Ballina Shëndeti Koronavirusi Ekspertët: Ja masat që duhen marrë ndaj koronavirusit

Ekspertët: Ja masat që duhen marrë ndaj koronavirusit

Zëri i Amerikës bisedoi me dy ekspertë të shëndetësisë për konkluzionet që mund të nxirren nga çfarë dimë deri tani rreth koronavirusit, si dhe për ato që pritet të ndodhin. Ekspertët paralajmërojnë për kujdes të shtuar për shkak të aftësisë së virusit për t’u transmetuar në heshtje. Pikërisht për këtë arsye ata nënvizojnë se masat si vetëdistancimi social duhet të aplikohen njësoj edhe për fëmijët, të cilët megjithë mungesën e simptomave mund të shërbejnë si transmetues të heshtur të virusit.

Zëri i Amerikës bisedoi me ekspertë të shëndetësisë për të hulumtuar më shumë rreth të dhënave që kemi deri më tani për virusin COVID-19.

Lauren Meyers është profesore e statistikës dhe biologjisë në Universitetin e Teksasit, në Austin. Duke folur nga sa është parë deri më tani në Shtetet e Bashkuara, në Itali dhe në pjesë të tjera të Evropës, ajo thotë se po mësohet shumë nga mënyra e përhapjes së koronavirusit.

“Ndërsa ky virus vazhdon të shfaqet dhe të përhapet nëpër botë, po mësojmë për ritmin dhe shpejtësinë e transmetimit… Po kuptojmë se është një virus që përhapet me shumë shpejtësi dhe se ndonjëherë përhapet edhe në heshtje. Kjo do të thotë se njerëzit mund të jenë të infektuar me virusin dhe nuk kanë ende simptoma. Pra, as nuk e dinë që mund të jenë të infektuar dhe ndoshta po ua përhapin sëmundjen të tjerëve”, thotë dr. Meyers.

Megjithatë, dr. Lauren Meyers thotë se ende nuk dihet me siguri niveli i vdekshmërisë.

“…Arsyeja pse nuk e dimë me siguri është se nuk kemi shumë informacion për viktimat dhe gjithashtu nuk dimë se sa njerëz të tjerë mund të jenë prekur”, thotë ajo.

Një kategori që virusi duket se nuk po e prek janë fëmijët. Dr. Steven Zeichner, kreu i Pediatrisë dhe Sëmundjeve Ngjitëse në Universitetin e Virxhinias, krahason të dhënat klinike të mbledhura nga 2400 fëmijë kinezë. Ai thotë se simptomat janë më të lehta për fëmijët mbi një vjeç.

“Kjo tashmë ndryshon planifikimin e kujdesit për bebet që mund të infektohen me virusin COVID-19, pasi ato mund të sëmuren më shumë se ç’mendonim më parë. Po kështu për mënyrat se si duhen menaxhuar fëmijët më të rritur që mund të mos kenë pothuajse fare simptoma,… por që sidoqoftë mund ta transmetojnë virusin”, thotë dr. Zeichner.

Pra, edhe për fëmijët sugjerohen të njëjtat masa parandalimi, si distancimi social, ashtu siç po veprohet për të rriturit.

Dr. Meyers është e shqetësuar nga të dhënat e një studimi të ri që konkludoi se virusi mund të përhapej edhe nëpërmjet grimcave të ajrit dhe se mund të qëndrojë në materiale të ndryshme me orë të tëra, madje edhe ditë.

Dr. Meyers thotë se është tepër e rëndësishme të merren masa edhe më të larta parandaluese që të ulet ritmi i përhapjes së këtij virusi.

“Ky është një virus shumë i rëndë. Ka një nivel të lartë vdekshmërie në grupime të caktuara. Duhet t’i mbrojmë këta njerëz dhe të parandalojmë infektimin e të tjerëve”, thotë ajo.

Dr. Meyers thotë madje se nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme për të thënë me siguri nëse moti i ngrohtë do të ndikojë duke ulur përhapjen e koronavirusit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews