Ballina Bota SHBA, mbi 9,400 të prekur me koronavirus, të paktën 150 të vdekur

SHBA, mbi 9,400 të prekur me koronavirus, të paktën 150 të vdekur

Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 9,400 njerëz kanë testuar pozitivë për koronavirusin nga mëse 7,000 një ditë më parë. Të paktën 150 kanë vdekur, një rritje prej rreth 40 për qind nga shifrat e publikuara të mërkurën. Sipas të dhënave, 106 janë personat e shëruar.

Disa ekspertë thonë se shifra e të infektuarve mund të jetë shumë më e lartë, pasi testimet që bëhen janë shumë pak.

Shteti i Nju Jorkut testoi gjatë natës 8,000 njerëz për koronavirus, grupi më i madh i të ekzaminuarve deri tani në Shtetet e Bashkuara. Guvernatori Andrew Cuomo tha të enjten se ka të ngjarë që ky testim masiv të çojë në një rritje të ndjeshme të rasteve me koronavirus, pasi të jenë marrë rezultatet.

Më shumë se 3,000 nga numri i përgjithshëm i të konfirmuarve me koronavirus në SHBA janë në shtetin e Nju Jorkut. Numri i vërtetë mund të jetë 10 herë më i lartë se kaq, tha guvernatori.

Ekspertët amerikanë të shëndetësisë druhen se SHBA janë në një trajektore të ngjashme si Italia, vendi më i goditur në Evropë, ku qeveria raportoi një rekord prej 475 vdekjesh vetëm të Mërkurën.

Shefi i emergjencave në një nga spitalet më të mëdha të Nju Jorkut, Dr. Robert Femia, thotë se njerëzit nuk duhet t’i drejtohen menjëherë dhomës së emergjencës me dyshimin e parë se mund të kenë koronavirus:

“Nuk duhet të mendojmë se nëse paraqitemi në dhomën e emergjencës do të testohemi. Ne nuk duam që njerëzit të infektojnë të tjerët, sidomos ata më të ekspozuarit”.

Ai i këshillon njerëzit që së pari të bisedojnë me mjekun me mjete telemjeksore, përmes videos, për të mos i mbingarkuar spitalet, të cilat kanë mungesa të ndjeshme pajisjesh, si respiratorë, për të përballuar koronavirusin. Disa spitale thonë se pajisjet u mjaftojnë vetëm për disa ditë në rast të një mbingarkese.

Qeveria amerikane po përgatitet për një pandemi që mund të zgjasë deri në 18 muaj ose më shumë dhe “të përfshijë disa valë përhapjeje”, tha rrjeti CNN, i cili citonte një raport të ri.

Ndërkohë, dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, Mario Diaz-Balart nga Florida dhe Ben McAdams i shtetit Utah janë ligjvënësit e parë që testuan pozitivisht për koronavirusin.

Mjekët janë në kontakt me ligjvënësit për të gjetur se me cilët njerëz të tjerë brenda selisë së Kongresit kanë kontaktuar ata dhe që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit.

Burimi: VOA

@tn.lajmelokale
@tetovanews