Ballina Bota Para të martës së madhe amerikane: Biden, Bloomberg apo Sanders?

Para të martës së madhe amerikane: Biden, Bloomberg apo Sanders?

Së shpejti mund të jetë më e qartë se kush do të jetë kandidati i demokratëve në SHBA për të sfiduar Donald Trumpin në nëntor. Sidomos në fushata zgjedhore Trump sillet si përfaqësues i një firme që shet dyshekë: gjithçka mirë, produkti im është më fantastik, të tjerët janë dështakë dhe ju shesin mallra pa vlerë. Me fitoren në South Carolina Joe Biden, ish-zëvendësi i Barack Obamës, ka shënuar një kthim triumfal. Të martën do të dihet më shumë, sepse në “Super Tuesday” demokratët në 14 shtete federale vendosin se kujt ia japin kokrrën për betejën e madhe në vjeshtë.

Nga Enver Robelli

“Go, Joe! Go, Joe!” – kështu brohorisnin mbrëmë përkrahësit e Joe Biden në sallën e sporteve të Universitetit të South Carolina. “Ju më ringjallët”, tha Biden. Në garën brendapartiake për emërimin si kandidat i Partisë Demokratike për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka korrur një fitore të jashtëzakonshme, një triumf të madh. Në shtetin South Carolina ai mori gati 50 për qind të votave. Rivali i tij, socialisti Bernie Sanders, fitoi vetëm 19 për qind. Deri më tani Biden nuk kishte arsye për të festuar. Zgjedhjet brendapartiake në Iowa dhe në New Hampshire për të përfunduan keq. Tash, me fitoren në South Carolina, ai ka arritur të rikthehet në garë. Në South Carolina Biden fitoi falë votave të zezakëve. Në vendin e tretë përfundoi sipërmarrësi Tom Steyer. Ai tha se do të tërhiqet nga gara. Ndërsa Pete Buttigieg, Elizabeth Warren dhe Amy Klobuchar thanë se do të vazhdojnë betejën.

Të martën është një ditë e rëndësishme për demokratët. Super Tuesday. Ose: E Marta e Madhe Amerikane. Pasnesër demokratët në 14 shtete federale – mes tyre Kaliforni dhe Texas – zgjedhin 1344 delegatë për Kongresin e partisë. Kjo është një e treta e delegatëve. Super Tuesday, super e marta, mund të jetë vendimtare se cili kandidat do të emërohet për të garuar kundër Donald Trumpit në vjeshtë për postin e presidentit të SHBA-ve.

Në anketat e zhvilluara, në shumicën e 14 shteteve ku do të mbahen zgjedhjet brendapartiake (primaries), printe 78-vjeçari Bernie Sanders, i cili tek së fundi ka pasur një sulm në zemër. Por fitorja e Joe Bidenit në South Carolina mund të ndryshojë garën. Sanders mund të jetë kandidat interesant për të rinjtë ëndërrimtarë e revolucionarë, siç ishte Jeremy Corbin i laburistëve në Britaninë e Madhe, i cili në një ndejë të partisë kishte cituar madje shokun Enver Hoxha. Por as Sanders, as Corbyn nuk arrijnë të mobilizojnë qendrën, atë pjesën e tortës që i jep kah zhvillimeve politike. Në Britaninë e Madhe votuesit e qendrës kanë qenë aq të irrituar me kursin e paqartë të Corbynit sa i përket Brexitit, saqë nga dëshpërimi dhe për t’i dhënë fund dramës së daljes nga BE, kanë votuar Boris Johnsonin.

Megjithatë, Sanders ka një përparësi: krahas të rinjve atë e përkrahin edhe shumë amerikanë me origjinë latinoamerikane. Në Kaliforni hispanikët luajnë rol të rëndësishëm. Ndërsa demokratët e moderuar janë të përçarë, në fund mund t’i buzëqeshë fati Bernie Sandersit, i cili do ta sfidonte Donald Trumpin. Por ka gjasa të mbetet vetëm sfidë në tentativë.

Të martën për herë të parë në garë do të futet Mike Bloomberg, miliarder dhe ish-kryetar i New Yorkut. Bloomberg i ka në shënjestër votuesit e njëjtë si Joe Biden. Për dallim nga Biden, Bloomberg ka para. Garuesit e deritanishëm nga Partia Demokratike e SHBA-ve kanë investuar gati një miliardë dollarë në fushatën elektorale brendapartiake. Më shumë se gjysma e kësaj shume buron nga arka e një njeriu: Mike Bloomberg. 500’000’000 dollarë. Kështu shkruante së fundi gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Bloomberg ka thënë se mund të harxhojë deri në dy miliardë dollarë vetëm për të dëbuar Donald Trumpin nga Shtëpia e Bardhë. Ngacmimet mes Bloomberg dhe Trump janë toksike. Trump tallet me gjatësinë trupore të Bloomberg dhe e quan “Mini Mike”. Bloomberg godet duke e përshkruar Trumpin si një biznesmen që pas vetes ka lënë vetëm falimentime.

Për Trumpin gjërat nuk kanë ecur keq këtë muaj. Kur demokratët dështuan të numërojnë votat në Iowa, Trump i cilësoi ata të paaftë për të organizuar një palë zgjedhje partiake. Si mund të qeverisin këta dështakë? Ky ishte mesazhi i komandantit të Twitterit, Donald Trump. Pastaj Trump mbajti fjalimin vjetor mbi gjendjen e kombit, një shou televiziv ku presidenti i ngjante një përfaqësuesi të një firme që shet dyshekë: gjithçka mirë, produkti im është më fantastik, të tjerët janë dështakë dhe ju shesin mallra pa vlerë. Këto stuhi fjalësh të Trumpit në Twitter kanë njëfarë vlere argëtuese dhe dalldisin mbështetësit e tij të zjarrtë. Pas fjalimit Senati e shpalli Trumpin të pafajshëm në procedurën e shkarkimit të iniciuar nga demokratët. Kjo ishte një fitore 3:0 për Trumpin. A mund të përfundojë kjo ndeshje në nëntor me rezultat 4:3 për demokratët? Optimistët e mëdhenj thonë po. Por optimistët e mëdhenj nuk janë parashikues të saktë. Sidoqoftë, po ndodhi e papritura dhe po u bë president Joe Biden, një gjë është e sigurt: ai së paku e di ku gjendet Kosova. Kjo nuk është befasi, 76-vjeçari Biden është pjesë e politikës amerikane qe më shumë se 45 vjet. Përvoja mund të jetë përparësi. Ose mangësi.

@tn.lajmelokale
@tetovanews