Ballina Aktualitet Kurti letër Trumpit e Pompeos: Më 15 mars heqim taksën, shpresoj që...

Kurti letër Trumpit e Pompeos: Më 15 mars heqim taksën, shpresoj që Serbia të na e kthejë me reciprocitet

Kryeministri i Kosovës, Kurti, u ka shkruar ketër presidentit amerikan, Trump e Sekretarit të Shtetit, Pompeo. Ai i njofton ata për pozicionin e qeverisë që drejton, për heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Në letër, Kurti thotë se qeverisja e tij është e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull mes Prishtinës e Beogradit.

Kryeministri njofton se heqja e taksës nis në datën 15 mars si shenjë e përkushtimit për të bashkëpunuar me SHBA-në në dialogun me Serbinë.

‘Qeveria ime dhe unë jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve. Duke filluar nga 15 marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë.’ – thuhet në letrën e Kurtit, raporton REL.

Kurti shton se shpreson që masa e marrë nga qeveria e Kosovës të kthehet me reciprocitet nga Beogradi, që duhet të largojë barrierat jotarifore me Kosovën si dhe të ndalojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës.

‘Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jotarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushatën për çnjohjet e Kosovës. Ne po ashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen.’ – shton Kurti në letrën e tij.

@tn.lajmelokale
@tetovanews