Ballina Bota Analiza ANALIZA: Demokracitë janë më të afta në menaxhimin e krizave

ANALIZA: Demokracitë janë më të afta në menaxhimin e krizave

Në një demokraci, një krizë është një provë politike. Një lider duhet të ruajë ose forcojë besimin e publikut, ose të rrezikojë të humbasë në zgjedhjet e ardhshme. Por në një autokraci, një krizë është një kërcënim për legjitimitetin e regjimit. Kjo është arsyeja pse përgjigja zyrtare është aq shpesh mohimi i të vërtetës.

Nga Shlomo Ben-Ami

Kriza COVID-19 është bërë fronti i fundit në përplasjen e përshkallëzuar të ideologjive që është bërë një tipar kryesor i gjeopolitikës vitet e fundit. Përfaqësuese e autoritarizmit është Kina, e cila ka mbrojtur suksesin e strategjisë së saj të izolimit agresiv në frenimin e përhapjes së koronavirusit. Demokracinë e përfaqësojnë një grup i gjerë vendesh, disa prej të cilëve janë përgjigjur shumë më keq se të tjerët. Pra, cili sistem politik është më i përshtatshëm për të menaxhuar krizat?

Nocioni që regjimet autoritare kanë një avantazh mund të jetë joshës. Ndërsa në demokracitë, siç është rasti i Shteteve të Bashkuara, njerëzit mund ta keqkuptojnë lirinë e tyre dhe t’i rezistojnë masave mbrojtëse si mbajtja e maskës, regjimet autoritare mund të imponojnë dhe zbatojnë me lehtësi rregulla që i shërbejnë të mirës publike. Për më tepër, disa kanë argumentuar se Kina përfiton nga tradita konfuciane, me theksin e saj te bindja dhe respektimi i autoritetit, në kontrast me demokracitë perëndimore të cilat theksin e kanë te autonomia individuale dhe pëlqimi për autoritetin.

Qeveria e Kinës është përpjekur t’i  përforcojë këto narrativa, përfshirë edhe duke tallur përgjigjen e ngadaltë në SHBA. Dhe është e vërtetë se një izolim i papritur dhe i rreptë si ai që frenoi përhapjen e mëtejshme të COVID-19 në Wuhan – epiqendra e parë e pandemisë – do të ishte anatemë për amerikanët. Por, kur bëhet fjalë për të vlerësuar aftësinë e sistemeve politike për t’iu përgjigjur krizës, ky krahasim e humb thelbin.

Pikë së pari, demokracitë që mbështesin normat konfuciane – të tilla si Hong Kongu, Japonia, Singapori, Koreja e Jugut dhe Tajvani – e kanë menaxhuar krizën COVID-19 në mënyrë pothuajse po aq efikase sa Kina. Po ashtu kanë bërë edhe disa demokraci pa një traditë konfuciane, përfshirë Australinë, Austrinë, Greqinë, Zelandën e Re dhe Portugalinë. Në fakt, midis vendeve, performanca e të cilave gjatë krizës është vlerësuar si e lartë, shumica dërrmuese janë demokraci.

Ajo që kanë të përbashkët këto demokraci të renditura lart është se liderët e tyre e pranuan shkallën e sfidës, komunikuan me besueshmëri me qytetarët e tyre dhe ndërmorën veprime në kohë. Ndryshe nga kjo, vendet me performancën më të keqe ose u zunë në befasi (Italia dhe Spanja), ose kishin liderë që e vonuan ndërmarrjen e masave (Brazili, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja).

Në një farë mase, edhe dështimi i këtyre të fundit nuk është diçka e re në histori. Siç tregon edhe përfundimi i dy luftërave botërore, demokracitë shpesh kanë qenë të ngadalta për të pranuar kërcënimin e luftës. Megjithatë, pasi e kanë bërë këtë, ato gjithmonë kanë mbizotëruar, falë një kombinimi të veprimit të vendosur dhe besimit të publikut te qeveria.

Është e vërtetë që disa qeveri demokratike në ditët e sotme e kanë humbur besimin e publikut dhe duken të vendosura të mos veprojnë. Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti brazilian Jair Bolsonaro të dy e kanë minimizuar ashpërsinë e virusit dhe kanë kundërshtuar këshillat e ekspertëve, ndërkohë që kanë kënaqur nevojën e tyre narcizistike për t’u dukur si të fortë. Kryeministri britanik Boris Johnson ka shfaqur tendenca të ngjashme.

