Ballina Aktualitet Kosovë Kosovë: 14 të shëruar dhe 23 raste të reja me COVID-19 në...

Kosovë: 14 të shëruar dhe 23 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit

Shtohet numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë me 23 raste të reja duke e çuar në 250, informon Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Po ka edhe një lajm të mirë: janë shëruar 14 pacientë të prekur nga COVID-19, duke e çuar në 52 totalin e të shëruarve.

Sipas IKSHPK deri më 10 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar me metodën RT-PCR, gjithsej 189 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjithsej njëzet e tre (23) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, tetëmbëdhjetë (18) raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare), 2 raste Viti, 1 rast Hani i Elezit, 1 rast Prizren dhe 1 rast Prishtinë.

Gjithashtu sipas IKSHPK-së deri më 10 prill 2020, janë të shëruar edhe katërmbëdhjetë (14) pacientë, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej pesëdhjetë e dy (52).

Nga data 08 shkurt deri më 10 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.876 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e pesëdhjetë (250) me 7 raste të vdekjeje, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar dy rastet e para, deri me 10 prill 2020 gjithsej dyqind e pesëdhjetë (250) raste pozitive të konfirmuara për virusin SARS-CoV-2.

IKSHPK njofton se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i detyruar të vetizolohen dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë shenja të koronavirusit.

Deri ditën e sotme janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.176 kontakte të rasteve.

@tn.lajmelokale
@tetovanews