Ballina Aktualitet Opinione E dashur Vdekje!

E dashur Vdekje!

Nga Ervin Lera*

Në pak ditë more pesë nga ne (të paktën pesë dimë ne të gjithë) dhe po endesh kudo duke njoftuar të gjithë ne.

E dashur vdekje, të lutem mos u ngut, ti je shumë e mençur, aq e mençur sa mos të gabosh ashtu si ne të gjithë bëjmë, prandaj dhe të lutem mos u tejkalo kaq shpejt te ne. Mes të gjithëve ne sot ka hyrë coronavirusi dhe po nan dan nga ty po tinëz nga frika jote po të zë vendin, sepse ai e di se nuk miqësohet dot me ty ashtu si ne kemi bërë, nuk është miku yt coronavirusi. Të lutem mos harro se ne jemi miqtë e tu të përjetshëm, coronavirusin shumë shpejt nuk do të kesh mundësi ta takosh. Ne këtu do të jemi edhe për ty, ne të përkasim ty, sot apo një ditë tjetër, kur ti të vendosësh.

E dashur Vdekje, edhe pse nuk e themi dhe as nuk e pranojmë, ne nuk të kemi dot as frikë dhe as nuk e themi dot se nuk të duam edhe pse shpesh shajmë e mallkojmë me emrin tënd. As ata që na sulmojnë e na shajnë ne, se nuk dimë si t’ju përgjigjemi i shajmë apo i mallkojmë me emrin tënd, por këtë e bëjmë se ti je më pranë se të gjithë ne dhe ne të pranojmë si më të fortë se të gjithë ne bashkë, por sot të lutem bëhu dhe ti një nga ne e mposhte bashkë me ne coronavirusin.

E dashur Vdekje, ne po rrimë në shtëpi se vetëm këtë mund të bëjmë tani, jo sepse po të fshihemi ty të premtojmë të gjithë që nuk e kemi me ty por me coronavirusin. Ti e ke një çelës rezervë të secilës derë shtëpie dhe mund të na vizitosh kurdo, por edhe po vendose të vizitosh këdo nga ne, të lutem mos harro se rrugëve do të gjesh vetëm coronavirusin, ne do të jemi në shtëpi dhe sot jemi të trembur dhe të hutuar për të pritur mysafirë.

E dashur Vdekje, këto ditë ti nuk do të mund të flasësh me ne kur të na vizitosh, me asnjë nga ne, as me ata që vetëm shajnë, as me ata që vetëm mallkojnë, as me ata që nuk duan e nuk pëlqejnë asgjë, as me ata që me emrin tënd i drejtohen atyre që nuk duan, sepse ne sot jemi të gjithë të trembur. Jo nga ty e dashur Vdekje. Sot ne jemi të trembur dhe i ruhemi vetëm coronavirusit.

E dashur Vdekje, sot që ne rrimë në shtëpi për t’ju shmangur coronavirusit, ne nuk kemi kohë të mendojmë për ty, mendojmë vetëm për coronavirusin. Nëse kjo të ka zemëruar të lutemi shumë na ndje, shumë shpejt do të jemi bashkë dhe do të bisedojmë e do luajmë bashkë.

E dashur Vdekje, të gjithë, në një formë apo një tjetër po bëjmë të pamundurën të mbrojmë njëri – tjetrin duke mbrojtur veten. A mund të na ndihmosh edhe ti sot që mos të vijmë te ty të hutuar e të trembur ?, dhe të lutem më beso se nuk jemi të hutuar e të trembur nga ty e dashur Vdekje. E kemi të gjithën nga coronavirus, ne ty të njohim dhe të kemi pranuar prej kohësh, që kur kemi nisur të jemi mbi dhé.

E dashur Vdekje, unë nuk po marr përsipër të të flas në emër të të gjithëve, por edhe po nuk më kuptuan të gjithë, ti sot mos mendo t’më ruash vetëm mua, rri pak larg, sa më larg të lutem shumë, nga të gjithë ata që janë afër dhe larg meje, larg sa më larg të lutem shumë edhe nga ata që do të turren të më mallkojnë me emrin tënd. Unë nga ty nuk kam frikë, sepse jam i pafuqishëm të trembem nga ty. Unë me ty e kam bërë marrëveshjen, që nuk do të shmangem edhe po më lajmërove edhe po s’më lajmërove para se të hapësh derën me çelsin rezervë që ti e ke për të hapur derën time.

E dashur Vdekje, të lutem mendoje me kujdes edhe një herë…, rrugës për te secili prej nesh, jam i sigurtë se edhe ty do të të dali përpara coronavirusi dhe, atë më fort e më fatalisht se secili prej nesh mund t’a mposhtësh vetëm ti. Pas kësaj…, e dashur Vdekje mos nxito rrugës te unë, je e mirëpritur por rrugës merr edhe coronavirus dhe shpëto gjithë të tjerët nga vuajtjet…

*Regjisor

@tn.lajmelokale
@tetovanews