Ballina Bota Nju Jorku nuk do të jetë më i njëjti

Nju Jorku nuk do të jetë më i njëjti

Në rrugët e qytetit të Nju Jorkut, lëvizjet janë shumë të pakta. Në Manhatan, ku dikur mezi kaloje edhe natën për shkak të turmës, tashmë shikohen shumë pak njerëz madje edhe gjatë orëve të ditës. Për shkak të koronavirusit, shumë biznese vendase janë mbyllur dhe banorët thonë se Nju Jorku nuk do të jetë më i njëjti.

Bizneset e mbyllura në pjesën perëndimore të qytetit të Nju Jorkut po ndryshojnë pamjen e lagjes. Dyqane si “Sephora” dhe disa kafene i kanë kyçur vitrinat për të zbatuar udhëzimet për distancimin social. Të tjerë kanë vendosur kangjella të çelikta.

Nuk ka shumë trafik në një rrugë që normalisht është tepër e gjallë. Njerëz shumë të paktë mund të shihen të lëvizin, si p.sh. Charles Benson që doli për të shëtitur qenin.

“Kjo ka qenë një lagje tepër aktive edhe kur dilje natën. Tani, del ditën dhe nuk shikon askënd nga rruga numër 85 deri në 95. Nuk shikon askënd. Është një ndjenjë e keqe, pasi Nju Jorku nuk do të jetë më kurrë njësoj. Njerëzit kanë frikë njëri-tjetrin. Njerëzit kanë frikë të bëhen me njëri-tjetrin. Është situatë e keqe…”, thotë zoti Benson.

Shumë biznese vendase, si sallonet e manikyrit, berberanat dhe kafenetë janë mbyllur.

Disa restorante qëndruan të hapura për të ofruar ushqim që mund ta porositësh për ta marrë me vete, ose të ta sjellin në shtëpi.

Guvernatori i shtetit Nju Jork, Andrew Cuomo, urdhëroi mbylljen e të gjitha bizneseve jothelbësore më 22 mars, për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Janë mbyllur të gjitha bizneset. Njerëzit kanë frikë t’i mbajnë hapur. Njerëzit kanë frikë të shkojnë në dyqane. Shumë njerëz do të dëmtohen nga kjo. Dyqanet e vogla, dyqanet e mëdha, familjet e vogla, familjet e mëdha. Është e trishtueshme”, thotë zoti Benson.

Vetëm ushqimoret, farmacitë dhe biznese të tjera thelbësore janë lejuar ta vazhdojnë punën. Aktiviteti i restoranteve dhe kafeneve është i kufizuar vetëm tek dërgesat.

Të paktën 4758 persona kanë humbur jetën në shtetin e Nju Jorkut dhe mbi 130 mijë persona janë konfirmuar të infektuar me koroanvirusin.

VIDEO bonus:
Loading...