Por kjo nuk mund të shihet si një grackë e demokracisë, në fund të fundit, gjatë krizës së COVID-19, shumë krerë të qeverive demokratike janë shfaqur si shembuj lidershipi të shkolluar.

Në Zelandën e Re, kryeministrja 39-vjeçare Jacinda Ardern ka folur sinqerisht për kërcënimin që paraqet virusi, i ka bërë thirrje njerëzve për përgjegjësi të përbashkët dhe vuri në zbatim masat e bazuara te shkenca. Aty ka ditët që nuk zbulohet ndonjë rast i ri infektimi.

Në Gjermani, komunikimi i qetë, transparent dhe i besueshëm i kancelares Angela Merkel ka kontribuar në një përgjigje që e ka mbajtur të ulët normën e fatalitetit. Masat e vendosura dhe të marra në kohë nga Mette Frederiksen e Danimarkës, Tsai Ing-ëen e Tajvanit, Erna Solberg e Norvegjisë, Katrín Jakobsdóttir e Islandës dhe Sanna Marin e Finlandës kanë prodhuar rezultate po aq mbresëlënëse, pa u larguar nga parimet demokratike.

Këto lidere kishin besimin e qytetarëve të tyre. (Dikush mund të argumentojë se zgjedhja e një gruaje – në disa raste, një grua shumë e re – pasqyron pjekurinë politike të një vendi dhe besimin themelor te puna e qeverisë.) Dhe përgjigjet e tyre e thelluan këtë.

Ndërkohë, regjimet autoritare varen nga propaganda dhe censura për të ruajtur një prarim të ligjshmërisë, duke e bërë praktikisht të pashmangshme mungesën e besimit në qeveri. Pse do t’i besonte dikush shifrave të COVID-19 të Kinës, kur është raportuar gjerësisht se përgjigjja fillestare e autoriteteve lokale ndaj shpërthimit të virusit u shoqërua me shtypje të informacionit?

Kjo nuk është hera e parë që në Kinë ndodh kjo gjë. Gjatë shpërthimit të SARS në vitin 2003, një mjek u desh të bëhej informator para se qeveria të tregonte të vërtetën për epideminë. Disa vëzhgues të informuar nuk besojnë as statistikat zyrtare të PBB-së së Kinës. Gjithsesi, tani në Kinë duket se po shfaqet një valë e re infeksionesh me COVID-19.

Ekziston gjithashtu një arsye e mirë për të besuar se shpërthimet e virusit në Iran dhe Rusi janë shumë më serioze sesa është raportuar. Pas një sërë gabimesh zyrtare – përfshirë refuzimin fillestar të Kremlinit për ta marrë seriozisht krizën – popullariteti i presidentit rus Vladimir Putin ra në nivelin e tij më të ulët në 20 vitet e tij të pushtetit.

Ndërsa krahasojmë performancën e vendeve gjatë krizës së COVID-19, ekzistojnë edhe faktorë të rëndësishëm që nuk kanë asnjë lidhje me sistemet politike. Vende që kanë përjetuar shpërthime të sëmundjeve infektive në të kaluarën e fundit – të tilla si Kina, Vietnami, Hong Kong, Singapori, Koreja e Jugut dhe Tajvani – përfitojnë nga njohuritë institucionale.

Por edhe këtu, me përjashtim të Vietnamit, demokracitë duket se kanë nxjerrë mësime të vlefshme nga shpërthimet e viruseve në të kaluarën. Përvoja e Koresë së Jugut në vitin 2012 me sindromën e frymëmarrjes së Lindjes së Mesme formësoi përgjigjen e saj ndaj COVID-19, e cila theksoi testimin në shkallë të gjerë. Në ndryshim nga kjo, Kina përsëriti gabimin që ajo bëri me epideminë e SARS, duke u përpjekur ta mbulonte fillimisht shpërthimin e virusit.

Problemi nuk është se Kina nuk e mësoi mësimin e saj, por se ajo nuk mund ta bënte këtë. Në demokraci, një krizë është një provë politike: një lider duhet të ruajë ose forcojë besimin e publikut, ose të rrezikojë të humbasë në zgjedhjet e ardhshme. Por në një autokraci, një krizë është një kërcënim për legjitimitetin e regjimit, për mbijetesën e tij.

Me kaq shumë gjëra në rrezik, një fshehje e së vërtetës do të duket gjithmonë si zgjidhja më e mirë. Të presësh që një qeveri e tillë të përgjigjet ndryshe, siç ka kërkuar Trump nga kinezët, mund të jetë njësoj si të bësh thirrje për ndryshim të regjimit.

 Project Syndicate-Birn

@tn.lajmelokale
@tetovanews