Ballina Aktualitet REPORTAZHI: Epidemia e koronavirusit gjunjëzon biznesin popullor të kafeneve në Shqipëri

REPORTAZHI: Epidemia e koronavirusit gjunjëzon biznesin popullor të kafeneve në Shqipëri

Qepenat e lokaleve dhe restoranteve janë ulur prej 11 Marsit në të gjithë vendin

Rrjeti i lokaleve dhe restoranteve punëson me mijëra njerëz në Shqipëri –të cilët ditët e shtetrrethimit po i përjetojnë edhe me frikën se nuk do të munden të paguajnë qiratë dhe stafin, se nuk do të arrijnë të marrin rrogën apo më keq- se nuk do t’ia dalin të rimëkëmben pas krizës.

Nga Geri Emiri

Deri dy javë më parë, Zonjë Gjoka e niste ditën në 6:00 të mëngjesit dhe kthehej në shtëpi në të ngrysur; ajo pastron çdo ditë një lokal dhe një restorant peshku në dy skajet e Durrësit, për të plotësuar pensionin e saj të vogël.

Por dy bizneset u mbyllën për shkak të emergjencës së koronavirusit, duke e vënë në vështirësi familjen prej 4 anëtarësh të 62-vjeçares.

“Shkova pagova dritat dhe ujin dhe më kanë mbetur vetëm 3 mijë lekë. Nuk e di si do ta shtyj muajin. Ne me datë 15 ose 20 merrnim rrogën, e tani hapim sytë në diell,” tha Gjoka, ndërsa shton se gjendja është më keq se viti 1997.

Lokalet dhe restorantet janë bizneset më popullore në Shqipëri dhe punësojnë çdo vit me mijëra persona. Ato janë gjithashtu ndër të parat aktivitete të mbyllura për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe sektori më i goditur në zinxhirin e biznesve në vend.

Qeveria ka vendosur mbylljen e bareve, restoranteve dhe fast-food-eve deri më 3 prill, por një rikthim i shpejtë i tyre në normalitet duket i largët. Të hënën, Shqipëria numëroi 104 persona të prekur dhe 4 viktima nga koronavirusi –ndërsa të prekurit ditorë u dyfishuan krahasuar me javën e kaluar.

Pronarë lokalesh në Durrës dhe Tiranë si dhe punonjës të këtyre shërbimeve i thanë BIRN në intervista të veçanta se paqartësia mbi kohëzgjatjen e situatës si dhe mbi paketën ekonomike të ofruar nga qeveria e bën të afërt falimentimin e bizneseve të tyre.

Ndërsa pronarët shqetësohen se nuk do të kenë mundësi të paguajnë qiratë dhe stafet e tyre, të punësuarit janë gjithashtu të shqetësuar se nuk do ta marrin pagën për të përballuar karantinën.

Biznesi i vogël në vështirësi të mëdha

Fatmir Aliaj, 53-vjeç ka ulur prej ditësh qepenin e bar-kafesë së vogël përballë Tregut të Madh Industrial në Durrës. Prej 17 vitesh, ky biznes është burimi i të ardhurave për familjen e tij, por situata e krijuar së fundmi e ka vendosur atë përballë dilemave që nënkuptojnë falimentimin.

“Problem në këto ditë janë taksat që duhet të paguajmë, siguracionet apo tatim-fitimi, por shqetësimi më i madh është qiraja e lokalit. Me datë 20 duhej paguar,” thotë Aliaj për BIRN.

53-vjeçari thotë se me mbylljen e biznesit të tij do të mbeteshin pa bukë tre familje.

“Unë kam dhe një të punësuar. Tani mbetem unë pa punë, punëtori dhe qiradhënësi, pra 3 familje mbetemi pa bukë,” parashikon i shqetësuar ai.

Kejsi Suli, 20 vjeç, student për Menaxhim Biznesi dhe kamarier në orët e pasdites në një lokal në rrugën e Kavajës në Tiranës është për momentin i pashqetësuar. Ai i tha BIRN se kompania i kishte informuar se do t’i paguante për ditët e munguara, por Suli i druhet së ardhmes.

“Jetoj me qira dhe ndaj shtëpinë me disa shokë. Për momentin ende nuk kam nisur t’i ndjej vështirësitë e shkëputjes nga puna, sepse ka pak ditë. Por nëse situata shkon gjatë, do të jetë e vështirë të përballoj jetesës për 2-3 muaj pa punë,” tha ai.

