Ballina Bota Lajmet e rreme për koronavirusin që po përhapen në Itali

Lajmet e rreme për koronavirusin që po përhapen në Itali

Ndërsa Italia po përballet me një situatë të vështirë me shpërthimin e koronavirusit, edhe dezinformatat për mënyrën e reagimit ndaj virusit po përhapen gjithashtu.

BBC ka mbledhur disa nga historitë që janë bërë virale në rrjet, por që s’ka patur asnjë të vërtetë nga to.

  1. Ushtria është në rrugë

Një video e publikuar në Twitter, tregon automjete ushtarake në rrugë. Kjo video u shikua më shumë se 250,000 herë. Fillimisht u tha që automjetet ishin në Foggia, por më vonë doli se ishin në Palermo, në Siçili. U tha se ushtria kishte dalë në rrugë për shkak të trazirave që ndodhën në një burg në Palermo. Trazirat erdhën si pasojë e masave të reja për koronavirusin, ku përfshihet kufizimi i vizitave për të burgosurit.

Është e vërtetë që ushtarakët ishin në rrugë në Palermo, por prania e tyre nuk ishte e lidhur me trazirat e burgut e as me koronavirusin në përgjithësi.

Ushtria italiane ka konfirmuar se automjetet i përkisnin regjimentit të 6-të Lancieri d’Aosta, të vendosur në Palermo.

Ata po ktheheshin nga një stërvitje ushtarake në Sardenjë dhe nuk ishin aty për t’u marrë me trazirat midis të burgosurve, as për ndonjë arsye tjetër që lidhej me koronavirusin.

  1. Vaksina që mund të blihet

Ky pretendim i rremë u shfaq në një broshurë, e cila u shpërnda në dyqane dhe shtëpi në një zonë të veçantë të rajonit të Venecias.

Në broshurë thuhej që vaksina ishte krijuar në Australi për të luftuar Covid-19, dhe i vetmi vend në botë që e ka blerë është Zvicra.

Aty thuhej se marrja e gjashtë dozave të vaksinës do të jepte mbrojtje nga virusi për një vit, dhe ishte në dispozicion për 50 euro ku qytetarët mund ta blinin përmes një adrese emaili të dhënë në broshurë.

Por, nuk ka asnjë vaksinë në dispozicion në asnjë vend në botë, dhe realisht nuk do të jetë gati deri të paktën në mesin e vitit të ardhshëm.

  1. Miti i lëngut të limonit

Në mediat sociale kanë qarkulluar informacione të rreme në lidhje me mënyra të tjera për të parandaluar virusin.

Një nga historitë që ka qarkulluar është ajo për këshillat që jep një studiues, që thuhet se është nga Universiteti Zanjan në Kinë. Sipas tij, duhet të merrni sa më shumë vitaminë C për të mbrojtur veten nga virusi.

Ky lajm u botua në një portal të njohur si Viralmagazine.it dhe është parë mbi 576,000 herë.

Postimi citon gjithashtu një profesor të quajtur Chen Horin, “CEO i Spitalit Ushtarak të Pekinit”, i cili thotë se një pije e nxehtë me limon mund të frenojë përhapjen e virusit.

Por ka disa gjëra këtu që nuk janë të drejta:

-Emri kinez i studiuesit duket të jetë i rremë pasi në anglisht përkthehet “Si quheni”

-Universiteti Zanjan nuk ekziston në Kinë

-Profesori i përmendur është zbuluar më parë se ka dhënë këshilla mashtruese shëndetësore për kancerin

-Dhe nuk ka asnjë provë se lëngu i limonit apo doza të mëdha të vitaminës C do të ndalojnë virusin.

Një nga karakteristikat e këtyre lajmeve është se ato ndonjëherë mund të përzihen me informacione të vërteta, duke e bërë më të lehtë për lexuesin që të bjerë pre e tyre.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC-së/ Përshtati në shqip Hashtag.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews