Ballina Bota Analiza Zgjimi i “profetëve të internetit” dhe teoritë e komplotit

Zgjimi i “profetëve të internetit” dhe teoritë e komplotit

Nga Dr. Arber Shtembari*

Që prej fillimit të epidemisë së virusit korona nuk kanë munguar së qarkulluari në internet një mori teorish komplotiste që në thelb kanë të gjitha të njëjtën parullë: «Nuk po na thonë të vërtetën».

Nisur nga ky princip, individë të caktuar në Youtube apo në rrjetet sociale paraqesin atëherë të vërtetat e tyre duke shpjeguar, për shembull, sesi virusi është prodhuar nga shtete të caktuara si armë biologjike, apo se fajin e ka teknologjia 5G.

Të tjerë ndër ta mendojnë se një grup i caktuar njerëzish të përkufizuar në mënyrë anektodike si «elitat botërore», kanë interesa ekonomike pas një krize të tillë sanitare.

Në fakt, historia tregon se në çdo krizë epidemike, njerëzit gjithmonë kërkojnë «përgjigje» dhe shpesh atë e gjejnë duke kërkuar «fajtorë»:  për murtajën në shekullin e XIV u akuzuan hebrenjtë dhe lebrosët; për kolerën në shekullin XIX u treguan me gisht bohemët; për gripin spanjoll në fillim të shekullit të XX u fajësua ushtria gjermane etj.

Sociologu Norbert Elias tregon në punimet e tij sesi epidemitë lënë gjurmë në strukturat psikike kolektive dhe përcaktimi i një fajtori është një prej mënyrave sesi shprehet ankthi dhe paranoja, që përjetohet nga një popull i caktuar.

Brenda këtij kuadri vërejmë se, gjatë shekujve, në kohë krizash sanitare, teoritë konspirative që përcaktojnë fajtorë dhe rreken të shpjegojnë realitetin gjithmonë i kanë pasur velat në pupë. Ashtu si edhe epidemitë, edhe këto «teori» kontaminojnë publikun, por kësaj radhe jo fizikisht, por moralisht.

Kriza e besimit

Pandemitë shkaktojnë jo vetëm një krizë sanitare, ekonomike doemos, por edhe krizë të thellë besimi. Ca më shumë ngjet kështu, kur në këtë hapësirë të pambuluar mirë nga kanalet zyrtare, ndërhyjnë të ashtuquajturit «profetë të internetit»!

Kush janë këta?!

Dihet pak mbi trajektoren e tyre sociale, ndërkohë dihet shumë mbi shfaqjen e tyre në internet. Bëhet fjalë mbi së gjitha për individë që teoritë konspirative i ushqejnë si profeci.

Qasja e këtyre sipërmarrësve moralë mund të konsiderohet si eskatologjike, pasi në këto teori, edhe kur ato janë në konkurencë me njëra-tjetrën, dominon gjithmonë një diskurs mbi fundin e botës apo mbi fundin e kohërave!

Nikola Makiaveli tregon gjendjen shpirtërore të popullit të Firencës gjatë murtajës së 1527: «(në rrugë) dëgjohen vetëm këto fjalë: filani vdiq, fisteku është sëmurë, ky ia ka mbathur, ai tjetri është mbyllur në shtëpi; njëri është në spital, tjetrin po e mbikqyrin; për të tjerë s’ka asnjë lajm.

Këto janë zhurmat që qarkullojnë, dhe, kur e mendon, ato do të sëmurnin edhe Eskulapin vet. Shumica e njerëzve e kalojnë kohën duke kërkuar origjinën e së keqes dhe disa thonë «astrologët na patën paralajmëruar»; të tjerë shtojnë «profetët na e patën thënë».  Në mend na vijnë të gjitha ngjarjet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur; e keqja i faturohet kësaj kohe që jetojmë».

Realiteti që jetojmë na bën të jemi të ndjeshëm ndaj çdo fjale që thuhet apo ndaj çdo shënimi që shkruhet, qoftë ky edhe i karakterit profetik. Dhe s’ka se si të mos ndodhë kështu. Njeriu është i prirur të thithë sa më shumë informacion, por ky informacion mbjell jo vetëm dije, por doemos edhe ndjenja, qofshin këto pozitive apo negative.

Sociologu i njohur Maks Veber thotë se profetët shfaqen sa herë që prodhohen kriza. Sipas tij, profeti është ai që tregon rrugën, pikërisht kur të tjerët heshtin dhe e tregon përmes një diskursi të jashtëzakonshëm: «Alienët drejtojnë botën » apo «teknologjia 5G ka krijuar virusin korona» etj.

Në fakt, suksesi i parë i këtyre «profetëve» në rrjet merr shkak nga liria e fjalës, liri që u lejon të thonë atë që atyre u intereson. Dhe natyrshëm, ata krijojnë pak nga pak atë që synojnë: krijimin e një komuniteti virtual që mbart mesazhe që në rrjet duhet të bëhen «virale»!

