Ballina Sport Nga Gjimshti në Itali, te Shala në Norvegji: Futbollistët shqiptarë tregojnë si...

Nga Gjimshti në Itali, te Shala në Norvegji: Futbollistët shqiptarë tregojnë si jetohet mes kaosit të koronavirusit

Virusi COVID-19 ka pushtuar thuajse të gjithë botën duke përhapur panik kudo dhe pasojat e tij janë ndjerë edhe në sport. Shembulli më konkret është shumë afër nesh, në Itali, ku janë pezulluar dhjetëra aktivitete sportive, ndërsa futbolli në këtë vend ka mbyllur dyert për tifozët duke u zhvilluar në kushte ekstreme.

“Shpresoj që virusi sa më shpejt të ndalet dhe mos të ketë më viktima. Është një gjendje kaotike, por shpresoj që sa më parë të ndalet. Personalisht nuk kam frikë nga ky virus, por ka persona të tjerë që frikësohen dhe është shumë normale. Jeta në Bergamo është duke u zhvilluar normalisht edhe pse jemi këshilluar që sa më pak të dalim nëpër qytet, qendra tregtare apo lokale të ndryshme” tregoi berat Gjimshiti për “Telegrafi”, duke zbuluar se si ka ndryshuar jeta e profesionistëve në Itali.

“Ndoshta është më mirë që po luhet pa tifozë ose që po anulohen ndeshjet, pasi kështu nuk do të infektohen persona të tjerë nga virusi. Natyrisht që dëshira jonë është të luajmë me tifozë, por që ne do t’i zbatojmë urdhrat që kemi. Jemi këshilluar që sa më pak t’i flasim njëri tjetrit për dore. Momentalisht është një gjendje e rëndë, por shpresoj që së shpejti të kalojë”, deklaroi Gjimshiti.

Ndërkaq, në Zvicër është pezulluar për një muaj kampionati dhe ka bisedime konkrete që nëse situata vazhdon, të anulohet komplet viti.

“Është një situatë e çuditshme, pasi në qytet ka më pak njerëz ndërsa duhet të kemi kujdes edhe me shokët e skuadrës. Në dhomat e zhveshjeve nuk kemi shumë kontakte, pasi nuk i flasim njëri tjetrit me dorë dhe duhet që vazhdimisht t’i pastrojmë duart për çdo gjë që prekëm”, shpjegon Hekuran Kryeziu i cili luan te Zyrih.

“Normalisht për ne futbollistët është problem që nuk luajmë, pasi dëshira e jonë është të jemi në fushë çdo javë, por që duhet t’i zbatojmë rregullat e shtetit. Jemi në pritje të shohim se çfarë do të ndodhë, pasi po flitet për përfundim të parakohshëm të kampionatit, por shpresoj që çdo gjë të kalojë dhe mos të ketë më të prekur dhe viktima nga ky virus i tmerrshëm”, deklaroi ai.

Ndërkohë, fillimi i kampionatit mund të shtyhet në Norvegji, pasi situata është kaotike, siç tregon Herolind Shala i cili vesh fanellën e Valerenga.

“Njësoj si pothuajse në gjithë Evropën edhe këtu në Oslo janë prekur nga koronavirusi. Kemi pasur datën për të shkuar për kontroll të zemrës gjithë ekipi para fillimit të sezonit, por na kanë lajmëruar se spitali është mbyllur për shkak se disa punëtorë janë infektuar me këtë virus. Besoj se deri në fillim të edicionit do të kalojë gjithçka dhe lutëm që mos të ketë më viktima dhe të prekur nga ky virus”, tha ai.

@tn.lajmelokale
@tetovanews