Ballina Bota Analiza ANALIZA: Si mund të triumfojnë demokracitë mbi pandemitë

ANALIZA: Si mund të triumfojnë demokracitë mbi pandemitë

Ndryshe nga narrativa popullore mediatike, pandemia COVID-19 nuk e ka fuqizuar argumentin pro autoritarizmit të stilit kinez por më shumë i ka dhënë dorë populizmit joliberal. Me qeveri të unitetit kombëtar, demokracitë e botës mund të përballen më mirë me koronavirusin.

Nga Maciej Kisilowski, Anna Wojciuk 

Europa po përjeton një nga krizat më të rënda të saj që nga Lufta e Dytë Botërore. Në përgjigje ndaj pandemisë COVID-19, vendet e Europës duhet të përdorin një mjet klasik të demokracisë për përballje me sfida ekzistenciale: qeveri të unitetit kombëtar të mbështetura nga koalicione të gjera qeverisëse.

Për momentin, shumë vende europiane – në veçanti Franca, Greqia, Italia, Irlanda, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Polonia dhe Republika Çeke – drejtohen nga qeveri që kanë mbështetje të dobët, për shkak të frakturave më të thella sociopolitike. Kërcënimi i ri nga COVID-19 vjen pas një dekade polarizimi të paprecedent politik dhe revoltave populiste nëpër të gjithë kontinentin. Në Poloni, Hungari, Republika Çeke, Sllovaki, dhe (në rrugë e sipër) në Mbretërinë e Bashkuar, populistët anti-estabilishment tashmë drejtojnë qeveritë; në Gjermani, Francë dhe Itali, ata janë komponentë madhorë të opozitës parlamentare.

Ajo që kanë të përbashkët populistët e Europës është bindja se demokracia tradicionale liberale është tepër e dobët dhe me telashe për të menaxhuar sfidat e shekullit të njëzet e një. Modus operandi i tyre është të tallen me rolin e ekspertëve të politikave dhe të mobilizojnë “popullin” kundër intelektualëve dhe elitave të tjera.

Por një krizë e vërtetë po rritet tashmë duke nxjerrë të pavërtetë premtimin populist të zgjidhjeve të thjeshta ndaj problemeve komplekse. Ndërsa pandemia COVID-19 është përshkallëzuar, presidenti i SHBA-së Donald Trump – kryepopulisti i sotëm i botës – e ka nxjerrë veten akoma më budalla se sa zakonisht. Pasi injoroi fillimisht koronavirusin si “mashtrim i ri” demokratësh, ai premtoi se do ta “rihapte” SHBA-në para se të vinin Pashkk ndërsa tani me dëshpërim po përpiqet të veprojë, gjë që ka prodhuar politikëbërje të shkëputur dhe kaotike, shoqëruar me pretendime të pavërteta se ai kuptonte kërcënimin që përbënte pandemia që nga fillimi.

Në Hungari dhe Poloni, qeveritë joliberale kanë vepruar me shpejtësi për të vendosur masa të rrepta të distancimit social, ndërsa me shpejtësi kanë konsoliduar pushtetin e vet. Por kjo sjellje agresive fsheh një ndjesi më të thellë pasigurie. Për shumë vite, këto qeveri kanë konsoliduar pushtetin e tyre duke joshur mbështetësit e vetë nacionalistë, ndërsa kanë injoruar gjendjen e mjerë të sistemeve shëndetësore të vendeve të tyre. Për rrjedhojë, që të dyja vendet janë diku pranë fundit të Indeksit Europian të Konsumit Shëndetësor, ku Polonia renditet e 32-a nga 35 vende ndërsa Hungaria e 33-a.

Por ndërsa ilaçi popullor i fuqisë së autoritaristëve po përballet me një realitet brutal, liberalët e Europës nuk mund t’i lejojnë vetes të vijojnë “punën si zakonisht.” Për shkak të shkallës së shpejtësisë së përhapjes dhe shkallës së lartë të komplikacioneve serioze, COVID-19 sakaq ka vendosur nën presion të lartë edhe vendet më të pasura dhe mirëfunksionuese të Europës. Qeveritë e Europës janë detyruar të bëjnë vendime për jetë a vdekje që do të prekin qindramilionë njerëz në kontinent.