Altin Gjeçi, drejtues i Forumit për të Drejtat në Punë dhe kontabilist në profesion i tha BIRN se bizneset e shërbimeve e kanë të pamundur gjatë aktivitetit që  të shmangin 4 kosto themelore; të cilat lidhen me ambientin, pajisjet, furnizimin dhe fondin për burimet njerëzore.

Ai llogarit se bizneset që kanë ulur qepenat humbasin gjithashtu para për shkak mallit gjendje, që mund të prishet apo të skadojë –ndërkohë që pagesa e qirasë është gjithashtu e pashmangshme.

“Duke qenë se nuk dihet se sa do zgjasë kjo periudhë, bizneset vazhdojnë akoma të ruajnë marrëdhëniet me palët e treta, si pagesa e qirasë për ambjentin ku operon,” tha Gjeçi.

Më 19 mars, kryeministri Edi Rama shpalli një plan ekonomik për të mbështetur krizën e shkaktuar nga epidemia e COVID-19, por mungesa e detajeve nuk ka sjellë shumë qetësi.

Ai premtoi 22.5 miliardë lekë borxhe dhe ndihma për popullsinë në nevojë, ndërsa caktoi një fond prej 6.5 miliardë lekësh për mbështetjen e biznesit të vogël dhe shtresave në nevojë –ku përfshihen edhe kafenetë e restorantet.

Alban Isteri, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës thotë se detajet e kësaj mbështetje janë të paqarta për shumicën e bizneseve.

“Paketa e paraqitur nga qeveria është e paqartë për detajet. Na duhet ta shohim në brendësi që të kuptojmë mbështetjen e saj për biznesin dhe të komentojmë ndikimin e saj,” tha Isteri.

Një tërmet i dytë

Restorantet buzë bregdetit të Durrësit janë më të preferuarit për vizitorët e huaj dhe vendas, ku shijojnë gatimet me bazë prodhimet e detit.

“Ne na mban Tirana me punë. Gjatë verës mbahemi me turizmin dhe kryesisht janë turistët italianë, por nuk e dimë si do shkojë ky sezon turistik,” thotë Ilir Sakollari, bashkëpronar prej 14 vitesh i një restoranti në zonën e Vollgës.

Në restorantin e Ilir Sakollarit janë të punësuar 14 persona – shumica familjarë dhe ai është i shqetësuar për pagesat e tyre.

“Jam në dilemë nëse do të mundem t’i paguaj pagat e punonjësve për të gjithë muajin,” thotë sipërmarrësi. “Kemi shpresë tek shteti, por duhet të shohim me detaje programin sepse nuk ishte shumë i detajuar,” shton ai.

Në Durrës, biznesi i restoranteve nisi të rimëkëmbej gjatë ditëve të para të vitit 2020, pas rënies drastike të klientelës pas tërmetit të 26 nëntorit. Mbyllja e plotë për shkak të koronavirusit konsiderohet nga pronarët e tyre një tërmet i dytë, edhe më i keq se i pari.

“Tërmeti na ndikoi goxha pasi kishim punë 30% më pak se sa vitet e tjera, por fatmirësisht nuk patëm dëme,” tha Sakollari.

Por jo të gjitha bizneset patën të njëjtën fat pas lëkundjeve sizmike.

Bardhok Shyti është pronar i një picerie në lagjen 18 të Durrësit, biznes të cilin e ngriti me paratë e fituara në kurbet. Ai u kthye gati 3 vjet më parë dhe bleu një hapësirë në katin e parë të një pallati 10-katësh, duke marrë edhe hua te të afërmit.

“Kisha 3 vjet që e kisha hapur,”kujton 28 vjeçari. “Në vitin e fundit u ngrit puna dhe më pas na i preu krahët tërmeti që ra. Zoti bëftë mirë,” thotë ai, duke iu referuar edhe situatës së koronavorisit.

Pas 17 vitesh në biznes, Fatmir Aliaj është pesimist për rimëkëmbjen e punës në kafenenë e tij.

“E ardhmja është shumë e zymtë sepse unë nuk kam më fuqi të ringrihem në këmbë nëse kjo situatë shkon gjatë,” përfundon Aliaj.

VIDEO bonus:
Loading...