Ballina Aktualitet Baton Haxhiu përmbyll epokën në Klan Kosova (VIDEO)

Baton Haxhiu përmbyll epokën në Klan Kosova (VIDEO)

Baton Haxhiu pas 11 vjetësh si drejtor i Klan Kosovës ka vendosur që të mos jetë më në krye të televizionit.

Lajmin se nuk do të jetë më pjesë e Klanit përpos përmes një letre Haxhiu ia kumtoi gjatë një mbledhjeje të mbajtur paraditen e sotme edhe stafit të televizionit.

Në fjalimin që u përcoll me emocione të shumta, Haxhiu tha se Klan Kosova u ndërtua falë kontributit të tërë stafit.

Ai mes tjerash tha se  të punësuarit në Klan janë edhe familja e tij.

Më poshtë i gjeni disa pamje nga takimi përshëndetës i Baton Haxhiut me stafin e televizionit.

https://youtu.be/dT_Jwdlz_BA

Themeluesi i Klan Kosovës ka vendosur që projekti i tij prej tash duhet ta vazhdojë rrugëtimin pa të.

Baton Haxhiu nuk do të jetë më drejtor i Klan Kosovës

“Liderizmi i Klan Kosovës në skenën mediale, investimi në gjenerata të reja, ndërtimi i modeleve të reja të gazetarisë dhe stabiliteti i përgjithshëm janë arritje për mburrje dhe krenari. Për mua dhe për të gjithë që kanë qenë pjesë e tij. Njëkohësisht, janë shenjë e qartë që ky cikël është përmbyllur. Kam arritur në cak”.

Në një letër dërguar stafit të Klan Kosovës, Haxhiu i ka përvijuar arsyet personale dhe profesionale që e kanë nxitur ta marrë këtë vendim.

Letra e plotë:

Jetën time nuk e paramendoj pa sfida të mëdha.

I kërkoj, por edhe më gjejnë. S’ua kam frikën.

E kam kuptuar moti: sfidat profesionale më mbajnë gjallë në gazetari. Ato u japin energji ditëve të mia të punës, me lumturi dhe mërzi, mirësi e zhgënjime.

Në gazetë ditore, revistë javore, ose në studio televizive – esenca mbetet e njëjtë. Ta them atë që mendoj se duhet të thuhet, të kërkoj përgjigje, të kontribuoj në sferën publike. Të bashkëpunoj me njerëzit dhe profesionistët më të mirë.

Më shumë se 30 vjet kështu.

Dhe Klan Kosova.

Klaan Kosova është pjesa më e bukur e karrierës sime.

Fillime idealiste me paqartësi e pasiguri, duke parë e duke bërë, me pasion, entuziazëm dhe vullnet të pakrahasueshëm me cilindo projekt tjetër medial kosovar në dekadat e fundit.

Energji fantastike e djemve dhe vajzave që u shndërrua në uragan kreativ. Çdo ditë rriteshim dhe ndryshonim për të mirë në hapësira të vogla me shumë ide.

Sot është krejt ndryshe.

Liderizmi i Klan Kosovës në skenën mediale, investimi në gjenerata të reja, ndërtimi i modeleve të reja të gazetarisë dhe stabiliteti i përgjithshëm janë arritje për mburrje dhe krenari. Për mua dhe për të gjithë që kanë qenë pjesë e tij.

Njëkohësisht, janë shenjë e qartë që ky cikël është përmbyllur. Kam arritur në cak.
Më duhet të lëviz. Drejt një adrese të re, një sfide tjetër.

Nuk e kam të lehtë, por e këtillë është jeta ime. Ky jam unë.

Jemi Një.

Përjetësisht.

Me dashuri,
Batoni

@tn.lajmelokale
@tetovanews