Ballina Bota COVID-19/ Vazhdon ulja e rritjes ditore në Europë dhe SHBA: Thyhen rekordet...

COVID-19/ Vazhdon ulja e rritjes ditore në Europë dhe SHBA: Thyhen rekordet pozitive të një dite më parë

Prirja më pozitive: koeficienti i transmetimit të sëmundjes si mesatare globale po i afrohet njëshit, me tendence zbritjeje nën një

Gjermania, vendi me numrin më të lartë të të shëruarve ndër shtetet e mëdha, me 72 për qind të të prekurve gjithsej;  ndërsa në Islandë të shëruarit shenjojnë 90 për qind

Ballkani vazhdon të ruajë trendin më pozitiv në treguesin e rritjes ditore të numrit të të sëmurëve dhe në atë të uljes së numrit të të sëmurëve faktikë

Shqipëria përforcon kursin e rikthimit në ritmet optimiste të pritshme për kontrollin dhe përballimin e pandemisë

Sipas parashikimeve të përditësuara të prof. Kacirotit, tek ne konfirmohet nivel i ulët vdekshmërie nga Covid-19 (10 jetë të humbura për një milion banorë); si dhe që faza e pikut dhe ajo e mbylljes së pandemisë  spostohen me 10-14 ditë, për shkak të vatrës së re të Krujës

(Buletin ditor i E-group-it “Në ndjekje të pandemisë” për zhvillimet kryesore të përhapjes dhe trajtimit të sëmundjes së shkaktuar prej Corona-virus-it, për prirjet dhe ndryshimet në treguesit themelorë dhe për prognozat për ditët e javët e ardhshme)

Gjatë ditës së djeshme vazhdoi trendi zbritës i përqindjes së rritjes ditore të numrit të të sëmurëve të rinj në shkallë botërore, në Europë dhe në SHBA. Në gjithë Botën dje u regjistrua rritja ditore më e ulët e këtij treguesi deri më sot, 2.3 për qind. Në Europë rritja u dëshmua me 1.9 për qind, lehtësisht më i ulët krahasuar me ditën e shkuar, ndërsa në SHBA zbriti në 2.35 për qind. Vlen të theksohet se këto nivele rritjeje ditore tregojnë se koeficenti i transmetimit të sëmundjes po i afrohet njëshit me tendence nën një, jo vetëm në Europë, por dhe si mesa tare globale. Ky është një tregues i qartë i mbërritjes në fazën e fillimit të daljes nga piku në nivel botëror.

Rreth 20 vende europiane janë tashmë qartazi në fazën e uljes dhe të mbylljes së pandemisë. Vendi me treguesit më të avancuar ndër shtetet e mëdha të Europës së Perëndimit është Gjermania, ku numri i të shëruarve ndaj të sëmurëve gjithsej sot kapërcen mbi 72 për qind. Ndërsa në Islandë ky tregues është tek 90 për qind, e ndjekur nga Luksemburgu, Austria, Zvicra, Danimarka dhe Finlanda, që e kanë këtë tregues nga 82 deri në 68 për qind.

Rajoni ynë vazhdon të ketë një trend më pozitiv si në rritjen e numrit të të shëruarve, ashtu dhe në nivelin e rritjes ditore të të sëmurëve të rinj, krahasuar me mesataren europiane dhe me rajonet e tjera. Dje ky tregues, referuar rajonit në tërësi, ishte nga 0.5 për qind deri në 2 për qind. Bëjnë dallim Serbia me 2.89 për qind, Bosnje e Hercegovina me 3.2 për qind dhe Bullgaria me 4.8 për qind.

Shqipëria, me të dhënat e vërtetuara gjatë ditës së djeshme, me një shtesë të numrit të të sëmurëve rishtas prej 2 për qind, ka përforcuar kursin e rikthimit në ritmet optimiste të pritshme për rikalimin në fazën e uljes së sëmundshmërisë prej Corona-virus-it. Ky indeks rritjeje u shoqërua me nivele akoma më të moderuara në qendrat kryesore; me frenimin e vatrës së Krujës dhe me vazhdimin e një ritmi të mirë në numrin e të shëruarve në ditë.

http://akad.gov.al/ash/

@tn.lajmelokale
@tetovanews