Ky krijim i detyrohet jo aq aftësive të tyre «magjike» apo «karizmatike» sesa atij realiteti social që kushtëzohet nga mosnjohja e shkakut të epidemisë dhe përpjekjes për ç’po ndodh.

Nëse mund t’i japim njëfarë krediti këtyre «profetëve», është pikërisht ky, se ata dinë të nuhasin se kur ka një mungesë fjalësh për të shpjeguar një realitet të caktuar.

Sociologu Pjer Burdjë thotë se aty ku ka një krizë gjuhe, krijohet mundësia për të përdorur gjuhën e krizës. Ky është funksioni i parë i mesazhit virtual profetik, shpjegimi i një situate të jashtëzakonshme me një gjuhë të jashtëzakonshme: «bota drejtohet nga reptilianë me gjak të ftohtë», pretendon njëri prej tyre në internet që ka me mijëra ndjekës.

Po t’i dëgjojmë me vëmendje, kuptojmë se narracioni që qaset të shpjegojë shkakun dhe efektet është i thjeshtëzuar deri në atë pikë aq sa mesazhi është fare i pjesshëm, i njëanshëm, por bash për këto arsye ai është menjëherë edhe po aq i kuptueshëm.

Po ashtu, gjatë shpjegimeve nuk ka vend për dyshime apo mendim refleksiv. Dimensioni ideologjik i narracionit bazohet dhe në faktin se publikut i ofrohet vetëm një version i mundshëm. Gjithashtu, observojmë se autorët i propozojnë publikut edhe një ekonomi morale që e mbron atë pikërisht duke e larguar përkohësisht nga rutina e padurueshme e jetës së përditshme.

Për pak kohë, secili harron kushtet socio-ekonomike që ofron jeta tokësore për t’u transportuar për pak minuta në histori me alienë, reptilë, linja gjaku mbretërish të përbetuar, planete misterioze, tokash katrore, tokash me vrimë, civilizimesh hapësinore apo nëntokësore etj.

Historitë shoqërohen me mizanskena filmike apo të animuara kurse gjuha e trupit shoqërohet me sfonde ku imazhe sa të çuditshme, po aq dhe qesharake, kanë për qëllim të shoqërojnë mistikën e mesazhit.

Së fundmi, mesazhi i këtyre profetëve virtualë vjen në formën e një dhurate, pra në një formë të painteresuar që, siç thotë Maks Veberi, përmban një refuzim të dyfishtë:  së pari, konstatojmë refuzimin e monetizimit të «dhuntisë si burim të ardhurash» dhe së dyti, refuzimin simbolik të vetë fjalës profetike. – Një prej këtyre profetëve të internetit, edhe pse pa asnjë formim shkencor, shpjegonte me një seriozitet të admirueshëm sesi shkencëtarët e gjithë botës kanë bërë një diagnostikim të gabuar të virusit korona! dhe u bënte thirrje shikuesve që të mos t’i besonin atij vetë, por të verifikonin vetë faktet që ai bujarisht i ofronte.

Rikthimi në normalitet

Arsyet pse këto «teori» gjejnë një publik gjithmonë e më shumë të interesuar në këto qasje mund të lidhen nga një anë me vetë treguesit socialë të këtyre individëve, ndër ta mund të përmendin kapitalin e ulët ekonomikë dhe kulturorë si dhe statusin e tyre të ulët simbolik në shoqëri.

Gjithashtu, krizat politike të njëpasnjëshme që kanë prekur demokracitë evropiane, kanë ulur nivelin e besueshmërisë jo vetëm tek qeveritë e këtyre vendeve (vendin tonë përfshirë), por edhe nivelin e besueshmërisë tek e gjithë klasa politike dhe tek vet politika.

Ç’do të thotë kriza e kësaj të fundit?

Ajo na thotë që deri tanimë ideja e një të ardhmeje të përbashkët dhe të sigurt nuk ekziston dhe se politika deri tash është kufizuar në projekte afatshkurtra, duke zëvendësuar debatin e natyrshëm në çdo demokraci – me zënka e sherre banale që nuk i interesojnë më publikut.

Pandemia e virusit korona që po kalojmë, zbulon pikërisht ato aspekte të jetës sonë politike dhe sociale që meritojnë një tjetër vëmendje nga autoritetet publike. Ndaj, teksa gjithmonë e më tepër flitet se kur do të rikthehemi tek normaliteti, vlen të shtrohet pyetja: a mos ndoshta përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, na duhet më parë të përkufizojmë pikërisht ç’kuptojmë me rikthim në normalitet?

Sido që të jetë përgjigja mbas reflektimit të kësaj epidemie, që po i shkakton aq shumë dëme njerëzore, Shqipërisë, si mbarë Evropës e botës, le të shpresojmë që problemet e shumta që njohim në sistemin tonë shëndetësor, nuk do të jenë më nesër pjesë e përkufizimit të normalitetit.

*Dr. Arber Shtembari, sociolog, Université de Poitiers, France

VIDEO bonus:
Loading...