Ballina Top Lajm ANALIZA: Lufta fiskale kundër COVID-19

ANALIZA: Lufta fiskale kundër COVID-19

Qeveritë duhet të mbështeten në masa fiskale dhe jo në masa monetare kur t’i përgjigjen katastrofave natyrore apo epidemive të tilla si COVID-19, koronavirus. Mbi të gjitha, politikëbërësit duhet të veprojnë me shpejtësi, dhe – veçanërisht në rastin e Japonisë – të mos gënjehen nga deklaratat keqinformuese mbi nivelin e borxhit publik.

Nga Koichi Hamada

Ndërsa koronavirusi i ri COVID-19 vijon të përhapet me shpejtësi jashtë Kinës, profesionistët e mjekësisë dhe politikëbërësit nëpër të gjithë botën po luftojnë për të kufizuar përhapjen e saj. Por çfarë doli mundet ose duhet të luajnë qeveritë në këtë situatë – ose për më tepër, në përgjithësi përballë katastrofave natyrore?

Autoritetet e Kinës sakaq kanë lehtësuar politikën e vet monetare në përgjigje të shpërthimit, dhe kjo është një lëvizje e kuptueshme nëse shohim efektet e rënda të virusit në sektorët kyçë të ekonomisë, veçanërisht në manifakturë dhe transport. Por masat monetare janë një mënyrë indirekte në trajtimin e çrregullimeve në ekonominë reale të tilla si këto që shkaktohen nga epidemitë apo katastrofat natyrore. Politikat fiskale, në anën tjetër, ka më shumë gjasa të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në sfidat ekonomike.

Për rrjedhojë, krahas përpjekjeve të profesionistëve të mjekësisë, qeveritë duhet të ndërmarrin iniciativa dhe rregullore të ndryshme për të kufizuar përhapjen e epidemisë Covid-19 – të tilla si të sigurojnë furnizime të mjaftueshme mjekësore dhe avionë për të evakuuar qytetarët nga zonat e prekura jashtë vendit.

Natyrisht, këto masa kërkojnë shpenzime shtesë. Konservatorët fiskalë, të cilët besojnë se qeveritë duhet të kufizojnë përmasat e deficiteve buxhetore kurdo që është e mundur dhe të përqendrohen në shlyerjen e borxhit publik, në mënyrë tipike i rezistojnë financimit të menjëhershëm të shpenzimeve të tilla. Kur kryeministri i Japonisë Shinzo Abe dhe qeveria e tij shpalli një paketë ndihmash 120 miliardë dollarësh për zonat më të prekura nga tajfuni Hagibis që goditi vendin Tetorin e kaluar, plani u përball saktësisht më këto lloj kritikash nga konservatorët fiskalë dhe ministria e financave.

Por kundërshtime të tilla nuk bindin. Unë mbaj mend një pyetje në provim në një kurs mbi programimin linear që kisha si student në Universitetin e Tokios më shumë se gjysmë shekulli më parë: Cila është mënyra optimale për të zgjidhur problemin e transportit kur një ishull i Japonisë goditet nga një katastrofë natyrore e tillë si një tërmet? Ne studentët mendonim se si të minimizonim kostot apo distancën e transportit. Por profesori ynë, i sapo kthyer nga Harvardi, tha se ne duhej të përqendroheshim në fakt në minimizimin e kohës së kërkuar për të transportuar mallra dhe shërbime të nevojshme për shpërndarjen e ndihmave.

Kur një vend goditet nga katastrofat natyrore apo epidemitë, objektivat e dëshiruara duhet të arrihen shpeht. Për sa kohë që reagimi vonohet, ekonomia, institucionet dhe jeta e përditshme në zonat e prekura mbetet e paralizuar. Nëse dëmi nuk trajtohet me shpejtësi dhe në mënyrë të përshtatshme, efektet e saj do të ulin cilësinë e jetës dhe shpesh do të parandalojnë rimëkëmbjen e aktivitetit prodhues. Si gjenerata aktuale ashtu edhe ato të të ardhmes do të vuajnë nga shkatërrimi i kapitalit shoqëror që shkaktohet nga katastrofat si dhe nga mosrimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë.

Në rastin e Japonisë, gjithsesi, ekonomistët konvencionalë dhe gazetarët duket se mendojnë në mënyrë të ndryshme. Për shembull, një artikull i 5 Dhjetorit 2019 në The New York Times nga Motoko Rich ofroi një panoramë të saktë të paketës së stimulit të qeverisë së Abes. Por përshkrimi që ai i bënte borxhit publik të Japonisë ishte i pasaktë, ose së paku keqorientues, si nga pikëpamja statistikore ashtu edhe në termat e të menduarit makroekonomik.

Për fillestarët, kur ne vlerësojmë se sa e shëndetshme është një firmë financiarisht, ne shohim asetet dhe detyrimet e saj (reale dhe nominale). Ne nuk gjykojmë një performancë biznesi vetëm nga borxhi total i saj. Por përshkrimi i Japonisë nga Rich si një vend që ka “ngarkesën më të madhe me borxhe në botën e zhvilluar në raport me përmasat e ekonomisë së saj” i referohet borxhit total bruto të qeverisë duke injoruar në të njëjtën kohë asetet reale dhe financiare të qeverisë së Japonisë.

Monitori Fiskal i publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në Tetor 2018 tregon se megjithëse shëndeti publik i Japonisë është lehtësisht negativ, raporti i borxhit neto me PBB-në është më i mirë se sa ai i Francës dhe i Mbretërisë së Bashkuar, dhe i ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara. Për rrjedhojë, kur ne shohim borxhin neto dhe jo atë bruto, pozicioni fiskal i Japonisë ëhstë shumë më i shëndetshëm nga ai që sugjerojnë shpesh The New York Times dhe media të tjera. Ndoshta gazetarët ekonomikë të Japonisë dhe media e huaj, përfshirë ata që kanë korrenspondentë në Japoni, janë tepër naivë ndaj ministrisë së financave, e cila supozohet se dëshiron taksa më të larta në të ardhmen.

Për më tepër, nevoja për të pasur buxhete qeveritare të rrepta nuk shihet më si një politikë makroekonomike e mençur. Ekonomistët që nga koha e Paul Samuelsonit kanë vërejtur se, kur normat e interesit janë të ulëta dhe ekonomia ka kursime me tepri, financimi i deficitit të shpenzimeve qeveritare mund të përmirësojë mirëqenien si të gjeneratës së sotme ashtu edhe të atyre të së ardhmes. Sot, këtë këndvështrim nuk e kanë më vetëm avokatët radikatë të Teorisë Moderne Monetare; po kështu mendojnë edhe ekonomisë dhe politikëbërës të rrymës kryesore të tillë si Olivier Blanchard dhe ish Presidenti i Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi.

Kjo është arsyeja se pse unë nuk bie dakord me artikullin e Motoshige Itoh, “Ankthet Ekonomike,” te gazeta The Yomiuri Shimbun më 2 Shkurt. Artikulli duket se synon të shkaktojë në mënyrë indirekte frikë te lexuesit përmes supozimit të pabazë se deficiti fiskal aktual është burimi më i madh i pasigurisë në Japoni.

Japonia është përballur me dy emergjenca civile brenda pak muajsh, Tajfunin Hagibis dhe COVID-19. Qeveria  duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri dhe të mos lejojë fantazmat e konservatorizmit fiskal ta çorientojë nga detyra e saj.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Fiscal Fight Against COVID-19

VIDEO bonus:
Loading...