Ballina Bota Hungaria shpall gjendje të jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit

Hungaria shpall gjendje të jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit

Hungaria ka ndalur të gjitha fluturimet nga Italia, Koreja Jugore, Irani dhe Kina, teksa tenton të parandalojë përhapjen e koronavirusit të ri.

Ndalimi i fluturimeve nga katër shtetet e prekura më së keqi nga ky virus do të fillojë së zbatuari menjëherë, ka thënë Gergely Gulyas, shef i stafit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Universitetet hungareze po ashtu do të mbyllen, pa harruar edhe anulimin e të gjitha organizimeve me 100 pjesëmarrës në ambiente të mbyllura dhe 500 në ambienta të hapura.

Gulyas ka thënë se këto ndalesa do të mbesin në fuqi deri në njoftimin e radhës, duke shtuar se qeveria pret që ndikimi i epidemisë të vazhdojë për muaj dhe jo javë.

Në mesin e masave të reja përfshihet edhe ndalimi i udhëtimit me autobusa ose trena në vendet e lartpërmendura.

Deri më tani në Hungari janë infektuar 13 persona me koronavirusin e ri, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka vdekur.

Kina – vendi ku ka shpërthyer virusi për herë të parë -ka raportuar për mbi 80,000 persona të infektuar dhe 3,136 të vdekur.

Megjithatë, të martën ky shtet ka regjistruar numrin më të ulët të të infektuarve, vetëm 19.

Ndërkohë numri i rasteve të prekura me këtë virus në Evropë është duke u rritur vazhdimisht, pasi rreth 10,000 persona janë infektuar vetëm në Itali.

@tn.lajmelokale
@tetovanews