Nëse gjykojmë nga eksperiencat e kohëve të fundit të Kinës, Taivanit dhe Singaporit, këto vendime do të kërkojnë disiplinë të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet e shoqërisë në mënyrë që masat të jenë efikase. Shumica e njerëzve do të duhet të qëndrojnë në shtëpi për javë e ndoshta muaj, por mjekët dhe infermierët do të duhet të vijojnë të shkojnë në punë. Bizneset mes shumë sektorëve do të duhet të mendojnë në mënyrë krijuese mbi si duhet të ruajnë zinxhirët e furnizimit që sakaq janë të dobësuar si dhe operacionet bazë.

Për më tepër, këto sfida do të duhet të zgjidhen kryesisht në nivel kombëtar. Qeverisja shumëpalëshe përmes Bashkimit Europian është e rëndësishme, por janë qeveritë kombëtare që kanë mekanizmat e garantimit të sigurisë dhe mjetet e kërkuara për zbatimin e krizave. Politikanët europianë për rrjedhojë duhet të përdorin mekanizmat e testuara dhe provuara të menaxhimit të krizave: një qeveri e mbështetur nga një bazë politike e zgjeruar.

Qeveritë e mbështetura nga të gjitha partitë politikë nga i gjithë spektri ideologjik kanë një histori të fortë të trajtimit të krizave ekonomike serioze, katastrofa natyrore dhe luftëra. Një shembull klasik është Mbretëria e Bashkuar në vitet 1930 dhe 1940, kur qeveritë e unitetit kombëtar u krijuan gjatë Depresionit të Madh dhe u shtrinë përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Politika partiake u rikthye vetëm në zgjedhjet e vitit 1945. Qeveritë e unitetit kombëtar kanë qenë gjithashtu thelbësore për Izraelin në çastet më të rëndësishme të historisë së trazuar të këtij vendi. Dhe gjatë krizës së eurozonës, qeveri uniteti u krijuan në Greqi dhe Itali.

Qeveritë e unitetit kombëtar përfshijnë një shkallë të jashtëzakonshme ndarjeje të pushtetit, e cila nga ana e vet jep legjitimitet për të ndërmarrë vendime gjithnjë e më të vështira dhe të kushtueshme përballë krizës. Ata munden gjithashtu të shfrytëzojnë një gamë më të gjerë ekspertësh dhe politikanësh me eksperiencë për të arritur vendime më të mira ndërsa struktura shumë-partizane siguron së paku një shkallë mbikëqyrjeje mbi pushtetin ekzekutiv, i cili në mënyrë të pashmangshme do të bëhet më i përqendruar në kontekstin e një emergjence kombëtare.

Në kontekstin aktual politik, pyetja e dukshme që ngrihet nga propozimi ynë është nëse nëse qeveritë e unitetit duhet apo jo të përfshijnë edhe partitë populiste. Në Poloni, Republikën Çeke dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku populistët janë në pushtet, përgjigjja është e thjeshtë: nuk ka mënyrë tjetër për të krijuar një qeveri të tillë. Për më tepër, për opozitën demokratike në këto vende, kërkesa për një qeveri uniteti mund të jetë një alternativë realiste ndaj stilit hungarez të rrëshqitjes drejt diktaturës.

Por edhe në vendet ku qeverisin forcat demokratike, udhëheqësit duhet të peshojnë rreziqet dhe përfitimet për një ftesë të kujdesshme të përfaqësuesve të vetuar të partive populiste në një qeveri uniteti. Zgjidhja e drejtë varet këtu si nga niveli i mbështetjes popullore për partitë populiste dhe nga çështja se sa ekstreme janë këndvështrimet e këtyre partive. Në marrjen e vendimeve, demokratët duhet të mbajnë parasysh se, nëse lihen jashtë qeverisjes, populistët me siguri do të përpiqen të sigurojnë pikë politike nga kritikimi i vendimeve të vështira dhe gabimeve të pashmangshme në një situatë të tillë.

Ndërsa kriza COVID-19 përshkallëzohet, operacionet normale të parlamenteve kombëtare shpejt mund të bllokohen seriozisht. Ka shumë prova nga qarqet akademike që tregojnë se demokracitë mbrojnë më mirë shoqëritë e tyre se sa diktatorët apo autoritaristët, veçanërisht në terma afatgjatë.

Pas një dekade në të cilën ne jemi përqendruar në atë çfarë na ndan ne, politikanët më në fund kanë filluar të theksojnë se në këtë probem ne jemi, shumë drejtpërsëdrejti, bashkë. Por këshillat për unitet kombëtar mund të mbërrijnë deri në një farë pike. Ajo çfarë ne kemi tani është që ta përkthejmë retorikën në realitet.

Project Syndicate-Birn

VIDEO bonus:
Loading...