Ballina Aktualitet Kurti i shkruan Thaçit: Nuk kemi emër për kryeministër, duam zgjedhje pas...

Kurti i shkruan Thaçit: Nuk kemi emër për kryeministër, duam zgjedhje pas pandemisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, i është drejtuar sërish përmes një letre presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga i cili ka kërkuar që të veprojë sipas Kushtetutës dhe të shpallë zgjedhjet e përgjithshme, pas kalimit të pandemisë së koronavirusit.

Në këtë letër, Kurti sërish ka vënë në pikëpyetje kërkesën e presidentit Thaçi drejtuar Vetëvendosjes, që si fituese e zgjedhjeve të japë një emër të ri për mandatar për formimin e qeverisë.

“Do të jem në pritje të sqarimit tuaj, me shpresën se do të përdorni standardin e njëjtë që po pritni nga unë. Pas përgjigjes suaj, mbase mund ta kem më të qartë arsyen pas këtij insistimi për t’u marrë me çështje dytësore e tretësore, në një kohë kur të gjithë duhet të bashkohemi në luftën kundër armikut të përbashkët – COVID-19 [sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi]”, thuhet në letrën e Kurtit.

Më 15 prill, presidenti Hashim Thaçi, përmes një letre – e katërta me radhë – ka kërkuar nga Kurti që brenda një periudhe të arsyeshme kohore, të propozojë kandidatin për kryeministër për të formuar qeverinë e re.

Që nga votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, më 25 mars, Vetëvendosje ende nuk i është përgjigjur ftesës së presidentit Hashim Thaçi për të dhënë një emër të ri për mandatar për të formuar Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews