vërshojnë drejt veriut. Vlen të kujtohet se vala e dytë e pandemisë së gripit të vitit 1918 vrau më shumë njerëz sesa vala e para. Një lider transformues do t’i mësonte publikut amerikan se është në interesin e vet të mobilizojë kontribute bujare për një fond të ri për COVID-19 që është i hapur për të gjitha vendet në zhvillim.

Nëse një Churchill amerikan ose Mandela qenë në gjendje ta edukonin publikun në këtë mënyrë, atëherë pandemia mund të hapë një shteg për një politikë më të mirë botërore. Megjithatë, për fat të keq, mund ta kemi humbur momentin për lidership transformues dhe virusi thjesht mund të përshpejtojë kushtet para-ekzistuese të nacionalizmit populist dhe abuzimeve autoritare të teknologjisë. Dështimet e lidershipit janë gjithmonë për të ardhur keq, por shumë më tepoër kur gjendemi përballë një krize.

Project Syndicate-Birn

@tn.lajmelokale
@tetovanews