Ballina Bota Koronavirusi, “luftë” SHBA-Gjermani për vaksinën

Koronavirusi, “luftë” SHBA-Gjermani për vaksinën

Kërkimet për vaksinën ndaj koronavirusit kanë shkaktuar një luftë të ashpër tregtare mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që rrezikon të ketë edhe pasoja politike.

Kompania farmaceutike gjermane “CureVac”, e cila vepron në bashkëpunim të ngushtë me Institutin Publik të Kërkimit, “Paul-Ehrlich-Institut”, dhe që po punon për gjetjen e një vaksine kundër koronavirusit, raportohet të ketë refuzuar një ofertë tepër bujare të Donald Trump.

Sipas të përditshmes gjermane “Die Welt”, Presidenti amerikan mendohet t’i ketë ofruar 1 miliardë euro kompanisë për të mbajtur vaksinën, ende të pazbuluar, për Shtetet e Bashkuara. Por, po sipas asaj që raporton gazeta gjermane, menaxheri kryesor i kompanisë, Christof Hettich, ka refuzuar duke thënë se dëshiron të zhvillojë një vaksinë për të gjithë botën dhe jo për vende të veçanta.

Pavarësisht kësaj, “Die Welt” raporton se qeveria gjermane ka kontaktuar me kompaninë për t’i bërë një kundërofertë. Berlini është vënë në alarm nga përpjekja e administratës Trump për të “rrëmbyer” vaksinën dhe shkencëtarët gjermanë. Burime nga qeveria Merkel kanë bërë të ditur për gazetën se kompani të tilla duhet të konsiderohen çështje të sigurisë kombëtare, çka do t’i lejonte qeverisë bllokimin e shitjes.

@tn.lajmelokale
@tetovanews